Pas fitores 1-2 në ndeshjen e parë, Kukësi siguroi kualifikimin duke mposhtur me rezultatin e thellë 4-1 Orikun në ndeshjen e sotme, të vlefshme për Kupën e Shqipërisë.
Sulmuesi Harba hapi serinë e golave, ndërsa më pas ishte radha e kroatit Spehar që të shënonte një tripletë, duke marrë edhe topin në shtëpi.
Skënderbeu e ktheu në stërvitore ndeshjen me koplikasit e Veleçikut, të cilët i kishte mposhtur me rezultatin 0-3 në sfidën e parë.
Mesditën e sotme në Korçë, skuadra e Shehit triumfoi me rezultatin e thellë 4-0, ndërsa golat u shënuan nga Guindo, Hoxhaj, Fili dhe Ziko.
Pas dy humbjeve radhazi në kampionat, Teuta rigjeti fitoren në Kupë përballë Turbinës, duke fituar me rezultatin 4-2, ndonëse kualifikimin e kishte siguruar që në takimin e parë, të fituar 0-3 në Cërrik.
Flamurtari i Dajës përsëriti të njëjtën fitore minimale 1-0 ndaj Shkumbinit, ashtu si edhe në Peqin dy javë më herët dhe u kualifikua për në raundin tjetër të Kupës, ndërsa Kamza u ndal nga Besa në barazim 2-2, por u kualifikua falë fitores 0-2 në Kavajë.
Kualifikim siguruan edhe dy skuadrat e tjera të Superiores, Kastrioti e Luftëtari, ndërsa Vllaznia shënoi në minutat e fundit, duke vijuar më tej aventurën në Kupë, pasi eliminoi Burrelin me rezultatin e përgjithshëm 2-1.