Histori e denjë për film. Lacio duhet të paguajë përsëri për De Vraj

26 Shtator 2018, 10:02Sport TEMA

Shumëkush akuzon Stefan De Vraj se i ka kushtuar Lacios pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, por lacialët vazhdojnë të paguajnë për mbrojtësin holandez.

Klubi nuk përfitoi asgjë nga transferimi i tij te Interi, që i rrëmbeu edhe vendin në Champions, por ndërkohë vazhdon të paguajë për transferimin e mbrojtësit disa vite më parë nga radhët e Fejenord.

Lacio e bleu për rreth 8,5 milionë euro mbrojtësin në vitin 2014 falë aftësive të Igli Tares, i cili e bindi De Vraj të shkonte në Romë, edhe pse për të interesoheshin shumë klube të tjera të njohura në Europë.

Por pagesa e kartonit të tij u bë një çështje e denjë për një film.

Kjo, pasi çeku i fundit, prej 2 milionë eurosh, nuk mbërriti asnjëherë në arkat e klubit holandez.

Për shkak të një mashtrimi të bërë nga disa hakera, kjo shumë përfundoi nga llogaria e Lacios në një tjetër dhe jo te ajo e Fejenordit, që me të drejtë kërkonte prej vitesh të paguhej.

Klubit holandez i ka dhënë të drejtë së fundmi edhe KAS i Lozanës, i cili ka urdhëruar Lacion që të paguajë pak më shumë se gjysmën e vlerës, një zgjidhje e ndërmjetme për këtë çështje.

Ndaj gjatë ditëve të fundit, Lacio ka paguar rreth 1 milion euro në arkat e holandezëve, duke shpenzuar përsëri për mbrojtësin të cilin pjesa më e madhe e tifozerisë e ka kthyer në armikun publik numër 1 dhe mezi pret rikthimin e tij si kundërshtar në “Olimpico”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje