Vizita e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në Maqedoni erdhi në një moment tepër të rëndësishëm për vetë Maqedoninë por edhe për dinamikat që po zhvillohen në rajon.
Vetëm pak ditë e ndajnë Maqedoninë nga referendumi që do të zhvillohet mbi marrëveshjen me Greqinë dhe që do ti çelë dritën jeshile ndryshimeve kushtetuese të cilat mundësojnë avancimin e vendit drejtë integrimit euro-atlantik.
Shqipëria ka mbajtur një politikë koherentë në rajon, duke shërbyer gjithmonë si faktor paqeje dhe stabiliteti.
Në këtë prizëm edhe kjo vizitë është një mesazh mbështetje ndaj Maqedonisë fqinje për avancimin e integrimit euro-atlantik, përmes shtet-konsolidimit dhe ndërtimit të një shoqërie kohezive që respekton bashkëjetesën ndëretnike, barazinë në të drejta dhe detyrime për popullsinë shqiptare, si dhe zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit.
Vizita e Bushatit në Maqedoni vjen kulmin e fushatës për referendum dhe në një kohë kur Shkupi është kthyer në “qëndrën” e pritjes dhe përcjelljes të lidërve europiane dhe transatlantikë.
Në cilësinë e përfaqësuesit të parë të Tiranës që vizitonte Shkupin në këtë moment vendimtar, por në të njëjtën kohë dhe si Ministri i parë i Jashtëm i rajonit që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Prespës, Bushati u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që me votën e tyre pro në referendum të bëhen pjesë e suksesit të vendit të tyre në rrugëtimin evropian.
Roli i faktorit shqiptar në rrugëtimin euro-atlantik të vendit ka qenë dhe mbetet esencial, ndaj Bushati u kujdes që si në konferencën për shtyp me homologun Dimitrov por edhe në takimet me faktorin politik shqiptar t’i kërkonte angazhimin maksimal për një votë totale shqiptare në funksion të jetësimit të kësaj aspirate të madhe të vendit.
Në fakt roli i shqiptarëve për të ardhmen e Maqedonisë është vendimtar dhe apeli i bërë nga kreu i diplomacisë shqiptare për këtë votë pro referendumit nuk i shërben vetëm lidershipit politik maqedonas por është vijim i qëndrimit koherent të Shqipërisë dhe politikës së saj të jashtme në rajon.
Nuk duhet harruar se kapërcimi i krizave dhe stabiliteti politik i Maqedonisë erdhi edhe si rezultat i produktit që kancelaritë europiane e kanë cilësuar si “Tirana platform”.
Mediat raportojnë një vizitë të ngjeshur protokollare të Ministrit Bushati në shkup, përfshirë takimin me Kryeministrin Zaev, homologun e tij Dimitrov, përfaqsues të opozitës dhe të gjithë spektrin politik shqiptar atje.
Bie në sy mungesa e një takimi me Presidentin Ivananov. E kuptueshme përsa kohë Ivanov përveç të tjerave është një nga kundërshtarët e flaktë të Ligjit të Gjuhëve i cili siguron një qasje më të mirë dhe më të drejtë ndaj shërbimeve për shqiptarët dhe kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të hapur, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar drejt Europës.
Ajo që u evidentua nga klasa politike në Maqedoni ishte kontributi dhe roli lehtësues i Tiranës si në arritjen e marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit por edhe në platformën e Tiranës për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Nga ecuria e kësaj së fundit në Shkup por edhe në të gjithë vendin ndihej një ndjenjë lehtësimi dhe shprese për një Maqedoni më të drejtë, më demokratike dhe një vend që kultivon me kujdes dhe respekt të drejtat e qytetarëve të saj njësoj si në çdo vend evropian./S. Duraj
Shqiptarët duhet të votojnë JO nqs duan të mbajnë IDENTITETIN E TYRE SHQIPTAR, përndryshe do ta humbin .