Jari, i përmbajtur nga gëzimi për largimin e Xhafajt

27 Tetor 2018, 18:23Antena TEMA

Një telefonatë këmbëngulëse e zgjoi sot më herët se zakonisht Jarin, duke i ndërprerë në mes një ëndërr të bukur, nga ato me kthim apo kompensim të pronave të gruas.

E hapi me bezdi telefonin, por pastaj u çel pak në fytyrë, kur mori vesh lajmin e dorëheqjes së Fatmir Xhafajt.

U ngrit me aq shpejtësi, sa e lejonte shëndeti, dhe i hodhi një vështrim të shpejtë portaleve, për të kuptuar çfarë kishte ndodhur.

Konstatoi një valë entuziasmi të demokratëve në rrjetet sociale, sikur të kishin ardhur në pushtet, dhe kjo e shqetësoi shumë, ndaj pa humbur kohë nisi të shkruante mesazhin e mëposhtëm:

“Të nderuar miq, Jari ju këshillon!

Ikja e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm është një lojë e ndyrë e Edi Ramës për t’i hedhur hi syve opozitës, ndaj mos u gëzoni para kohe, sepse nuk kemi fituar ende asgjë.

Ta harrojnë ata që mund të na fusin në zgjedhje, vetëm se janë larguar deri tani dy ministra të Brendshëm.

Kam folur këto ditë me Doktorin, sepse me Lulin nuk takohem ende, ngaqë më mban inat që nga koha e Presidencës, kur u hap llafi se mund të bëhesha kryetar i PD.

Dhe ai më garantoi që Luli nuk do të hyjë kurrë në zgjedhje pa plotësimin e këtyre kushteve:

1-Dorëheqje e parevokueshme dhe më pas arrestim dhe futje në burg e kreut të Meduzës, Edi Rama.

2-Shkarkim i menjëhershëm nga detyra dhe nisja e çështjes penale për Erion Veliajn, Taulant Ballën, Gramoz Ruçin, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn, Erion Braçen, Ditmir Bushatin, Qazim Sejdinin, Niko Peleshin, Pjerin Ndreun, Ulsi Manjën e disa eksponentëve të tjerë socialistë, emrat e të cilëve nuk po më kujtohen tani.

3-Nxjerrja jashtë ligjit e Partisë Socialiste për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe mos-lejimi i saj që të marrë pjesë në zgjedhjet politike dhe vendore, derisa kryetar PD-je të jetë Lulzim Basha.

4-Nënshkrimi dhe noterizimi i koalicionit të ëndrrave me LSI-në, pa të drejtë prishjeje për 20 vjet, në prani të Fahri Balliut, si garant i sigurtë dhe i baraz-larguar nga të dy subjektet.

5-Caktimin që tani të opozitës së nesërme, që do të përbëhet nga Partia Agrare Ambientaliste dhe nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar.

Në këtë kuadër, rikthehen termat “Duka i krimit” për Agron Dukën, dhe “karrikethyeri” për Dashamir Shehin, të cilat do t’i shoqërojnë ata gjithë kohën.

6- Në rast se edhe pas plotësimit të këtyre kushteve, PD nuk fiton prapë, është menduar edhe zgjidhja finale.

Do të miratohet rikthimi i dënimit me vdekje, siç e ka premtuar para ca ditësh Luli, dhe do të dënohet me varje Edi Rama, sepse, siç ka thënë edhe Doktori, sa të jetë ai gjallë, nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri.

Pas aplikimit të kësaj të fundit, mendoj se Luli mund t’i fitojë zgjedhjet.

Ndaj nuk duhet të gëzohemi kot para kohe, por duhet të presim ditë më të mira.

I juaji, Jari!”

2 komente në “Jari, i përmbajtur nga gëzimi për largimin e Xhafajt”

  1. GeO says:

    hahahaha me lot ?

  2. #Gopisti i NSHRAK-ut says:


    Ç’pate o Fatmir
    befas na ke ik
    Jarin na e zgjove
    nga gjum’ letargjik.
    .
    Binte telefoni
    këmbëngulte zilja
    Jari e kuptoi
    ku qëndronte hilja.
    .
    Me mundim u ngrit
    se s’e lë shëndeti
    veshur benevrekët
    si një burrë shteti.
    .
    Dorën vuri poshtë
    lagur kish ndërresat
    por PëDë e sotme
    tek ai ka shpresat.
    .
    Ndaj me kokën boshe
    nisi këshillimin
    si një S’nxënës shkolle
    qëndisi hartimin.

    Më tutje e dini
    vetë e vazhdoni
    Doni të riqeshni?
    Meron rilexoni!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje