T’i kthejmë qytetit buzëqeshjen!

19 Gusht 2018, 11:30Sociale TEMA
T’i kthejmë qytetit buzëqeshjen!

Më këtë moto, para disa kohësh, u mbajt në Universitetin e Elbasanit një takim i zgjeruar me pedagogë, studentë, mësues të shkollave të mesme dhe specialistë të pushtetit vendor për të diskutuar rreth tri argumenteve : Ambient i pastër, kulturë dhe qytetërim – organizuar nga Qendra « Shqipëria Europiane » dhe mbështetur nga AMSHC-ja.

Në fillim të takimit, drejtori i Qendrës « Shqipëria Europiane », Prof. i as. Dr. Ilir Yzeiri tregoi rëndësinë që ka identifikimi dhe adresimi i drejtë dhe shkencor i problematikave të mjedisit, të kulturës dhe të qytetërimit. Ne, thekoi ai, vuajmë nga mosnjohja reale e problematikave që shqetësojnë habitatin tonë. Më së shumti, në ligjërimin publik zenë vend legjendat urbane dhe retorika agresive politike, e cila e paraqet realitetin që jetojmë në bardhë e zi. Për fat të keq, në ligjërimin publik dhe në mediat shqiptare, profesionistët, pedagogët e universiteteve, dijetarët dhe specialistët e fushave të ndryshme thirren rrallë ose pothuajse aspak për të dhënë ekspertizën e tyre për problemet që shqetësojnë jetën e një komunitetit të caktuar.

Uji, ajri, toka dhe ndotja në Elbasan

Qyteti i Elbasanit ishte zgjedhur nga organizatorët për shumë arsye. E para, ky qytet, ashtu si shumica e qyteteve shqiptare, në gjithë këta vjet, është transformuar për mirë dhe për keq. Ndërkaq, ai është bërë i njohur sidomos për ndotjen e shkaktuar nga ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik, në kushtet kur nuk kishte asnjë legjislacion për mbrojtjen e mjedisit dhe kur mjedisi shihej jo si një areal që duhej mbrojtur, por si një vend që duhej t’i përshtatej nevojave të njeriut edhe kur ai dëmtohej e shkatërrohej.

Po sot çfarë ndodh në këtë qytet dhe si është situata e ndotjes së ujit, ajrit dhe tokës ? Për këtë pedagogia e katedrës së kimisë në Universitetin e Elbasanit, Dr. e shkencave kimike, Belinda Hoxha, mbajti një kumtesë të zgjeruar për gjendjen e ndotjes në qytetin e Elbasanit. Pasi paraqiti të dhënat e përgjithshme të shtrirjes dhe përbërjes gjeografike të rajonit, ajo tregoi se kur flasim për ndotjen e mjedisit, duhet të kemi parasysh cilësinë e ujit, të ajrit dhe të tokës. Këto të trija mund të ndoten nga mbetjet kimike industriale që çlirohen në ajër dhe derdhen në lumenj. Po ashtu, duhet të vëzhgojmë rolin që luajnë në cilësinë e ajrit dhe të ujit edhe elementet kimike që çlirohen nga mjetet e transportit ose që prodhohen nga industria dhe që shpërndahen nga era dhe uji.

Për të kuptuar se në ç’nivel është ndotja në një qytet duhet të masim sasinë në ajër të dyoksidit të squfurit, dyoksidin e azotit (pluhuri kafe që dukej mbi Elbasan kur punonte Metalurgjiku), ozonin stratosferik dhe grimcat për mijë. Është e vërtetë, tha, zj. Belinda, se Agjencia e Mjedisit bën monitorimin e ndotjes dhe, sipas atyre të dhënave, treguesit janë në rënie. Mirëpo, të dhënat e publikuara për mesateren vjetore, nuk japin fotografinë e duhur të ndotjes në Elbasan. Do të ishte mirë që rezultatet të ishin mujore ose edhe javore, sepse kështu do të kishim një fotografi më të qartë. Nëse sheh tabelat e matjes së ndotjes ka një tendencë rënieje për shkak se tani nuk kryhet më djegia e mbetjeve urbane siç ndodhte disa vjet më parë. Po ashtu, pjesa më e madhe e uzinave të Kombinatit Metalurgjik nuk punojnë më, por grimcat që lëshohen nga mjetet e transportit dhe ndotës të tjerë kërkojnë që monitorimi të jetë më i shpeshtë.

Pasojat që ka lënë Kombinati Metalurgjik ndihen ende. Ka studime që tregojnë se tokat përreth Kombinatit janë të ndotura deri në 32 cm thellësi me metale të rënda, pra ato metale që përdoreshin si lëndë e parë për këtë Kombinat. Lumi Shkumbin ende vazhdon të llogaritet si një lumë me ndotje mbi mesataren për shkak të derdhjes aty të ujërave të zeza, të mbetjeve të tjera urbane dhe për shkak të dëmtimit të shtratit të tij ndër vite. Një dukuri tjetër është edhe popullimi i ambienteve të Uzinës me ndërtime abuzive. Ato ndërtime, po ashtu, kanë krijuar një mjedis ndotës sepse mbejtjet urbane derdhen lirisht në Metalurgjik.

Po ashtu kohët e fundit është rritur shqetësimi për ndotjen e mjedisit nga kimikatet dhe pesticidet e përdorura pa kriter në bujqësi. Në shumë raste ato, jo vetëm që shkatërrojnë tokën, por, në kohë rreshjesh, përfundojnë në lumin e Shkumbinit dhe e rrisin në mënyrë të thellë ndotjen e tij.

Dr. Shehu ngriti shqetësimin edhe për inceneratorin që do të ngrihet në Elbasan dhe tha se nuk është ende e qartë se çfarë do të bëhet me mbetjet që do të dalin nga djegia e mbeturinave. Po ashtu, ajo tha se në këto inisiativa nuk janë përfshirë sa dhe si duhet eskpertiza nga specialistët e kimisë së Universitetit. Megjithatë, është për t’u përshëndetur vëmendja që ka treguar Agjencia Rajonale e Mjedisit për të vendosur matës në pika të ndryshme të qytetetit.

Megjithëse Elbasani ka një përmirësim të lehtë në treguesit e ndotjes së mjedisit, ende situata nuk është ajo që duam. Të mos harrojmë se Elbasani ka 2 herë më shumë të sëmurë për frymë nga rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë sesa Tirana fjala vjen.

Po çfarë mund të bëjmë ?

Zv/ Rektori i Universitetit të Elbasanit Prof. i as. Dr. Peçi Naqellari tha se ka ardhur koha që mjedisin duhet ta konsiderojmë si shtëpinë tonë dhe gjithësecili mund të kontribuojë që ambienti ku jetojmë të jetë i pastër. Prej disa kohësh, tha ai, ne kemi përfshirë në programet studimore elementet e edukimit mjedisor në të gjitha kurset e studimit në kurikulat e edukimit qytetar. Jo vetëm studentët e biologjisë e të kimisë, por edhe studentët e degëve të tjera si ekonomi, mësuesi, edukim, etj, në lëndët e edukimit qytetar, kanë programme dhe kurrikula të edukimit të mjedisit. Po ashtu, prej shumë kohësh, në Universitetin tonë është çelur programi dy-vjeçar i studimit master në Edukim mjedisor. Për çdo vit zhvillohen kurse dhe trajnime me mësuesit e Bashkisë Elbasan që të informohen mësuesit e këtyre disiplinave për rrugët dhe metodat që duhet të ndjekin për t’i bërë fëmijët dhe nxënësit që të sillen në mënyrë miqësore me ambientin. Sot secili nga mund të bëjë shumë për të shëndoshur mjedisin dhe për të mos e ndotur atë. Qeset plastike fjala vjen, mund të përdoren disa herë. Të kursesh ujin e pishëm dhe mos ta shpenzosh atë vend e pa vend do të thotë më pak ujë të ndotur në lumenj apo në dete. Ndarja dhe riciklimi i mbetjeve duhet të bëhet edukatë për të gjithë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje