Senatori republikan amerikan John McCain nuk do të vazhdojë trajtimin për kancerin e trurit, njoftoi familja e tij.
McCain, 81 vjeç, u diagnostikua me një formë agresive të tumorit të trurit verën e kaluar dhe kishte kaluar në trajtim që nga korriku 2017.
Ai u largua nga Uashingtoni për të qenë me familjen e tij në Arizona, edhe pse ai ende ka qenë një figurë politike e zëshme.
Shumë herë ai ka qenë edhe një kritik i ashpër i presidentit Donald Trump.
Familja e tij tha në një deklaratë për mediat amerikane:
“Vitin e kaluar, senatori John McCain ndau me amerikanët lajmin që familja jonë tashmë e dinte.
Ai ishte diagnostikuar me glioblastoma agresive dhe parashikimet ishin serioze, për të mos thënë të zymta.
Në harkun e një viti John ka tejkaluar pritjet për mbijetesën e tij, por përparimi i sëmundjes dhe përparimi i pashmangshëm i moshës japin vendimin e tyre.
Me forcën e tij të zakonshme të vullnetit, ai ka zgjedhur të ndërpresë trajtimin mjekësor“, vazhdoi më tej deklarata e familjes.
Në një mesazh në Twitter, Meghan McCain, vajza e senatorit McCain, tha se familja e saj “është thellësisht mirënjohës për gjithë dashurinë dhe bujarinë” që kanë marrë gjatë vitit të kaluar.
Gruaja e tij, Cindy McCain, gjithashtu ndau deklaratën e familjes në Twitter, duke thënë: “Unë e dua burrin tim me gjithë zemrën time, dhe Perëndia bekoftë të gjithë ata që janë kujdesur për burrin tim gjatë kësaj kohe“.
Udhëheqësi i senatit republikan Mitch McConnell tha se ishte “shumë i trishtuar” kur dëgjoi lajmin.
Ish-sekretari i Shtetit John Kerry e quajti veteranin e tij të Vietnamit “një njeri trim“.
McCain kaloi më shumë se pesë vjet si i burgosur lufte.(TemA)