Në Drashovicë politika e tranzicionit duhet të ul kokën...

1 Tetor 2018, 20:31Blog TEMA
Në Drashovicë politika e tranzicionit duhet të ul kokën...

Kristo  MËRTIRI

Te Ura në Drashovicë e në tërë Labërinë, traditat e mira shekullore janë të paprekshme sot e kësaj dite. Ato prushërojnë në cdo zemër e vatër dhe nuk i cënojnë kurrë bindjet politike, të majta a të djathta qofshin. Përndryshe, nuk mund të besosh as ëngjëllin, as djallin ! Se pastaj vjen një ditë dhe dikush kërkon ta nisë historinë nga zeroja apo ta shkruajë me ndonjë penë tinëzare të kuislingëve të vjetër e të rinj të cdo pushtuesi, e aq më pak me penën zezonë të vrasësve të Dëshmorëve. Por të mos harrojmë : Në mungesë të statistikave zyrtare të asaj kohe të nëmur, Drashovica e Labëria kanë një “statistikë” të vecantë e unike, tepër origjinale dhe mbishekullore. Statistikë që nuk e zhduk dot asnjë sistem politik e suferinë historike dhe asnjë lloj fatkeqësie natyrore. Ajo kalon e sigurt, e sertë dhe e saktë si amanet i patretur e si stafetë e shenjtë brez pas brezi : Kënga Popullore ! Ashtu gojë më gojë. Zemër më zemër. Vatër më vatër. Në gëzime e derte, kudo. Një vërshim i pandalshëm që rrjedh si buronjat e maleve hijerënda dhe rrëfen bukur përmasat e dy epopeve gjithnjë krahëhapura atje në Drashovicë, te Porta e Labërisë lavdimbuluar. Erë barut e trëndelinë. Rrëfime të papërsëritshme për cdo betejë kundër pushtuesve, për cdo luftëtar atdhedashës që e merr vdekjen në sy. Një kronikë madhështore labe plot informacion, me figura bukurishumë e perla gjuhësore-letrare që nuk besoj t’i ketë vend tjetër në botë. Pa pikë uji të tepërt, fjalë të gdhendura si gurë qosheje me aq merak, mjeshtëri e dashuri njerëzore. Autobiografi që vazhdon të zilepsë të tjerët matanë detit e maleve dhe i bën nder cdo enciklopedie europiane e perëndimore. Autobiografi e shkruar me aq shume gjak e sakrifica, me dituri e mencuri natyrale, me talent të lindur natyrshëm e të rritur në male… Se Lufta e Drashovicës, vërtet filloi në 15 shtator, por mbaroi në 4 tetor 1943. Atje ku erdhën me dyfekët lidhur me gjalmë dhe luftuan “me një mbret dyzet milionë”. Dhe Vlorën e bukur në gropë nuk e lëshuan ! Selam Musai “zemër me cika” erdhi nga malet e Tepelenës “me 300 e ca komita”, vërviti gunën e dhirtë mbi telat me gjemba dhe zuri topin armik nga gryka. Dhe u bë e mbeti legjendë e gjallë trimërie e shqiptarie. Prandaj ajo kënga e famshme ka 98 vjetë që rrjedh e gurgullon nga Jugu në Veri. Në monizëm e në pluralizëm, kudo ku flitet e kuvendohet shqip…

-O miku ynë në metropol ! Ti je dhëndër në Vlorë, por aty ke edhe gjurmët e pashuara të babës tënd përballë hotel “Sazani”, ilegal bombat në trastë për Teli Ndinin me shokë…Ke 40 vjetë që nuk u ndahesh gjëmimeve të historisë sonë kapakkuqe. Si nëpër Shqipëri dhe nëpër udhët helm të kurbetit të detyruar. Se dardha bie nën dardhë. Jo të gjithë e mbajtën faqen të bardhë. Sa për Drashovicën që bie ende erë barut e trëndelinë, mos e kurse kalemin e penën në gazetë. Ajo Urë e ai Hark mesazheshumë do të flasin përjetësisht, vec të tjerave, edhe për bashkimin popullor pa dallim feje, krahine e ideje. Do të ligjërojë me dinjitet përballë Polit(h)ikës, edhe për harmoninë shoqërore e mirëkuptimin qytetar përtej bindjeve të ndryshme partiake. Ti e di mirë, në Labëri historikisht polemizojnë edhe “me majën e gjilpërës” dhe ua heqin dushkun fjalëve. Ndërsa krenarinë, dinjitetin e burrërinë nuk i blejnë e as i shesin me para të pastra apo të pista. Drashovica e rrallë, i ka zët pazaret e politikës kolltukofage, cicmicet dhe gërrvërret pa bukë. Vecse dinë të japin edhe ujë në shoshë apo me bisht të lugës !…Konkretisht, në zgjedhjet e fundit lokale, 47 fshatra dhanë një leksion jo të vogël qytetarie e demokracie për cdo parti politike e për cdo kandidat që krekoset e parfumoset nëpër istikamet e Kryetarëve në kryeqytet dhe larg njerëzisë me hallet sa një mal. Por dinë të qeshin e të tallen edhe me cdo lloj politike me paterica. Pa u lëpirë e pa u bërë sac për lakrorin e partive të mbytura nga mashtrimet e gënjeshtrat. Fjala vjen, shembulli i Bashkisë së Labëri-Selenicës(nga më të mëdhatë në vend) nuk ka nevojë për komente të tepërta. Euforia megalomane e atij mitingut në Brataj (pa kaluar as dy vjetë) u shkri si kripa në ujë ! Populli votues e me këmbët në tokë, ia dha pa pishmanllëk besimin Njeriut fjalëpakë e punëshumë dhe aspak lumë e përlumë, një djali vendi e të sprovuar disa herë në krahinë. Dhe kjo zgjedhje nuk ishte rastësi. Por nuk dimë hollësira se sa e ka mbështetur Qeveria këtë Bashki jo dosido e me halle të bartura nga e kaluara. Apo inati “rilindist” rri ndezur ende mbi kurrizin e votuesve të pafajshëm ?!…

Miqtë e mi të shumtë në Labëri, flasin kurdoherë zemërqëruar e pa maska. Por në gjoksin e Drashovicës tani sikur ka lezet më tepër se kudo ajo dekorata sipërore “Nderi i Kombit”. Në cdo shtator, patriotizmi i vërtetë aty preket në cdo grusht dheu. Ndoshta është nga trevat e rralla ku nuk gulcojnë ndarjet e përcarjet politike e partiake. Pëllëmbë e histori. Pëllëmbë e gjak. Pëllëmbë e sakrifica. C’i kanë parë sytë Lumit të Shushicës ! Që nga Kuvendi i madh ndërkrahinor me mbi 3 mijë luftëtarë (31 korrik 1911),ku kërkohej prerë një autonomi e plotë territoriale e Shqipërisë. Dhe gjer te Lufta e Vlorës(1920) dhe te Lufta e Drashovicës(1943). Tre ngjarje me kulm e themel te ky Hark i zjarrtë popullor, te kjo portë e mocme kanathapur për lule djemtë e nënave, te kjo vatër madhore atdhetarie me yll e shqiponjë krahëshkruar në krye sot e kësaj dite. (Të gjithë vlerësojnë e nderojnë daltën e Skulptorit të Popullit, gjirokastritin e mirë Muntaz Dhrami. Ndërsa unë nuk e largoj dot nga kujtesa një episod të hidhur nga fillimi rrumpallë i Pluralizmit të coroditur : Artisti i madh ishte punësuar “privatisht” në gdhendjen e pllakave e gurëve në Varrezat e Sharrës ! E kishin hedhur në rrugë ata sojsëzë që e nisën sistemin e ri politik me shkatërrime vlerash e rrëmbime hajnash nëpër trupin e drobitur të mëmëdheut. Atëhere, jo pa vështirësi, botova një shkrim të vecantë drithërues e akuzues. Po kush të dëgjonte? Fol o gur, fol o mur !…). Një fat të tillë pësuan edhe qindra djem e vajza të Labërisë, brenda e jashtë saj. Kohë e krisur dhe e vithisur ! Por gati të gjithë nuk e humbën toruan dhe as vrapuan pas berihajit pa kokë e pa këmbë. Megjithse thikat e Polit(h)ikës i provuan gjer në kockë. Një model bashkimi e harmonie vëllazërore me njeri-tjetrin. Nuk fshihen kollaj gjurmet e arta që kanë lënë të parët. Prandaj përballë Vlorës “Gjak i kulloi xhamadani/ Nuk e mori dot dushmani !”. Prandaj politika me paterica e Tranzicionit, aty duhet të ulë kokën e të reflektojë sadopak ndaj bëmave e gjëmave “antikomuniste” në tri dekada. Se populli e ka gjetur herët gjuhën e bashkimit e të mirëkuptimit. Polit(h)ika pa moral dridhet e përdridhet si sapun mbi gunë. Dhe harrojnë se “nëse lind një luftë politike, shpesh hyjnë në garë me të liqtë”. Ky postulat i lashtë duket sikur është shkruar sot e jo nga filozofi mendjendritur Aristotel. Ose ata që sundojnë pushtetin,”shumica lakmojnë fitimet më të mëdha se sa nderin”…Por Vegjëlia nuk është qorre, mban shënim e nuk harron. Përshembull, më e fundit hata ishte ajo në Resulaj të Selenicës. 8 arkivolë në një ditë !! Ngjarje që tronditi mbarë Shqipërinë, brenda e jashtë saj. Vetëm Polit(h)ikës sikur nuk i lëvizi fare qerpiku (?!). Sepse edhe turpin e ka ngrënë me bukë. Asnjë deputet e shtetar i lartë nuk u duk hic pranë fukarenjve fatkeqë. Dhe qesëndisin me të drejtë fjalimet me “Policimi në Komunitet”, policim që ka vite në drejtim të paditur. Dhe demagogjia e hipokrizia dolën lakuriq ! Vetëm dorën e ngrohtë të Bashkisë patën pranë, shpirtërisht e ekonomikisht. Plagë e madhe që thërret, kullon e ulëret thekshëm përmes kësaj katrahure morale e politike…

-A i vure re veteranët e pasardhësit që bien në gjunjë vetëm para Flamurit Kombëtar ? Pyesim kështu sepse në Drashovicë dinë të nderojnë ish luftëtarët “monumente të gjalla të historisë”. Ata nuk janë aspak të prapambetur e as “nostalgjikë” të pandreqshëm, ata mbetën idealistë të kulluar për një Botë të Re. Por edhe te kjo Urë e tek ky Hark i mrekullueshëm, bëhen copë e cikë përcartjet djallëzore e antishqiptare mbi Luftën e shenjtë ANC, përcartje që herë pas here helmatisin si nepërkat nën gur disa ekrane e gazeta me kartat e djegura të “luftës civile” e të “antikomunizmit” kallpazan. Boll i kanë lënduar veteranët e pasardhësit ! Zemra e tyre rënkon thellë e më thellë kur shikojnë e dëgjojnë sulmet donkishoteske mbi të vërtetat historike apo vrapin cmendurak të qeverive për të dhënë fonde të posacme në “rehabilitimin” e disa figurave tepër të errëta. Dhe ky lëngim rëndohet më tej, sidomos kur veprimet kryhen nën qeverisjen e ashtuquajtur të majtë(?!). Hipokrizi e burracakëri e pështirë që hedh pas krahëve ringritjen e muzeve, të lapidarëve të Lirisë, bustet e monumentet heroike etj. Ashtu sic i mbrojnë në Drashovicë. Sepse  shkatërrime e veprime të tilla mesjetare, në fund të fundit, tregojnë ashiqare përgatitjen e një neodiktature…

Shembulli i këtij thesari Lirie e Demokracie të vërtetë në Drashovicë e gjithë Labërinë, do frymëzojë gjatë në histori e në cdo sistem politik. Sepse mbi të gjitha, bijat dhe bijtë e kësaj krahine stërralli, askush nuk i kthen dot “në mish për topat e luftës politike”! Kjo pasqyrë karakteri e dinjiteti shkëlqen edhe në Festivalet e tyre folklorike, atje, nën Harkun e lidhur fort te dy brigjet e dy luftrave epope. Sepse “Përshtypja që del prej këngës labe, është mall i ashpër dhe shpirt heroik…Këngët më të dashura të tyre janë këngë trimash, të cilat mund të lindin me shpejtësi të cuditshme”. Këtë nuk e them unë, e ka thënë akademiku i pavdekshëm Eqerem Cabej. Janë copëza të ndritura historie. Sic i kanë dalë popullit nga zemra e goja ! Ndonëse mund të gjesh edhe “lisa të përzhitur nga rrufetë”. Vecse kurdoherë të lira e sovrane. Si Drashovica jonë, që i rri larg Polit(h)ikës me paterica moniste e pluraliste…

3 komente në “Në Drashovicë politika e tranzicionit duhet të ul kokën…”

  1. Perlati says:

    E lexova me endje shkrimin per Drashovicen. Hallall pena o gazetar.

  2. Griselda says:

    Edhe une te them z.Kristo Mertiri mos e kurse penen per te shkruar per historine tone, per gjuhen e bashkimit dhe te mirkuptimit te popullit tone. Kete trashegimi nuk e fshin dot politika e dites, as germuesit e plehrave qe duan te ngrene tradhtine dhe bashkpunimin me fashizmin dhe me dreqnat e te binat. Si Drashovica e Laberia ka gjithkund ne Shqiperi dhe brezat duhet me dit historine e Shqiperise dhe trashegimnine tone te vyer. Politikanet e ketij tranzicioni, te velur e te vjellur vazhdojne te mashtrojne e te mos e cajne koken per njerzit dhe hajd te kujtojne e te sjellin kete trashegimi. Faleminderit zotni.

  3. Nik says:

    Njè shkrim thumbues ndaj politikès fallco lidhur dy vjet mè par nè mitingun e bratit duke e krahasuar me festèn e 15 shtatorit tè Drashovicès e cila mbetet pèr gjith rrethin e vlorès njè takim midis brezash pa dallim tè djatht apo tè majt.
    Nè luftèn e 1920 ès stèrgjyshi mè tregonte se mbasi zbritèn nga malet e labèris nèpèrmjet lumit tè shushicès nè drashovicè u drejtuan drejt Qafès sè Koçiut me dyfeqet nè duar hyjnè duke luftuar e çliruar vlorèn.

    Tè vjen pèr tè qeshur kur kujtoj tregimet e stèrgjyshit tim i cili me thjeshtèsin e labit kujtonte se mbasi çliruan vlorèn “si shpèrblim nè atè kohè tè gjith luftètarève ju dhuruan>>Nga njè qylaf dhe 1 kile rrush<<dhe u kthyen menjèher nè malet e kurveleshit tè poshtèm sikur mos tè kishte ndodhur asgjè.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje