Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në seminarin me titull “Impakti i negociatave të anëtarësimit në punën e autoriteteve dhe ministrive relevante në një vend negociues- Mësime të nxjerra nga Republika e Kroacisë”, zhvilluar në MEPJ.
Në fjalën e tij ministri Bushati tha se Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë para perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Sipas tij, së pari duhet krijuar një narrativë pozitive kombëtare, e brendshme që mbështet përpjekjet që janë bërë dhe së dyti, nevojitet dhe një narrativë pozitive rajonale.
“Në këtë kontekst ne po punojmë dhe po përpiqemi të kemi narrativë kombëtare pozitive, sepse është shumë e rëndësishme që dhe klima politike në vend, krahas punës së administratës publike të jetë e tillë që të mundësojë arritjen e këtij objektivi kombëtar”, tha ministri Bushati.
Duke shtuar se të mësuarit nga eksperiencat më të mira kthehet në domosdoshmëri, ministri Bushati falënderoi Kroacinë për ndihmën që ka dhënë ndaj Shqipërisë, e veçanërisht ambasadori Vladimir Drobnjak, ish-kryenegociatori i Kroacisë, i cili ka ndihmuar vendin tonë duke filluar që nga përgatitjet për hartimin e përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Evropian në vitin 2009.
Aktualisht për Shqipërinë ka nisur procesi “screening” përpara hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit. Bushati tha në fjalën e tij se procesi i integrimit europian nuk ka të bëjë thjesht me disa kontakte në ministritë e linjës apo institucione të tjera, po është një proces që ka të bëjë me reformimin e plotë të të gjithë administratës publike.
“Kemi filluar procesin e “screening” për kapitullin 23. Kemi një kalendar të qartë nga ana e Komisionit Europian në këtë proces. Është shumë i rëndësishëm që krahas përgatitjes për këtë proces, angazhimet, ne të fillojmë t’i përkthejmë që tani në ligje e politika konkrete e në forcim burimesh njerëzore për të mos pritur afatin e fundit që ka lidhje me fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, tha Bushati.
Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, në fjalën e tij tha se ka ardhur koha që Shqipëria të ndërmarrë vendime strategjike të cilat do të kenë ndikim në gatishmërinë e saj për negociatat e ardhshme. Është shumë e rëndësishme gjithashtu që Shqipëria, në fazën parapërgatitore, të marrë parasysh jo vetëm rezultatet e diskutimeve që janë zhvilluar deri tani me Komisionin, por edhe përvojat e vendeve që kanë kaluar më parë këtë proces duke u fuqizuar më shumë për fazën pasardhëse.
Duke falënderuar Komisionin për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë ministri Bushati siguroi dhe njëherë angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare për të vazhduar në linjën e përcaktuar nga konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian në qershor 2018.
Ky seminar u organizua dhe financohet nga Instrumenti për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni (TAIEX) i Komisionit Evropian, në bashkëpunim me MEPJ. Qëllimi i tij është evidentimi i një sërë mësimesh të nxjerra për organizimin e brendshëm ndërministror, bazuar nga përvoja e Kroacisë, si vendi i fundit që negocioi me sukses pranimin në BE.