Pse opozitat në Shqipëri sulmojnë biznesin?

22 Shtator 2018, 12:09Politika TEMA

Edi Rama dje në opozitë kërcënonte me anulime kontratash, mbyllje koncesionesh dhe po ashtu Basha, lideri i opozitës, bën të njëjtën gjë sot. Rrënjët e mentalitetit antibiznes dhe çfarë efekti ka kjo në klimën e biznesit në Shqipëri. Flasin ekonomistët, profesori i asociuar Selami Xhepa dhe dr. Zef Preçi.

Nga Nevila Perndoj

Në mars të 2013-ës, banorë të fshatrave dhe komunave Mat bllokuan aksin rrugor Peshkopi-Tiranë. Atë botë, qeveria “Berisha” nënshkroi katër kontrata me një kompani private për blerjen e hidrocentraleve “Bistrica 1 dhe 2”, Ulëz e Shkopet.

Edi Rama (si kryetar i PS) premtoi se nuk do ta njihte këtë proces. Ky ishte shembulli i parë i tij për të lajmëruar se në qeverisjen e afërt, ai do të rishikonte koncesionet për hidrocentralet dhe jo vetëm. Pak muaj para zgjedhjeve të 2013-ës, Edi Rama do të shfaqej sa agresiv ndaj reformave të qeverisë “Berisha” aq edhe populist. Kjo i mundësoi atij një shumicë dërrmuese votash. Rama erdhi në pushtet duke sulmuar pikërisht tezën ku Berisha kishte elaboruar më shumë; atë të futjes së koncesioneve dhe kapitalit të huaj. Sjelljen e qeverisë “Rama”, vetë Berisha do ta cilësonte pasojë të së kaluarës komuniste.

Por, nga veprimet e para për kontroll en block, Rama kaloi shpejt në anën tjetër duke pranuar jo fort vonë (të paktën publikisht) se anulimi i të gjitha koncesioneve “korruptive” të Berishës (rreth 180 të tilla) ishte e pamundur. Për një kontratë të mbyllur shteti duhej të paguante shumë më tepër në arbitrazh ndërkombëtar.

Sot Rama gjendet në një situatë krejt tjetër. Ai po sulmohet nga opozita fiks për atë që vetë anatemoi kur ishte në opozitë.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa shpjegon se, “retorika politike vazhdon të mbetet njëlloj, ndërsa cilësia e qeverisjes veçse përkeqësohet”. Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Zef Preçi vëren në një analizë të tij se, “gjendja e ekonomisë dhe raportet e biznesit me qeverinë duket se kanë mbetur të njëjta në rastin e qeverisë aktuale në krahasim me qeverinë paraardhëse” “Gjatë 4-5 viteve të fundit bizneset më fitimprurëse në vendin tonë rezultojnë bizneset që operojnë në sektorët e rregulluar nga qeveria ku predominojnë koncesionet famëkëqija të tipit ‘Partneritet Publik-Privat’, lojërat e fatit, kompanitë e sigurimeve, etj. D.m.th. mbi bazën e treguesve të tillë është plotësisht i bazuar arsyetimi se oligarkia në Shqipëri është krijuar dhe po konsolidohet hap mbas hapi falë simbiozës së bizneseve të caktuara me politikën…”, thekson ndër radhë Preçi.

Në të njëjtat ujëra po noton edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Edhe ky i fundit, (ashtu si Rama para vitit 2013), është shprehur për anulim koncesionesh e deri burg për çdo biznesmen që sipas tij ka marrë pjesë në tendera publikë korruptivë.

Në një takim me gratë, ai paralajmëroi nismën ligjore. “…Shumë shpejt do të bëjmë publike edhe nismën ligjore për PPP-të, koncesionet dhe tenderat korruptivë, për konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme dhe çlirimin e ekonomisë nga paratë e krimit dhe të drogës…”. Basha flet kundër koncesioneve, kundër partnerëve publik, kundër tarifave në arsim…Krejt e kundërta e asaj që ndoqi ish-kryeministri Sali Berisha edhe pse i vetëdijshëm se kjo do t’i sillte atij kosto të madhe elektorale. Po Basha a është gati ta ndërmarrë këtë risk?

Selami Xhepa shprehet se politikisht opozita ka të drejtë, porse “mekanizmat e veprimit duhet të jenë ligjore dhe jo retorike”. “…Opozita mundet që edhe ajo vetë të kryejë hetime të thelluara dhe të bëjë analiza kosto-përfitim, që janë shumë të rëndësishme për të gjykuar mbi dobinë e projekteve koncesionare…”, vëren Xhepa.

Edhe Zef Preçi nënvizon se, “ngritja e ‘akuzave në erë’, pa trokitur në dyert e institucioneve, (ashtu siç janë: disa jashtë funksionit, gjerësisht të politizuara etj.), i shërben më shumë retorikës politike të ditës, por nuk besoj se mund të shihet nga zgjedhësit si një alternativë…”. Sipas tij, kërcënimet pa dallim nga opozita përmes artikulimeve “en block” vë edhe “shenjën e barazimit midis biznesit të ligjshëm, që paguan taksat dhe i gëzohen mundësive që krijon ekonomia kapitaliste me bizneset që lindin e pasurohen si rezultat vetëm afilacionit politik me drejtues partie në qendër apo në bashkitë e ndryshme të vendit”.(mapo)

 

1 komente në “Pse opozitat në Shqipëri sulmojnë biznesin?”

  1. Zeqo Zylyftari says:

    Sepse ska Biznes…….
    Kush është bisnes…..
    Megatek….Ulaj….Kastrati…..Dast…..Alpet…..Delta Group……Etj etj etj…
    Janë të gjitha lavatriçe HEROINE KOKAINE HASHASHI…..EVAZION FISKAL me MILIONA E MILIONA E MILIONA € në vit!!!!!
    Dhe këta bëjne sikur sulmojnë bisnesin ose sulmojnë ata që punojnë me ndershmëri…!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje