Zgjerimi i Kupës së Botës nga 32 në 48 skuadra mund të afrohet nga viti 2026 në 2022.
Diçka e tillë është deklaruar nga presidenti i FIFA Gianni Infantino.
Vendimi është marrë për të zgjeruar turneun në vitin 2026, i cili do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë dhe Infantino tani po shqyrton të njëjtën gjë edhe për vitin 2022 – ku Kupa e Botës do të organizohet në Katar, shkruan BBC.
“Nëse është e mundur, pse jo?” tha ai.
“Ne duhet të shohim nëse është e mundur. Po diskutojmë me miqtë tanë të Katarit, po diskutojmë me miqtë tanë të shumtë në rajon dhe shpresojmë që kjo të ndodhë.
“Dhe nëse jo, ne do përpiqemi, sepse gjithnjë duhet të përpiqemi t’i bëjmë gjërat në një mënyrë më të mirë”.
Duke folur në hapjen e selisë së re të Konfederatës së Futbollit të Azisë në Kuala Lumpur, Infantino përsëriti edhe planet e tij për zgjerimin e Kupës Botërore të Klubeve. (TemA)