"Xhisiela dhe e vërteta që humbi"

2 Tetor 2018, 15:31Blog TEMA

Nga Klea Petro

Në një vend ku shumë janë bërë opinionistë, pa qenë kurrë reporterë, linçimi i Xhisielës ishte deri diku i pritshëm, por jo më pak i turpshëm.

Në dy emisionet e djeshme televizive, shumë pak u përpoqën të bënin gazetarin, duke i qëndruar besnik të vërtetës apo duke raportuar të dyja anët e medaljes.

Pjesa e “luanit” nuk u interesua në asnjë moment për çfarë ka ngjarë, por duke anatemuar për së dyti 25-vjeçaren si mashtruese e disa edhe lavire, veshi petkat e prokurorit.

Gazetarë që bëjnë prokurorë, si dhe prokurorë që bëjnë gazetarë në vendin tonë nuk janë të paktë. Për një moment, duke ndjekur emisionet e djeshme dukej se ishim kthyer në kohë pas me nja 50 vite pas, kur një letër e gjimnazistëve të Lushnjes, publikuar në “Zërin e Popullit”, nisi fushatën e shkatërrimit dhe ndalimit të besimit fetar në vendin tonë.

Le të nisemi nga një premisë e thjeshtë, që e reja më ëndrrën për t’u bërë ose politikane ose gazetare në jetën e saj, është sidoqoftë viktimë.

Me gojën e saj, ajo pranoi që nuk është viktimë e një përdhunimi, por gjithsesi, një figurë e brishtë si Xhisiela, një vajzë jetime e ngatërruar në një lidhje shpërthuese, viktimë dhe fajtore njëkohësisht për pothuajse të gjithë mëkatet e Dantes, xhelozia mbi të gjitha, nuk mund të mos apelojë empatinë e secilit prej nesh.

Dikush shkruante sot se të gjithë dolën të fituar nga kjo mesele. Xhisiela u bë e famshme, Nuhu shkoi në azil, PD gjeti pretekst për të lëshuar një fushatë të re anti-qeveritare, ndërsa qeveria doli e larë, pasi tregoi se policia kishte bërë deri në fund detyrën e saj.

E humbur ama doli e vërteta!

Nuk ka dyshim se shumë të vërteta nuk do t’i njohim dot kurrë dhe me shumë gjasa, ato do të mbesin përgjithmonë pronë e Xhisit.

Por, thënë të gjitha, ajo që ndodhi dje në televizoret shqiptare ishte përtej komikes. E vërteta që Xhisi tregoi kishte një thembër akili. Ajo i prishi skenarin shumë opinionistëve që kishin mbërritur në studio me një plan të qartë, që të ngrinin një mullar me akuza mbi djalin e deputetit dhe qeverinë.

Rënë ky skenar, këta persona kaluan njëzëri në planin B. Degjenerimin publik të vajzës, mashtrueses, lavires, frikacakes, e shumë mbiemra të tjerë me radhë.

A mos vallë këta biçim opionistësh zotërojnë monopolin e së vërtetës?

Si mundet që një person që e quan veten aq intelektual, sa që beson se është e drejta e tij hyjnore të dalë e të flasë fjalë të mençura në televizor, të shpërfillë kaq haptazi interesat e Xhisit, për t’i shërbyer atyre që i paguajnë rrogën?

Politizimi i medias është një problem i njohur në vendin tonë, por kur ky politizim, vesh këtë fytyrë çnjerëzore, ai bëhet edhe më i turpshëm.

Gazetarët prokurorë, që nxjerrin vrer dhe bëjnë propagandë televizoreve, duke shkelur me këmbë çdo të drejtë njerëzore të vajzës, janë në fakt një fyerje për të gjithë gratë, nënat apo vajzat tona.

Ajo që ndodhi dje ishte një turp! Përtej shijes që na la secilit interevista e Xhisit, trajtimi i tillë publik i një vajze të vuajtur (pavarësisht të vërtetave që vetëm ajo i di), si dhe politizimi i historisë së saj të dashurisë, e kthejnë shoqërinë tonë shumë pas në kohë.

1 komente në ““Xhisiela dhe e vërteta që humbi””

  1. Kandari (etaloni) says:

    Nga çfare ndoqa ne emision verej;
    1-Ne shume gjera vajza ishte kontradiktore dhe jo e sinqerte ,gje qe mund te tentoje te mbuloj :
    a-Krimin e djalit sipas deshmise fillestare te saj ( keq trajtimin, djegien me ciagre etje) , mbasi mund te kete presione prej botes se krimit.
    b-Budallallekun e saj , ose natyren e saj si zhvatese per te jetuar me te ardhurat e djalit, kur ai e braktisi ajo sajoi historine e saj nepermjet denoncimit.
    Personalisht mendoj qe prokuroria te hetoje me gjak te ftohte dhe me pa anshmeri ne zbardhjen e plote te se vertetes dhe vetem te se vertetes.
    -Nqs akuzat e vajzes per keq trajtim dhe djegie me cigare ( djegia me cigare mendoj se hyn ne kategorine torture) jane te verteteta , prokuroria dhe gjykata te denojne ne maksimumin qe e lejon ligji ne denimin e djalit te deputetit, duke u bere shembull edhe per te tjere politikane qe postin e marre nga votat e popullit “te squt” e marrin si nje “tapi” per ti hypur ne qafe qytetarit.
    -Nqs denoncimi i vajzes eshte bere per natyre xhelozie ,ose per natyre shfrytezimi financiar ,duke i sajuar kete histori dalit te deputetit, atehere vajza te pergjigjet deri me nje para ligjit, pamvaresishte se eshte femer.
    Ne te dyja rastet , nese denoncimi eshte i rreme apo i vertete, kemi te bejme me shkaterrimin e nje jete, me jeten e njerit prej aktoreve, atehere te dale e verteta duke u pastruar edhe shoqeria nga ngjarje te tilla te mevonshme te cilat mund te perhapen si virus.
    -Te hetohet me pergjegjesi dhe pa anesi rasti i policit gjyqesor qe ka kerkuar azil ne Zvicer.Nqs kercenimet qe ka marre jane te verteta, te vihen para ligjit dhe te ndeshkohen ne maksimumin e ligjit te gjithe personat qe kane kercenuar apo personat me pushtet qe me veprimet e tyre kane detyruar te dekurajojne punen e nje oficeri te policise duke e lene ate ne meshire te fatit apo ne meshiren e keqberesve dhe krimineleve.
    Sot aktore te kesaj drame apo komedie (nuk di cfare emri ti vendos) jane personazhet e mesiperme.Neser keto personazhe mund te zevendesohet me femijet tane.Duam shtet qe qytetarin ta trajtoj si kryeminister dhe kryeministrin si qytetare.Vetem atehere jeta jone dhe e femijeve tane do te shikohet si e mundeshme ketu ne Shqiperi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje