Publikohet ftesa e rrallë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që mban datën 26 tetor 1964, drejtuar Fakultetit të Gjuhë-Letërsi Angleze të Univesitetit Shtetëror të Tiranës, ku i ftonte studentët e tij që të merrnin pjesë dhe të diskutonin në “mbledhjen” e promovimit të romanit të shkrimtarit të njohur, ku diskutimin kryesor do e mbante kritiku Kudret Velça dhe si oponent i tij, Trim Gjata
Nga Dashnor Kaloçi
Plot 54 vjet më parë, pikërisht më 26 tetor të vitit 1964, në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë, u diskutua (një farë promovimi) romani i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i cili asokohe ishte vetëm 28 vjeç dhe prej tre vitesh ishte kthyer nga studimet e kryera në Moskë pranë Institutit “Gorki”. Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga një ftesë e cila asokohe i drejtohej Fakultetit të Gjuhë-Letërsisë Angleze pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, nga ana Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (Komisjoni i Prozës), që ishte edhe organizatorja e atij aktiviteti.
Ftesa në fjalë e cila është firmosur nga Foto Stamo (të paktën kështu duket nga firma) në vënd të Kryetarit të Lidhjes, Dhimitër Shuteriqit, u drejtohej studentëve të atij fakulteti, madje duke u bërë thirrje atyre që jo vetëm të ishin të pranishëm në atë “mbledhje”, por edhe mund të diskutonin për librin e shkrimtarit Ismail Kadare. Ku diskutimi kryesore do të mbahej nga kritiku i njohur letrar, Kudert Velça dhe si oponent, do të ishte Trim Gjata, kritik dhe shkrimtar i njohur gjithashtu. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e kryeveprave të letërsisë botërore, edhe romani i Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e merrte spunton dhe bazohej mbi një ngjarje reale, e cila natyrisht ishte futur dhe kalonte nëpër “laboratorin krijues” të shkrimtarit dhe fantazisë së tij.
Pikërisht në atë kohë, diku aty nga fillimi i vitit 1961, në bazë të një marrëveshje në mes Tiranës zyrtare dhe qeverisë italiane, (e nënshkruar në fundin e viteve ’50-të), kishte mbërritur në kryeqytetin shqiptar, gjenerali italian, Domeniko Bandini, me një misionin tepër human: për të kërkuar dhe mbledhur eshtrat e ushtarakëve italianë të rënë gjatë Luftës së Dytë Boterore në Shqipëri. Kështu, pas mbërritjes në Shqipëri, gjenerali italian në pension (asokohe 68-vjeçar), ishte akomoduar në hotel “Dajti” i cili asokohe dhe për shumë vjet me rradhë, madje deri në shëmbjen e regjimit komunist, do të ishte “streha” e vetme për të huajt që vinin në Shqipëri.
Por gjeneral Bandini që shoqërohej nga një oficer i Ministrisë së Punëve të Brendëshme, (i kamufluar si diplomat i Ministrisë së Punëve të Jashtëme), gjatë asaj periudhe kohe që qëndroi në Shqipëri për të përmbushur misionin e tij, herë pas here lëvizte edhe nëpër rrethe të tjera, kryesisht në Jug të vëndit, gjithnjë në kërkim të eshtrave të ushtarakëve italianë të rënë në Shqipëri. Por baza e akomodimit të tij, ishte Hotel “Dajti”, ku ai qëndronte nën shoqërinë e përkthyesit të tij shqiptar, Dodë Përgjinit, me origjinë nga Mirdita dhe një njohës i shkëlqyer i gjuhës italiane, i cili frekunetonte gjithashtu edhe mjediset e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku thuhet se edhe shkrimtari Ismail Kadare mësoi nga ai rreth misionit të gjeneralit Italian, prej nga dhe mori spunton për të shkruar romanin. Por, fillimisht, Kadare shkroi një tregim të shkurtër të cilin në vitin 1962 ia dërgoi Kinistudios “Shqipëria e Re”, si “subjekt skenari”, duke kërkuar leje krijuese për ta kthyer atë në një skenar filmi, leje e cila nuk iu aprovua në atë kohë, edhe pse nëndrejtori i atij institucioni, Niko Koleka, në letrën që i drejtonte Komitetit Qëndror, nuk ishte kundër aprovimit të asaj kërkese (shiko “Kadare e denoncuar”, Botim i UET PRESS, viti 2015, kapitulli i I-rë, fq.22).
Dy vjet më pas, Kadare e përfundoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili iu nënshtrua diskutimit në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku sipas ftesës së sipërcituar, diskutimi kryesor i ishte ngarkuar kritikut të njohur, Kudert Velça, ndërsa oponenca, Trim Gjatës. Nuk dihet, apo më saktë nuk kemi informacionin e nevojshëm se si u prit “Gjenerali…” i Kadaresë nga kolegët e tij në diskutimin në Klubin e Lidhjes dhe si e çfarë është folur aty, por po të kemi parsysh dokumentet arkivore që tashmë janë bërë publike (shiko “Kadare i denoncuar” dhe “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Endrrave”), ndaj tij pati kritika dhe akuza të ashpra. Duke filluar nga oponenti “zyrtar” Trim Gjata dhe deri tek kolegët e tij shkrimtarë, emra dhe autorë mjaft të njohur, me të cilët Kadare kishte shumë miqësi. Kritikat ndaj “Gjeneralit…” filluan të shtohen dhe arritën kulmin kur ai roman u përkthye dhe u botua në Francë në vitin 1972, gjë e cila si duket zgjoi dhe ndezi xhelozinë e kolegëve të tij, si p.sh., Gjergj Zheji, Fatmir Gjata, Luan Qafzezi, Nonda Bulka etj, etj, të cilët diku hapur dhe diku nën zë, midis të tjerash pëshpërisnin: “Ti në kritikën tënde ke vënë pak gjëra, Ismaili ka një thes me të meta”, “Borgjezia e përktheu dhe e botoi këtë vepër”, “Gabim që i çmojnë veprat tona nga Franca, ato duhen çmuar nga vatrat revolucionare te botës”, “Kot i bien në qafë konservatorizmit, asnjë vepër nuk është ndaluar si ato moderniste”, “Drama e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka dështuar qysh në shfaqjen e premierës”, etj etj (shiko “Kadare i denoncuar, kapitulli i XVIII-të, fq. 160-175, raport i drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, Raqi Iftica, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së).
Por edhe pse asokohe Kadare u bë “objekt qitje” nga kolegët e tij për “Gjeneralin…”, ai roman pati një sukses të jashtëzakonshëm pas botimit në Francë, duke e bërë shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare një emër të njohur në botën e letrave edhe në Evropë e më gjërë. Nisur nga kjo, asokohe disa shoqëri filmike franceze menjëherë shfrytëzuan rastin duke kërkuar te pala shqiptare ekranizimin e atij romani në një film.
Por edhe pse u lidh një kontratë për ekranizimin e atij romani, ajo u zvarrit për arsye nga më të ndryshmet, deri sa problemi shkoi në gjyq dhe kontrata u zgjidh diku aty nga viti 1980. Por menjëherë pas kësaj, një tjetër shoqëri franceze, “FILMS 66” ‘Avenue Mac-Mahon’ 75017 Paris”, e përfaqësuar nga aktori dhe regjizori i famshëm Michel Piçoli, nëshkroi një kontratë me palën shqiptare, për ekranizimin e “Gjeneralit…”, ku një pjesë e xhirimeve do të bëheshin në Shqipëri dhe ku rolin kryesor do ta interpretonte aktori i njohur, Marchello Mastrojani.
Por ashtu si tentative e parë, edhe kjo kontratë dështoi për fajet e palës shqiptare, të cilët i zvarritën grupin e kineastëve italo-francezë, me arsye banale nga më të ndryshmet deri sa “ua nxinë jetën” atyre, duke mos u dhënë viza hyrse për në Shqipëri dhe i detyruan ata që të tërhiqen nga projekti për xhirimet e filmit në Shqipëri, dhe ta zhvendosnin atë diku në Jug të Italisë ku dhe u xhirua ai film. Këto ishin vetëm një pjesë e peripecive që e ndoqën “Gjeneralin…” e Kadaresë, pas atij diskutimi që u mbajt në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, plot 54 vjet më parë, më 26 tetorin e vitit 1964.