Një kafe te Liqeni i Gazivodës: Integrimi i serbëve të veriut dhe aventurat politike

3 Gusht 2018, 22:08Rajoni TEMA

Integrimi i serbëve të veriut në sistemin e Republikës së Kosovës është i mundshëm. Por, nëse këtë nuk e dëshiron askush nga shumica shqiptare – atëherë të bëhemi gati për aventura politike. Një shembull integrimi është Graçanica.

Pas luftës të udhëtosh nga Prishtina në Gjilan, përmes Graçanicës, ka qenë aventurë e rrezikshme. Në hyrje të Graçanicës udhëtarët i nënshtroheshin kontrollit të rreptë të KFOR-it. Nëpër fshat kaloje në ankth në mos ndonjë serb i frustruar hap zjarr. Në dalje të fshatit prapë ishte një patrullë e KFOR-it. Para Manastirit të Graçanicës bënin rojë ushtarët e KFOR-it, kryesisht suedezë. Duket shumë e largët ajo kohë kur Graçanica kalohej vetëm nën syrin vigjilent të KFOR-it.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës gjendja në rrugën Prishtinë-Gjilan, nga Graçanica, është normalizuar plotësisht. Sot shqiptarët shkojnë pa problem në këtë fshat të banuar me serbë – shkojnë për të blerë e shitur, për biznese të mëdha e të vogla, për të pirë raki dhe shijuar ndonjë meze në lokalet e pronarëve serbë. Njërit lokal të serbëve të Graçanicës i ka shkuar nami deri në Tiranë. Kur biznesmenë të Shqipërisë vijnë me punë në Prishtinë, në mbrëmje përfundojnë në lokalin e njohur në Graçanicë, ku ballafaqohen heroikisht me ndonjë specialitet të kuzhinës serbe.

Graçanica dhe fshatra të tjera që Serbia për arsye propagandistike ende i quan enklava, në të vërtetë janë vendbanime që komunikojnë pa problem me rrethin e dominuar nga shqiptarët. Të dy palët kanë mësuar diçka pas trazirave fatale të vitit 2004: serbët këndej Ibrit e dinë se pavarësia e Kosovës është realitet që nuk ndryshohet duke kënduar këngë për Millosh Obliqin, shumica e shqiptarëve e dinë se çdo ushtrim dhune ndaj pakicës serbe e delegjitimon pavarësinë e Kosovës.

E qartë: edhe në Graçanicë ka ende institucione të Serbisë, të cilat e mbajnë gjallë iluzionin se Kosova ende është krahinë e Serbisë. Por, vështirë të gjeni një serb në këtë fshat që nuk ka dokumente të Kosovës, që nuk ka shkuar në një sportel me mbishkrimin Republika e Kosovës, që nuk e ka regjistruar veturën me targa të Kosovës. Edhe në Graçanicë amviset dëgjojnë me vëmendje radion për të marrë vesh nëse ka zbritje në qendrat e afërta tregtare të shqiptarëve. Dikur vërtet ishte e nevojshme që serbët e Graçanicës t’i mbronte KFOR-i nga «hakmarrësit» shqiptarë, sot sigurinë e garanton policia e Kosovës, ku shërbejnë pjesëtarë të të gjitha etnive. Ky është një përparim, që lehtësisht harrohet në zhurmën e përditshme politike të Kosovës.

Duke u bazuar në këtë përvojë nuk është kurrfarë fantazie të thuhet se edhe integrimi i serbëve të veriut në sistemin e Republikës së Kosovës është i mundshëm. Por, nëse këtë nuk e dëshiron askush nga shumica shqiptare – atëherë të bëhemi gati për aventura politike. Për t’i integruar serbët e veriut duhet së pari një debat publik brenda Kosovës, një debat që mungon qe 20 vjet: a duam t’i integrojmë? Nëse duam, atëherë duhet të ketë ofertë zhvillimore edhe për atë rajon. Një arsimtar serb në Zveçan i ka pothuaj hallet e njëjta si një mësues në një fshat shqiptar në Dukagjin apo Anamoravë. Këtu duhet të fillojë debati: te cilësia e jetës, jo te planet e mëdha për shkëmbim territoresh, ndarje, «korrigjim kufijsh».

Por, nëse nuk ka gatishmëri për të mbrojtur tërësinë territoriale të Kosovës, atëherë Kosova futet në një qorrsokak me epilog të paqartë. Njëherë hapet Kutia e Pandorës, pastaj nuk dihet kur mbyllet.

Për të pirë kafe te Liqeni i Gazivodës siç pinë kafe në Graçanicë, shqipatrët e Kosovës duhet pikësëpari të ndërrojnë rrënjësisht klasën politike. Kjo klasë politike, e dominuar nga komandantët që s’kanë më asnjë ideal për Kosovën, përveç pasurimit nga arka e shtetit, as nuk do ta integrojë veriun, as nuk do ta bashkojë Kosovën me Shqipërinë, as nuk do ta çojë kufirin e Kosovës deri te rruga E-75 afër Preshevës, as nuk do të integrojë Kosovën në BE.

Duhet të mendohet për një koalicion të gjerë opozitar, një koalicion të shumicës shqiptare: këtë koalicion mund ta themelojnë LDK, VV dhe Partia Socialdemokrate, nëse vërtet duan ta ndryshojnë Kosovën dhe nuk bëjnë garë se cila prej tyre do të shitet te partitë e ashtuquajtura të «krahut të luftës», në të vërtetë këto janë parti të «krahut të karburantëve, kokainës dhe korrupsionit».

Në fund të misionit të tyre këto parti pasi kanë shitur gati çdo aset të Kosovës, tani e nxjerrin në pazar edhe territorin e Kosovës.

2 komente në “Një kafe te Liqeni i Gazivodës: Integrimi i serbëve të veriut dhe aventurat politike”

  1. Baliu says:

    Kjo fjalia e fundit eshte me e verteta dhe me e rendesishmja, mirepo ata qe e kan “fituar” Kosoven kan drejt edhe ta shesin ate, apo jo. Lopari XIV i Brojes ia ka ngullitur vetes ne koke: Kosova jam Une.

  2. vang says:

    Po dale o ROBELLI se tani nuk flet qarte. Ne se do te kritikosh qeveritaret e Kosoves beje por jo te na nxjerresh fajtore shqiptaret pse serbet e veriut nuk duan te integrohen.Eshte e vertete qe gabimi filloi nga KFOR kur ne periudhen e luftes dhe me tutje ndihmuan ne ndarjen ne IBER ,por serbet kane kerkesa qe nuk i ka asnje minoritet tjeter,dhe vete ata rezistojne me ndihmen e Beogradit qe punet te zgjidhen me ndarje.Ata u bene si gangrene brenda shtetit te Kosoves.Serbet ,po moren Mitrovicen dhe pasurite e veriut,pa harruar dhe copen e Bosnjes as qe do tu interesojne shume manastiret,sepse ato e kane siguruar me se miri statusin e tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje