Pas letrës së dërguar autoriteteve shqiptare për kthimin e eshtrave të Hasan Prishtinës, istitucionet qendrore e lokale në Kosovë janë të ndara.
Kuvendi i Kosovës synon që mbetjet mortore të patriotit të rivarrosen në Prishtinë, ndërsa Komuna e Vushtrrisë kërkon që ato t’i kthehen qytetit të lindjes.
Për këtë arsye, Komuna e Vushtrrisë i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Dy ditë më parë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u ka dërguar letër zyrtare autoriteteve shtetërore në Tiranë, me anë të së cilës kërkon që eshtrat e Hasan Prishtinës të prehen në Kosovë.
Iniciativa është ndërmarrë në 85-vjetorin e vdekjes së themeluesit të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës dhe heroit të madh të Pavarësisë së Shqipërisë.
Veseli në letër shprehej se eshtrat e Hasan Prishtinës do të varrosen aty ku prehen Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare në Kosovë.
Hasan Prishtina, i lindur më 1873, është vrarë me 13 gusht 1933 në Selanik, ndërsa është varrosur në Kukës.
Ka qenë nëpunës, aktivist shqiptar për autonominë e më pas pavarësinë shqiptare, ministër e kryeministër, dhe deputet i shtetit shqiptar.(TemA TV)