Me Izraelin nuk luhet vetëm për prestigj, por edhe për më shumë se 1 mln euro

13 Tetor 2018, 21:56Sport TEMA

UEFA ka vendosur që të rritë kontributin e saj financiar ndaj skuadrave pjesëmarrëse në Ligën e Kombeve, duke u garantuar të ardhura më të mëdha sesa kishte premtuar në fillim të këtij edicioni eksperimental të turneut. Më sa duket shitja e të drejtës televizive ka funksionuar, ndaj institucioni që drejton futbollin në kontinent ka bërë të ditur se ka lëvizje të ndjeshme përsa u përket fitimeve që do të kenë skuadrat.

Kësisoj, çdo skuadër pjesëmarrëse nga ato të Ligës C, ku është Shqipëria, i garantohen 1,125 milionë euro, një rritje me 375 mijë euro në krahasim me shumën që ishte caktuar fillimisht. Kurse skuadrat e Ligës D, ku është Kosova, do të përfitojnë 750 mijë euro, 250 mijë euro më shumë nga sa u ishte premtuar në fillim si fond solidariteti nga e drejta televizive dhe reklamat.

Ndërkohë, UEFA ka bërë të ditur se një shifër të tillë, e përfitojnë si bonus ato skuadra që fitojnë grupet përkatëse. Me pak fjalë, Nëse Shqipëria fiton grupin e saj, përfiton edhe 1,125 milionë euro të tjera si bonus nga UEFA. Kurse për Kosovën, fitorja e grupit do të përkthehej në 750 mijë euro të tjera në arkat e federatës. Jo keq, po të mendohet se këto muaj do të ishin kaluar duke luajtur miqësore që nuk do të sillnin fitime financiare.

Kësisoj, sfida e nesërme ndaj Izraelit do të jetë shumë e rëndësishme edhe ekonomikisht për Shqipërinë. Vetëm një rezultat pozitiv ndaj izraelitëve afron me vendin e parë në grup. Një humbje do ta bënte thuajse të pamundur vendin e parë në grup dhe mundësinë për të fituar këtë bonus të ndjeshëm ekonomik nga UEFA. (Vip Sport)

1 komente në “Me Izraelin nuk luhet vetëm për prestigj, por edhe për më shumë se 1 mln euro”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje