Nga Guy Chazan – Foreign Policy
Largimi i pritshëm i Angela Merkelit si lidere e CDU-së i hap rrugë rikthimit të një emri jo fort të dëgjuar kohët e fundit në politikën gjermane, por padyshim jo i panjohur. Friedrich Merz mbajti këtë javë një konferencë shtypi që elektrizoi establishmentin politik në Berlin. Merz mund të shndërrohet në një nga figurat politike me peshë që rikthehen në politikën gjermane.
Para mediave, ai nuk ngurroi të hidhte “gurin” e parë në drejtim të Merkelit. Merz tha se CDU-së i duhet një fillim i ri dhe ai vetë mund ta bëjë këtë të mundur. Partia duhet të qartësojë atë që e karakterizon, të përforcojë profilin dhe t’u hapë derën për të pakënaqurit që kanë lëvizur drejt AfD-së (Aleanca për Gjermaninë – parti e ekstremit të djathtë).
“Nuk mund të lejojmë që votuesit, të frustruar e të zhgënjyer nga partitë e vjetra, të shkojnë pas lëvizjeve populiste. Anëtarët e CDU-së dhe votuesit presin të shohin një perspektivë të qartë në këtë kohë ndryshimesh radikale”, tha Merz.
Pas pesë javësh, 1001 delegatë do të mblidhen në një konferencë të CDU-së në Hamburg për të zgjedhur liderin e ri të partisë. Merz është njëri prej kandidatëve dhe ka shanse serioze për t’u zgjedhur.
Nëse kjo ndodh, zgjedhja e tij do të shënonte një pikë kthese në një nga partitë më të suksesshme të qendrës së djathtë në Europë. Si një konservator me qëndrime të forta lidhur me emigracionin dhe identitetin kombëtar, Merz mund ta çojë CDU-në në një drejtim tjetër, çka mund të ndryshojë dinamikat politike në Gjermani dhe për shkak të rolit të saj të rëndësishëm, edhe në Europë.
Ajo që i jep më shumë rëndësi rikthimit të Merz është identiteti i gruas që e pengoi karrierën e tij 16 vjet më parë: Angela Merkel. Ishte ajo që e largoi nga posti i kreut të grupit CDU në Bundestag dhe lider i opozitës. Shtatë vjet më vonë, ai u largua nga parlamenti dhe iu përkushtua biznesit.
Fitorja e Merzit do të shkaktonte një tërmet politik në Berlin. Merkel, e cila njoftoi të hënën se po largohet si udhëheqëse e parties, pasi CDU mori rezultatin më të keq të 50 viteve të fundit në shtetin perëndimor të Hesse-it, tha se ajo dëshiron të mbetet kancelare deri në vitin 2021. Por për shumicën është e pakonceptueshme se si ajo mund të rrijë në pushtet, ndërkohë që kundërshtari i dikurshëm është kreu i partisë CDU.
“Konflikti mes të dyve do të ishte gjëja më e pritshme”, thotë Dorothée de Nève, politologe në Justus Liebig University Giessen. “Për këtë arsye, unë dyshoj nëse një shumicë e delegatëve të CDU-së do ta mbështesë atë për udhëheqës të partisë”.
Në vend të tij, ata mund të preferojnë Annegret Kramp-Karrenbauer, sekretare e përgjithshme e CDU, e cila është besnike e Merkelit dhe ka të ngjarë të jetë në gjendje të krijojë një marrëdhënie efektive pune me kancelaren.
Avokat në profesion, Merz e ka nisur karrierën e tij politike si anëtar i Parlamentit Europian dhe u zgjodh në Bundestag në vitin 1994. Ai u ngrit shumë shpejt në karrierë duke u bërë një nga zëdhënësit kryesorë të CDU-së për çështjet financiare.
Me qëndrimin e tij të famshëm për taksat, ai fitoi reputacion si një liberal ekonomik dhe reformator. Vëzhguesit politikë e kujtojnë atë si orator të shkëlqyer, përballjet e të cilit me ministrin e atëhershëm socialdemokrat të Financave, Oskar Lafontaine, ishin legjendare.
“Ato ishin disa nga debatet më të mira në historinë e Bundestagut”, thotë Peter Siebenmorgen, autor i një libri të ri mbi CDU. “Mënyra se si ai mposhti kundërshtarin më të rrezikshëm të kristiandemokratëve i impresionoi shumë deputetët e CDU-së. Atje Merz nisi të ndërtonte mitin e vet”.
Ky mit erdhi duke u rritur deri në momentin që “iu pre koka”. Frankfurter Allgemeine Zeitung i referohet atij si “James Dean” i politikës gjermane, aktori i famshëm i Hollivudit që vdiq në moshë të re pa arritur të shndërrohet në yll ndërkombëtar.
“Merz përfaqëson një kohë në të cilën bota e CDU ishte ende në rregull, kur nuk kishte AfD dhe rreth 40 për qind e votave ishte para syve”, tha ajo.
Ai vjen nga një epokë, gjatë të cilës CDU ishte një parti më e fuqishme konservatore. Në vitin 2000, ai shpiku fjalën “Leitkultur”, ose kulturën dominuese gjermane, të cilën ai tha se emigrantët e kishin të detyruar ta përqafonin. Është një ide që ka përjetuar një ringjallje të madhe në të djathtë pas krizës së refugjatëve të viteve 2015-16, që çoi në Gjermani më shumë se 1 milion migrantë.
Këto pikëpamje shoqërore konservatore u shfaqën sërish këtë javë në Berlin. “Në kohët e migrimit dhe globalizimit, identiteti kombëtar dhe vlerat tradicionale duhet të kenë një vend të fortë në mendimet dhe veprimet tona”, u tha Merz gazetarëve.
I zhgënjyer me drejtimin e CDU-së nga Merkeli, të cilën shumë tradicionalistë e akuzojnë se po e çon partinë drejt qendrës së politikës gjermane, Merz u largua nga Bundestagu në vitin 2009 dhe iu rikthye karrierës së tij si avokat.
Ai drejtoi “Atlantic Bridge”, një organizatë joqeveritare që promovon lidhje më të ngushta midis SHBA-ve dhe Gjermanisë dhe më vonë u bë kryetar i “BlackRock Germany”, një detyrë që e ktheu në milioner.
Kjo mund të jetë një sfidë, pasi gjermanët janë më pak tolerues se amerikanët ndaj politikanëve që kalojnë në botën e biznesit dhe kthehen sërish në politikë.
Megjithatë, pyetja gati në gojën e çdo gazetari nuk ka të bëjë me karrierën e tij në biznes, por me marrëdhënien e tij të ardhshme me zonjën Merkel, nëse zgjidhet kryetar i partisë.
Ai ka thënë se të dy do të gjejnë një mënyrë për të punuar së bashku. “Jam shumë i bindur se Angela Merkel dhe unë do ta gjejmë gjuhën me njëri-tjetrin dhe do të jemi në gjendje të përballemi në këto kushte të reja”, është shprehur ai. Për shumë vëzhgues në Berlin, kjo tingëllon si një shpresë e devotshme.(TemA TV)