Pavarësisht paralajmërimeve, “Korrigjimi i kufijve” dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të diskutohen në takimin e së premtes ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçic.
Thaçi, javë më parë, kishte paralajmëruar se gjatë shtatorit do ta prezantojë në Bruksel idenë e korrigjimit të kufijve, i cili nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Megjithatë, në takimin e së premtes të Thaçit me homologun e tij serb Aleksandar Vuçic nuk do të diskutohet për “korrigjimin e kufijve” dhe as për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Korrigjimi i kufijve dhe Asociacioni nuk do të jenë në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë zyra e presidentit për gazetën “Zëri”.
Sipas zyrës së presidentit Thaçi, në takimin e pasnesërm do të diskutohet rreth “modaliteteve” për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.