FIFA ka reaguar pas dokumentave të publikuar nga Football Leaks, në lidhje me mënyrën se si është menaxhuar Fair Play Financiar ndaj Manchester City-t dhe Paris Saint Germain.
Sipas investigimit të mbi 70 milionë dokumenteve të analizuara përgjatë 8 muajve nga 80 gazetarë nga anëtarët e “Bashkëpunëtorët Investigativë Evropianë” (EIC), UEFA ndihmoi me vetëdije klubet që të mbulonin parregullsitë e tyre për “arsye politike”.
FIFA ka reaguar, veçanërisht për shkak se në qendër të shumë prej këtyre ngjarjeve është Gianni Infantino, presidenti aktual i Shoqatës Botërore të Futbollit dhe në atë kohë në krahun e djathtë të UEFA-s Mishel Platini.
“Ne jemi në dijeni për artikujt e ndryshëm të publikuar për FIFA-n.
Katër javë më parë, një grup i gazetarëve dërguan qindra pyetje te FIFA, bazuar në mesazhet elektronike private, dhe informata të tjera që janë marrë ilegalisht nga një palë e tretë.
Përkundër faktit që ne u jemi përgjigjur pyetjeve të tyre në mënyrë të ndershme, e disa media vendosën që të na injorojnë shumicën e përgjigjeve tona, dhe për t’i shtrembëruar ato në mënyrë që ta njollosin FIFA-n, dhe për t’i keqinformuar lexuesit e tyre. Kjo është më se e qartë.
Që nga ardhja e drejtuesve të ri, FIFA ka bërë ndryshime. Është dashur të ketë ndryshime, dhe ne jemi krenar për këtë. Siç dihet, FIFA ka qenë në situatë dëshpëruese në vitin 2015, dhe është dashur që të ringjallet nga neglizhenca dhe keqmenaxhimi në dekadat e fundit.
Jemi në dijeni që ka njerëz, të cilët nga mllefi i tyre dëshirojnë të japin informacione false për interesa të tyre personale.
FIFA i mirëpret hulumtimet e ndershme dhe të sinqerta. Ne kërkojmë nga gazetarët që të jenë të drejtë në lidhje me punën tonë që po e bëjmë për futbollin, dhe që do të vazhdojmë të bëjmë.
Ne nuk do të hutohemi nga këto, dhe do të vazhdojmë të punojmë, pasi FIFA është në një pozitë shumë më të mirë sesa dy vjet më parë”, thuhet në njoftimin e FIFA-s.