Në vitin 2016, kur FIFA dhe UEFA ishin në krizë lidershipi për shkak të akuzave për korrupsion, disa nga klubet më të mëdha evropiane filluan të planifikonin organizimin e një lige të re, Super League, duke e krijuar kështu mundësinë për të mos garuar më në liga vendore, por edhe në Champions League.
Këtë muaj, klubet më të suksesshme të Evropës kishin planifikuar të mblidheshin dhe të diskutonin organizmin e kësaj lige. Themeluesit e Super League konsiderohen: Real Madridi, Barcelona, Manchester United, Bayern Munich, Juventus, Chelsea, Arsenal, Paris Saint-Germain, Manchester City, Liverpool dhe Milan.
Në anën tjetër, si të ftuar të kësaj lige konsiderohen: Atletico Madridi, Borussia Dortmundi, Marseille, Inter dhe Roma. Kësaj liste, themeluesit planifikojnë të shtonin edhe dy klube të tjera, njëra nga Portugalia, Rusia, Holanda ose Turqia.
Në këtë ligë, themeluesit i referohen vetes si “Partitë”, ndërsa individualisht secila prej tyre do të njihej me nofkën “Partia”. Ndërsa, klubet e tjera do të referoheshin me emrin mysafir. Liga planifikohej të zgjatë 34 javë, me ndeshje të martën, të mërkurën edhe të shtunën. Në fund të çdo sezoni, të gjitha klubet do të shkonin në play-offs për t’u shpallur kampioni.
Ky dokument, i publikuar nga gazeta gjermane Der Spiegel, thuhet se i ishte dërguar Real Madridit vetëm para disa ditëve, dhe klubet e mëdha evropiane planifikonin të takoheshin së shpejti për të nënshkruar dokumentin për themelimin e Super League, e cila do të fillonte në sezonin 2021.
Megjithatë, Bayern Munich i ka mohuar këto akuza përmes një deklarate zyrtare për mediat. “Bayerni nuk është në dijeni për të ashtuquajturën Super Ligë, për të cilën është raportuar nga ‘Der Spiegel’, dhe Bayerni as nuk ka marrë pjesë në negociatat lidhur me një plan të tillë.
Bayerni nuk është në dijeni pse është përfshirë në një dokument për këtë gjë, të publikuar nga ‘Der Spiegel’”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga llogaria zyrtare e kampionit gjerman.
Edhe shefi i këtij klubi, Karl-Heinz Rummenigge, i ka mohuar këto akuza duke thënë: “Bayerni i qëndron besnik anëtarësisë në Bundesligë dhe për aq kohë sa unë do të jem drejtues i këtij klubi, në do të garojmë në turnetë e organizuar nga UEFA dhe ECA”.