Vonesa e kotë e ligjit nominal për Teatrin Kombëtar

18 Shtator 2018, 21:20Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Shkëlqim Fusha mund të jetë sërish fituesi i tenderit për ndërtimin e Teatrit të Ri kombëtar. Këtë rradhë jo me ndonjë truk ligjor të minutës së fundit, e as për shkak se e duan të gjithë brenda maxhorancës. Hapja e garës për ndërtimin e Teatrit, bashkë me rrëzimin formal të ligjit nominal që i jepte biznesmenit në fjalë të drejtën për realizimin e projektit, i jep kësaj kompanie shansin që të jetë fitues edhe i garës së hapur për ndërtimin në fjalë.

Arsyeja?! E tha hapur dhe qartë kryeministri pak ditë më parë në studion e Eni Vasilit. “Do ndodhi që një kompani tjetër duhet të marrë prokurat e pronësisë dhe të vijë të ndërtojë Teatrin”, qe përgjigja e Ramës ndaj pyetjes së intervistueses, se çfarë do të ndodhë me hapjen e tenderit për ndërtimin e Teatrit. E përkthyer nga shqipja në shqip: garuesit e tjerë do të paraqiten tek kompania e përzgjedhur nga qeveria, në cilësinë e pronarit të një pjese të tokës ku do të ndertohet Teatri, për të marrë prokurën e pronësisë. Çka, me një logjikë fare elementare, do të thotë se biznesmeni Fusha mund të bllokojë teorikisht pjesën tjetër të rivalëve, për ta fituar i vetëm tenderin në fund. Kësaj rradhe në rrugë formalisht korrekte dhe pa pasur nevojë për një ligj të dyshimtë e të debatuar pafund.

Kalvari i Teatrit Kombëtar është ndër më të vjetrit në Tiranë. Edhe përplasja e parë, edhe kjo e dyta, ka ardhur ndër të tjera edhe për shkak të një doze të lexueshme imponimi dhe mungese komunikimi me të gjithë atë pjesë të opinionit publik që e ka parë tradicionalisht me dyshim këtë ndërmarrje të vjetër dhe të re të Ramës.

Këtë qëndrim “acid” së fundi e ka nxitur edhe insistimi i maxhorancës për të kaluar me çdo kusht një projektligj i cili përmban brenda edhe emrin e firmës ndërtuese të projektit 30 milion dollarësh. E parë nga interesi i ngushtë i qeverisë, çeshtja e ligjit “Fusha” ka qenë një pasojë e krijuar nga një arrogancë e panevojshme dhe e tepërt, pasi siç shihet, me ose pa garë, kompania me të njëjtin emër i ruan shanset për ta fituar projektin e Teatrit.

Insistimi i shumicës për të imponuar një ligj të diskutueshëm prodhoi jo vetëm keqkuptim e politizim të mëtejshëm në një ambjent të mbarsur me akuza e sherre, por edhe një vonesë tjetër të kotë, e cila thjesht nuk do të egzistonte nëse do të kishim procedura normale gare për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Pse duhej letra e një burokrateje pa emër në Bruksel, që të kthehej pas një nismë ligjore e debatueshme?! Pse duhej humbur kohë me sherre e votime të tendosura në parlament, kur mund të kryheshin procedura normale ligjore?! Të cilat sërish mund të nxjerrin në të njëjtin përfundim, por pa hije dyshimesh e luftë “për jetë a vdekje” në këmbët e Teatrit?! Një zot e di pse. Ndoshta sepse, siç e thotë një shprehje e vjetër, “disa gjëra nuk ndodhin kurrë… sepse bëhet mirë”!

2 komente në “Vonesa e kotë e ligjit nominal për Teatrin Kombëtar”

  1. Zigur Qarri says:

    Nuk eshte më i”dyshimtë” ligji per shembjen e Teatriti ,por ligj antikushtetues qe u hodh poshte nga Presidenca dhe BE.
    Atehere,meqe plotesohet kushti i BE-s,tregon se ligji per Teatrin eshte de jure antikushtetues,prandaj,ata qe e aprovuan ,
    duhet te denohen.E gjith”rilindja”ne burg,perveç Pandeli Majkos.

  2. a.f. says:

    Te lumte o Skender Minxhozi!
    Sipas teje:
    -Nuk paska asgje te keqe qe nje prone publike dhe me destinacion historik, sikurse Teatri Kombetar, te shitet badjava tek privati per interesa korruptive dhe private te firmes Fusha&Rama shpk?!
    -Qeveria qe harxhon qindra miliona euro per pune publike korruptive dhe te pa dobishme nuk mund te gjeje nje fond modest (jo ai qe genjen Erion Veliaj dhe qe eshte 10 fish me shume se kosto reale) per ndertimin e nje teatri te ri ne nje zone tjeter te Tiranes?!
    -Nuk te duket masaker urbanistike, historike dhe monumentale, ajo qe po ndodh me Stadiumin Kombetar?!
    -Nuk e di ti qe te gjithe pushtetaret tane mendojne dite e nate vetem per te vjedhur dhe shkaterruar vendin?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje