Durrësi duhet të mbrojë jo vetëm detin, por edhe ambientin         

2 Nëntor 2018, 14:56Sociale TEMA
Durrësi duhet të mbrojë jo vetëm detin, por edhe

 

 

Në kuadër të realizmit të projektit AMBIENT I PASTËR, KULTURË DHE QYTETËRIM, mbështetur nga AMSHC, Qendra “Shqipëria Europiane” organizoi takimin rajonal informues dhe sensibilizues me autoritetet vendore, aktorë të dalluar të shoqërisë civile, pedagogë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të qytetit të Durrësit.

Ky projekt, adreson një  problem të mprehtë me të cilin përballet vendi, që është përmirësimi i imazhit të Shqipërisë. Rritja e turizmit vitet e fundit dhe ndryshimi i imazhit të Shqipërisë në botë, ka nevojë të promovohet më tej dhe të gjithë duhet të binden se vetëm një ambient i pastër, kultura dhe qytetërimi do ta bëjnë jetën tonë më të mirë dhe do të rrisin interesin e turistëve që të zgjedhin Shqipërinë si itinerar udhëtimesh.

Nga ana tjetër, qytetarët e Durrësit duhet të vetëdijësohen për nevojën e një ambienti të pastër që të plotësohet me një ambient kulturor të pasur dhe të rrezatojë qytetërim. Kështu mund të përmirësohet cilësia e jetës dhe të ridimensionohet habitati si përmasë e jetës këtu.

Duke qenë se aktorët vendorë, si universitetet, mediat lokale dhe komuniteti kanë rolin e tyre dhe duhet të japin ndihmesën dhe mbështetjen totale për zbatimin me sukses të kësaj nisme, në Durrës u organizua takimi i radhës dhe u synua që të me anë të kësaj nisme të rritet pesha e tyre në sensibilizimin e opinionit për të krijuar një klimë pozitive për këtë nismë duke nxitur vullnetarizmin.

Ky projekt, u tha në takim, synon të bëhet një zëdhënës i mbështetjes së kësaj nisme në komunitetet vendore duke u mbështetur sidomos te aktorët me peshë të këtij komuniteti që janë veçanërisht ambientet e universiteteve kombëtare.

Prefekti i Durrësit, zoti Roland Nasto, u ndal në problematikat me të cilat po ndeshet rajoni i Durrësit sa i takon përpunimit të mbetjeve urbane. Siç dihet, prej disa vitesh, është bërë gangrenë grumbullimi dhe trajtimi i mbetjeve në vendin e quajtur « Porto Romano ». Qeveria, tha ai, po punon që të gjendet një alternativë tjetër për trajtimin e mbetjeve të rajonit të Durrësit.

Gazetarët që morën pjesë në këtë veprimtari si Artur Llana, botues i « Bulevard », poeti Aqif Hysa etj., ngritën shqetësimin se qyteti i Durrësit duhet të ketë një qasje më të gjerë sa i takon ambientit, kulturës dhe qytetërimit. Ata theksuan se një nevojë urgjente është edhe sensibilizimi i opinionit për gjendjen e ujërave dhe të detit në këtë qytet. Megjithë investimet e bëra, përsëri, një pjesë ujërash të zeza derdhen në Adriatik, ndërsa gjendja e Portit të Durrësit dhe ndotja që shkaktohet për shkak të trafikut të mjeteve motorrike në det, është një problem për të cilin jo vetëm që nuk ka informacion, por, edhe nëse botohet ndonjë studim i pjesshëm, ai nuk arrin të sensibilizojë ashtu si duhet opinionin.

Qyteti i Durrësit është bërë një qendër e rëndësishme urbane e zhvillimit. Universiteti i këtij qyteti me departamentin e mjedisit dhe Zyra Rajonale e Mjedisit mund të jenë më aktivë dhe mund të ndërmarrin studime dhe nisma që të krijojnë një mjedis të favorvshëm që nxit ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit. Pedagogu i universitetit të Durrësit, Indrit Bami, në ndërhyrjen e tij solli të dhëna interesante për nivelin e ndotjes në qytetin e Durrësit dhe tha se qyteti ka nevojë të menaxhojë më mirë ndotjen për shkak të grimcave të pluhurit që vijnë nga ndërtimet dhe institucionet përkatëse duhet të kujdesen për kufizimin e qarkullimit të mjeteve në hapësirën e ngushtë të qytetit të Durrësit, sepse çlirimi i grimcave të CO2, në shumë raste, është mbi normat e lejuara.

 

1 komente në “Durrësi duhet të mbrojë jo vetëm detin, por edhe ambientin         ”

  1. Deri sa te jet Dako ne bashki, ne Durres do ket vetem beton dhe plehra….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje