Futbolli shqiptar po futet drejt një kapitulli të ri. Prej kohësh është diskutuar dhe punuar për krijimin e Ligës Profesioniste, për të cilën duket se janë pjekur të gjitha kushtet për krijimin e saj.
“Panorama Sport” mëson se së fundmi është gjetur një akord mes të dhjetë ekipeve të Superiores për të nisur nga puna me krijimin e saj.
AKORDI
Prej kohës, një prej zëvendëspresidentëve të Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë një “tur bisedimesh” me drejtuesit e klubeve. Edvin Libohova ka kontaktuar me presidentët e klubeve, të cilët deri më tani nuk kanë qenë union për krijimin e Ligës. Gazeta mëson ekskluzivisht se së fundmi është një vendim unanim i të gjithë ekipeve të elitës për t’i hapur udhë krijimit të Ligës Profesioniste.
REGJISTRIMI
Të njëjtat burime pranë institucionit të futbollit, bëjnë me dije për gazetën se kjo gjë do të vijohet me regjistrimin e Statutit në Gjykatë. Për këtë, nevojitet një “tur” i dytë firmash nga të gjitha klubet, në mënyrë që të autorizohet edhe regjistrimi i Statutit të Ligës Profesioniste. Ky do të jetë edhe hapi i radhës për të ndërmarrë një nismë të re një futbollin shqiptar. Me të ndodhur bashkimi i firmave të klubeve dhe regjistrimit të Statutit, më pas do të vijë edhe radha e takimeve më të shpeshta të klubeve, për të bërë të mundur përcaktimin e strukturave drejtuese që do të menaxhojnë dhe marrin vendime mbi Ligën.
KOMITETI EKZEKUTIV
Prej javësh, nuk ka një datë për mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv në FSHF. E gjithë kjo mësohet se ka pasur si shkak pikërisht ecurinë e çështjeve që kanë të bëjnë me Ligën. Mbledhja e KE-së është shtyrë për të pasur diçka konkrete në lidhje me Ligën dhe tashmë që po bëhet një hap drejt formalizimit të saj, do të caktohet edhe mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv, ku veç çështjeve të tjera, të diskutohet dhe të vendoset në lidhje me strukturën e re që do të nisë të menaxhojë edhe garën e Kategorisë Superiore.