"Demokracia e sotme, sovraniteti i mangët dhe reformat me statuse Facebook-u"

24 Shtator 2018, 11:07Politika TEMA

Nga Afrim Krasniqi 

Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se “sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit” dhe se “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”.

Kushtetuta është kontrata politike midis shtetit e qytetarëve, – kaloi me referendum (drejtpërsëdrejti) më 1998, por u ndryshuar nga njëra palë (pushteti) më 2007, 2008, 2012, 2015, 2016 e pritet të ndryshojë edhe më 2018/2019. 

Ndryshimi më i madh 2008 ua mori sovranitetin qytetarëve duke krijuar parti piramidale me kryetarë të gjithëpushtetshëm, – të cilët emërojnë parlamentin, ministrat, zyrtarët politike e shtetërore, dhe vetë, as nuk zgjidhen dhe as nuk japin llogari; – si dhe më 2016 me reformën në drejtësi iniciuar e imponuar prej SHBA e BE.

Cila është demokracia e sotme përfaqësuese? Si e ushtrojnë sovranitetin? Shqipëria është vendi i vetëm shumëpartiak në botë ku qytetarët zgjedhin vetëm një individ, – kryetarin e bashkisë.

Të gjithë të tjerët, nga Presidenti tek këshilli bashkiak, “zgjidhen” indirekt, përmes “sovranitetit të deleguar”, nga partitë dhe mbi-pushteti i liderëve të tyre politikë.

Ja cila është hierarkia në RSH. Institucioni më me shumë vota zgjedhore është Avokati i Popullit dhe kreu i ILDKPI, – të tjerët në votimin e parë ose të dytë zgjidhen me 71 vota, aq sa i mjaftojnë një partie të krijojë shumicën, e vetme, me ndonjë aleat ose me ndonjë deputet të trafikuar nga partitë e tjera.

Krye-reforma pikërisht këtu duhet të ketë pikënisjen: tia kthejmë sovranitetin qytetarëve, të zgjedhin qytetarët përfaqësuesit e tyre dhe jo të votojnë formalisht listat e gatshme të 2-3 kryetarëve, të ketë garë zgjedhore dhe jo akte formale votimi, të ketë baraspeshë midis mandatit, përgjegjësive dhe legjitimitetit zgjedhor, të ketë hapje ndaj ideve dhe prurjeve cilësore dhe largim nga praktika e deritanishme e emërimeve besnike, të ketë konsensus për reforma të mëdha jo për emra miqsh të përbashkët, pra të ketë demokraci më përfaqësuese, më funksionale, më cilësore dhe më periodike në mandat drejtimi në vend të piramidës oligarkike që kemi krijuar prej vitesh në parti, në ekonomi, në shtet, në shoqëri.(ISP)

2 komente në ““Demokracia e sotme, sovraniteti i mangët dhe reformat me statuse Facebook-u””

  1. a says:

    Bravo z. Krasniqi,
    Si gjithmone shkrimet tuaja kane vlere te padiskutueshme. Ne to gjithmone ke cfare te mesosh.
    Uroj te shkruani sa me shume!

    Falemnderit

  2. katarakti says:

    I vetmi nen qe duhet ndryshuar eshte ai i ligjit te zgjedhjeve. Pra te votohet per kandidatet dhe jo per partite. Menyra e votimit te tanishem i kthen kryetaret e partive ne sulltane. Eshte marrje peng e demokracise. Kjo eshte thene dhe sterthene nga shume analiste dhe komentues. Per ndryshimin e ketij ligji jane te justifikueshme te gjitha llojet e revoltave dhe manifestimeve. Ky ligj duhet ndryshuar me hir apo me pahir. Do apo nuk do Edi Rama me shoke. Persa i takon reformes ne drejtesi, sidomos Vetingut ai ishte nje sukses dhe duhet thelluar dhe shtrire ne te gjitha qelizat e shoqerise. Nje tjeter reforme e domosdoshme eshte qe sovraniteti t’i kthehet populli dhe perfaqesuesve te zgjedhur nga ai. Pra qe fjalen e fundit dhe vendimtare ta kete parlamenti. Dhe jo Gjykata e Larte apo ajo Kushtetuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje