Mbrëmjen e kaluar çeli siparin edicioni i 16-të i Tirana International Film Festival 2018. Ceremonia hapëse e organizuar në Kinema Millenium bëri bashkë kineastë vendas e të huaj, aktorë, regjisorë dhe njerëz të njohur të skenës.
Në fjalën përshëndetëse, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi dy momente të veçanta: Programin KIDS, i cili do të sjellë në kryeqytet filma vizatimorë për fëmijë, si dhe çmimin e fituar nga filmi ‘Delegacioni’.
“Ministria e Kulturës për të pestin vit është pjesë e aktivitetit më të rëndësishëm siç është TIFF. Dua të sjell në vëmendje programin KIDS, i cili do të sjellë në këtë edicion në kryeqytet një program të pasur të filmave vizatimorë për fëmijë. Edukimi përmes Kulturës është një nga progranet e rëndësishme të ministrisë për të edukuar spektatorin e së nesërmes.
Të bashkojmë forcat të gjithë së bashku për ta realizuar në ndihmë të kulturës. Nuk mund të rri pa përmendur një tjetër ngjarje në këtë festival, premierën e filmit “Delegacioni”, iniciuar nga Artan Minarolli dhe realizuar nga Bujar Alimani, i sapo kurorëzuar me Grand Prix në Festivalin e Varshavës.. Suksese TIFF!”- u shpreh ministrja Kumbaro.
Programi KIDS shfaqet në Teatrin e Kukullave, duke filluar dita e shtunë, datë 3 nëntor deri më datë 9 nëntor, ora 10:30, ku do të shfaqen filma të ndryshëm për. Sa i përket Tirana International Film Festival, këtë vit ky festival ka bërë bashkë 127 produksione, ku filmi më i mirë me metrazh të shkurtër do të ketë mundësinë të konkurojë në “Oscar”. Edicioni i 16-të nisi me një nga produksionet më të arrira të kinematografisë botërore.
“Na ishte një herë Amerika”, filmi i famshëm i Sergio Leones me protagonist Robert de Niron, erdhi në këtë festival në një version të përmirësuar.