Sezoni i çuditshëm i Etrit Berishës, një duel pa fund në Bergamo

31 Tetor 2018, 11:45Sport TEMA

Zakonisht porta është reparti ku trajnerët kanë më pak probleme, sepse gjejnë një titullar fiks dhe në stol qëndron ose një veteran që pranon qetësisht të qenit rezervë, ose një djalë i ri që pret qetësisht ato pak raste që i jepen për të luajtur.

Megjithatë, disa trajnerë kanë prishur traditën, sepse po përforcohet gjithnjë e më shumë ideja që çdo portier, sado i mirë, ka nevojë për një konkurrent cilësor në portë, për të mbajtur lart pëqendrimin dhe për t’u përmirësuar gjithnjë.

Casillas e Lopez te Reali para pak vitesh, Courtois e Navas këtë sezon, Szczesny e Perin te Juventusi, Buffon e Areola te PSG dhe… Berisha e Gollini tek Atalanta. Trajneri Gasperini këtë sezon ka ndryshuar praktikën e punës, sepse nuk ka më një portier titullar, por dy të tillë, dhe Gazzetta dello Sport i krahason duke u bazuar edhe te statistikat sezonale.

HIERARKI – Gollini është tek Atalanta prej janarit 2017, pas 20 ndeshjesh tek Aston Villa, ndërsa në Bergamo në ato muaj luajti 4 ndeshje dhe pësoi vetëm një gol. Sezonin e shkuar 7 ndeshje e 4 gola të pësuar në Serinë A, 1 ndeshje e një gol në kupë, ndërsa sot ka kaluar në avantazh: 7 ndeshje në kampionat e 4 në Europa League, me 12 gola të pësuar, kundrejt 3 ndeshjeve në kampionat e 2 në Europë për Berishën, i cili ka pësuar 3 gola.

Portieri i kombëtares sonë ka rënie në krahasim me sezonet e fundit, kur ishte gjithnjë titullar: 27 ndeshje në sezonin 2016­17, plot 42 ndeshje në sezonin 2017­18. Tashmë situata është përmbysur dhe që në 19 gusht Gasperini e tregoi qartë rrugën: “Nesër luan Gollini, më pas të shohim…”. Habi tek të gjithë, edhe tek Berisha, i cili u përfol edhe për largim, por nuk u gjet sistemimi i duhur dhe Berisha tashmë ka nisur duelin personal për një vend në formacionin e skuadrës nga Bergamo.

ME KËMBË – Gollini është më i rëndë fizikisht (188cm e 94kg, kundrejt 194 cm e 90 kg të Berishës), është i shkathët, i zoti me këmbë dhe ka personalitet në portë. Këto janë cilësitë e tij, ndërsa difektet janë topat e gjatë, sepse vetëm 48 topa të gjatë nga 98 të tillë kanë mbërritur në destinacion. Edhe Berisha nuk shkëlqen në këtë aspekt, me 29 topa të gjatë të saktë në 42.

Të dy janë më të zotë në pasimet e shkurtra drejt mbrojtësve, sepse janë mbi mesataren e Serisë A, me 18-19 pasime të sakta për ndeshje dhe kështu shpjegohet pse luajnë shumë me topin, por shumë rrallë tentojnë topin e gjatë drejt sulmit (vetëm një herë secili këtë sezon).

AJRI – Edhe në ajër Gollini e Berisha kanë difekte. Asnjëri prej tyre nuk e zotëron plotësisht zonën dhe daljet nuk i preferojnë shumë. Zakonisht të dy portierët qëndrojnë shumë pranë vijës së portës dhe nuk e kalojnë shpesh pikën e 11-metërshit.

Edhe në dalje ka probleme, sidomos Gollini, i cili nuk del fare. Asnjë top i mbërthyer në ajër gjatë krosimeve, vetëm një largim topi me grusht. Më guximtar Berisha, me 2 kapje topi dhe tre grushtime. Pikërisht ndërhyrja në zonë, kur gjithë lojtarët janë aty, e dallon një portier normal nga një portier i shkëlqyer, sepse pak portierë dalin rregullisht dhe në mënyrën e duhur.

Për sa u përket gjuajtjeve në portë, Gollini i Berisha janë në rregull: Gollini ka pësuar gol në 11 gjuajtje nga 69 që i kanë shkuar drejt portës, që do të thotë se ka pritur 60,71%. Përqindje e mirë edhe për Berishën, që ka pësuar vetëm një gol me goditje dënimi, nga 17 goditje që i kanë shkuar në kuadrat, duke pasur një përqindje të lartë pritjesh, 83,33%.

DUEL I HAPUR – Pas ndeshjeve në Cagliari e Torino, Berisha rifitoi vendin në formacion të shtunën e shkuar. Rast i shfrytëzuar më së miri, sepse Atalanta fitoi pastër dhe Berisha ishte gati në rastin e vetëm të rrezikshëm që krijoi Parma, duke asdministruar shumë qetë ndeshjen. Të dielën Atalanta luan në Bologna, askush nuk di ta thotë me siguri cili do jetë në portë. Berisha kërkon konfirmimin, Gollini dëshiron të luajë në qytetin e tij.

Gara është e hapur, pa armiqësi e qejfmbetje, sepse Gasperini nuk ka të preferuar dhe konkurrenca është e ndershme, kush e meriton luan. Nëse pastaj Berisha nuk e pëlqen këtë rotacion konstant, është problem tjetër, merkatoja e janarit po afron. (Telesport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje