Koreja e Veriut po ndërton raketa të reja? Ja çfarë zbuluan satelitët spiunë të SHBA

31 Korrik 2018, 17:47Bota TEMA

Koreja e Veriut duket se po ndërton raketa të reja balistike, pavarësisht lidhjeve të fundit miqësore mes vendit komunist dhe administratës së Trump.

Zyrtarë amerikanë të paidentifikuar i thanë “Washington Post” se satelitët spiunë kishin vërejtur aktivitet të vazhdueshëm në një vend që ka prodhuar raketa balistike.

Të hënën, gazeta Washington Post citoi zyrtarët të thoshin se Koreja e Veriut dukej se po ndërtonte një ose dy raketa të reja balistike ndërkontinentale me karburant të lëngshëm (ICBMs) në objektin Sanumdong pranë kryeqytetit, Phenian“, raporton BBC.

Ndërsa agjencia e lajmeve Reuters citon një zyrtar, që thotë se është e paqartë se sa larg ka shkuar puna.

Presidenti Donald Trump takoi udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, në qershor.

Pas takimit të parë midis liderëve nga të dy vendet, të dy burrat premtuan të punojnë drejt denuklearizimit. Trump më vonë tha se Koreja e Veriut “nuk ishte më një kërcënim bërthamor“.

Por Trump u kritikua në ‘shtëpinë e tij’ për lëshime pa siguruar asnjë angazhim të vendosur nga Kim për t’i dhënë fund programeve bërthamore dhe raketave.

Këto nuk janë raporte të para që vënë në dukje se Koreja e Veriut mund të vazhdojë programin e saj të armëve bërthamore, duke hedhur dyshime mbi ndikimin e vërtetë të samitit në Singapor.

Fabrika është e njohur për prodhimet më parë të raketave “Hwasong-15”, të afta për të arritur në SHBA.

Megjithatë Reuters shtoi se imazhi i satelitit tregoi automjetet që lëvizin brenda dhe jashtë objektit, por jo shtrirjen dhe ndërtimin e ndonjë rakete.

Koreja e Veriut ka kryer gjithsej gjashtë teste bërthamore, nga të cilat më të fundit u zhvilluan në shtator të vitit të kaluar. Ndërsa në dy vitet e fundit ka përparuar shpejt programin e saj bërthamor.

Por në takimin e tyre historik në Singapor, Trump dhe Kim arritën marrëveshje që të punojnë drejt “denuklearizimit të plotë të gadishullit Korean“.

Është e paqartë se çfarë do të thonë të dyja palët me “denuklearizimin e plotë“, dhe nuk ka detaje të mëtejshme se kur apo si Pyongyang do të heqë dorë nga armët e saj bërthamore, dhe as se si procesi do të verifikohet.

Ekspertët gjithashtu kanë hedhur dyshime nëse Pyongyang ka qenë i vërtetë në angazhimin e tij të dukshëm për “denuklearizimin”. (TemA TV)

1 komente në “Koreja e Veriut po ndërton raketa të reja? Ja çfarë zbuluan satelitët spiunë të SHBA”

  1. Lavderim says:

    LAVDI PPSH!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje