The day after - Lufta e Parë Botërore

10 Nëntor 2018, 09:23Dossier TEMA

Armët e Luftës së I Botërore, makinerisë vdekjeprurëse të shekullit 20-të, heshtën si pasojë e armëpushimit në Compiegne pranë Parisit më 11 nëntor 1918. Katër perandori u shkatërruan dhe harta e Europës ndryshoi.

Lufta e I Botërore ishte një makineri vdekjeprurëse. Industrializimi dhe mekanizimi e kishin revolucionuar mënyrën e bërjes së luftës.

Mitralozët dhe artileria shfarosnin ushtri të tëra. 40 vende u përfshinë në këtë luftë të madhe të historisë. Katër vjet me radhë.

11 milionë të vdekur, 20 milionë të plagosur, të gjymtuar, të verbuar. Në çdo ditë lufte vriteshin mesatarisht nga 6000 ushtarë. Europa u shkatërrua. Ngado sundonte depresion, uri, varfëri.

Fundi i luftimeve

Luftimet morën fund si pasojë e armëpushimit në Compiegne pranë Parisit më 11 nëntor 1918. Pas 1500 ditë lufte, Gjermania dhe aleatët e saj kapitulluan. Katër fuqi të mëdha u prishën. Ato u thyen, u shpërbënë në kombe më të vogla ose u zhdukën tërësisht nga harta. Perandoria Gjermane, Austro-Hungaria, Perandoria Osmane dhe Perandoria Ruse.

Fituesit e Luftës së Parë Botërore, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA rivizatojnë hartat e Europës dhe Lindjes së Mesme.

Gjermania merr dënimin më të rëndë. Fuqitë fituese e bëjnë atë fajtore për fillimin e Luftës. Gjermanët duhet të paguajnë dëmshpërblime, për të gjitha dëmet e luftës. Si edhe për rindërtimin e qyteteve franceze.

Veç kësaj, Gjermania duhet të dorëzojë disa territore, dhjetë për qind të sipërfaqes së saj. (Gjermanët ndiehen të prerë në besë. Ata kishin shpresuar diçka tjetër nga armëpushimi.)

Në tryezë është edhe SHBA-ja. Ajo hynte te fituesit e Luftës. Presidenti amerikan Wilson dëshiron një rend të ri botëror dhe kërkon themelimin e Lidhjes së Kombeve paraardhësja e OKB-së së sotme. Por pastaj, SHBA-ja sërish nis të izolohet. Askush nuk mund të bëhet më garant për paqen në Europë.

Lufta e Parë Botërore – Ajo mbahej si lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave. Por kjo nuk ndodhi. Shumë shtete e popuj ishin të pakënaqur me pasojat e Luftës. Në Gjermani erdhi në fuqi Adolf Hitler: Ky diktator kishte një synim të qartë: shmangien e pasojave të armëpushimit të vitit 1918 – me një luftë të re.

Shuarja e perandorive

Me Luftën e Parë Botërore shuhen katërfuqi të mëdha njëherazi: Perandoria Gjermane, Austro-Hungaria dhe Perandoria Osmane. Këto të tria ishin aleate gjatë Luftës Botërore. Perandoria Ruse ish rrëzuar që më parë nga Revolucioni i Tetorit. Katër perandori, të cilat do të ndaheshin nga fuqitë fituese perëndimore. Caktohen kufij të rinj, lindin shtete të reja.

Fuqitë fituese kërkojnë pjesën e tyre – Osmanët dhe Lindja e Mesme

Ato u premotjnë shtetin e tyre turqve nacionalistë. Por pastaj bëhet e qartë se pjesë të Turqisë do t’u kalojnë grekëve, italianëve ose francezëve. Metropoli i Stambollit vihet nën kontroll ndërkombëtar.

Turqit janë të indinjuar. Mustafa Kemal, një oficer i ri u bën qëndresë fuqive perëndimore. Ai udhëheq pjesët e mbetura të ushtrisë osmane në fitoren mbi trupat greke dhe italiane.

Heroi i luftës më vonë do ta quajë veten Ataturk, baba i turqve. Ai ndërton një shtet modern kombëtar – i drejtuar prej tij në mënyrë të rreptë dhe autoritare. Ataturku e ndan rreptësisht shtetin nga feja islame. Turqia pretendon të bëhet urë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Ndryshe është situata në vendet arabe të Lindjes së Mesme. Këto vende sapo kanë shpëtuar nga sundimi osman. Dhe tani do të bëhen top loje për fuqitë fitimtare të Luftës Botërore.

Kur bëhet e qartë se Perandoria Osmane nuk do të ekzistojë më pas lufte, francezët dhe britanikët organizojnë një takim të fshehtë. Pas dyerve të mbyllura ata vendosën të ndajnë territoret në Lindjen e Mesme.

Britanikët duan qytetin e Mosulit për shkak të naftës. Dhe Jeruzalemin për të kontrolluar që andej Palestinën e porsakrijuar.

Franca i lejon britanikët që të hyjnë. Si shpërblim Briania e Madhe duhet të mbështesë pretendimet e Francës kundrejt  Gjermanisë për reparacione.

Pas Revolucionit Rus në vitin 1917 bolshevikët publikuan marrëveshjen e fshehtë. Por kjo nuk ndryshoi asgjë. Franca vazhdon të mbisundojë në Lindjen e Mesme. Në fillim fuqitë koloniale pretendojnë se duan t’i transformojnë protektoratet e tyre në demokraci të pavarura.

Por nuk vjen deri aty. Ato do të vazhdojnë t’i përdorin – burimet dhe besimin e tyre. Çfarë ka mbetur nga Lufta e Parë Botërore në Lindjen e Mesme? Kufij arbitrarë, shtete pa struktura demokratike. Dhe deri më sot një mosbesim i madh ndaj Perëndimit.

Pakicat Kombëtare – Ballkani dhe Europa Qendrore dhe Lindore

11 nëntori i vitit 1918, dita e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nuk ishte shumë e rëndësishme për  Shqipërinë. Shqipëria nuk ishte palë lufte, por ajo do t’u ofrohej fitimtarëve dhe aleatëve të tyre në tabaka: Traktati i fshehtë i Londrës synonte ta ndante atë mes fqinjve dhe ajo copë që do të vazhdonte të quhej Shqipëri, do të ishte protektorat i italianëve.

Forcat britanike, italiane, franceze dhe greke vazhduan të qëndronin në Shqipëri edhe pas datës 11 nëntor 2018 në pritje të pjesës që do të përfitonin nga rivizatimi i hartës së Europës.

Në përfundim të Luftës katër perandori nuk ekzistonin më: katër fuqi të mëdha zhduken, disa syresh madje edhe nga harta: Austro-Hungaria, Rusia Cariste, Perandoria Gjermane dhe Perandoria Osmane. Në Europën Qendrore dhe Lindore krijohen shtete të reja.

Dhe praktikisht të gjithë fillojnë grindjet me fqinjët e tyre: Për tokën, për njerëzit, për pakicat, për akses në Detin Mesdhe, për qymyr dhe hekur.

Por ka edhe grindje ideologjike, si në rastin e Polonisë. Shtetit të përtërirë i duhet të mbrohet nga sulmi i Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik.

Në jug, popuj krenarë duan të krijojnë shtetet e veta. boshnjakët, serbët, kroatët, sllovenët.Por dikur bëhet i njohur Pakti i Fshehtë ndërmjet Italianëve dhe Fitimtarëve: Traktati i Londrës. Si shpërblim për besnikërinë e tyre, Antanta u ka premtuar italianëve Triesten, Istrian dhe tërë bregdetin kroat. Portet më të rëndësishme të rajonit me akses në Detin Mesdhe do t’i takonin Italisë.

Këtë e ndryshojnë planet e sllavëve jugorë. Për t’u mbrojtur nga Italia, ata tani duan të krijojnë një shtet të përbashkët: Mbretërinë e Jugosllavisë. Por popujt e shtetit të ri nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin. Tetë dekada më vonë zhvillohet një luftë e përgjakshme. Sot ata kanë (sërish) secili shtetin e vet.

Pak më në verilindje ukrainasit themelojnë menjëherë disa republika. Njëra syresh në Lviv – një qytet kryesisht polak. Polonia dhe ukrainasit kanë pretendime ndaj tyre, si edhe ndaj rajonit të Galicias Lindore. Plas lufta, të cilën e fiton Polonia.

Grindja për tokë në Europën Lindore është konflikt për identitetet. Fshatra, që janë vetëm pak kilometra larg njëri-tjetrit flasin gjuhë të ndryshme. Njerëzit frekuentojnë shkolla të tjera, e ndihen përkatës të një kombi tjetër.

Se ku kalon cili kufi, kjo është një çështje, që vazhdon ta shqetësojë Europën Lindore deri në ditët e sotme. Identitetet e ndryshme dhe vijat kufitare në harta – ato rrallë përkojnë.

Pas Luftës së Parë Botërore Europa zbulon pakicat kombëtare. Dhe vendos që t’i mbrojë. Që atëherë kjo fjalë nënkupton atë që kuptojmë edhe ne sot. Por askujt nuk i pëlqen të jetë pjesë e një pakice.

Kemi edhe Bullgarinë: Pas Luftës së Parë Botërore vendi ishte në anën e humbësve. Humbi territore, i duhej të paguante haraç te fitimtarët dhe të strehojë një numër të madh refugjatësh nga zonat kufitare. I ngjashëm është edhe fati i Hungarisë, që humbi gjysmën e territorit të shtetit të vet.

Armëpushimi i nëntorit 1918 i dha fund luftës së Madhe. Por për Europën Lindore dhe Qendrore ai nuk është kurrësesi fillimi i një paqeje afatgjatë.

Ndërsa në Shqipëri, forcat franceze dhe greke që mbanin të pushtuar Korçën u larguan në vitin 1919. Po atë vit u larguan edhe britanikët, francezët dhe italianët nga Shkodra. Bilanci për Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore ishte i hidhur: Varfëri e shkatërrim për diçka që kishte të bënte fare me të. Por ndoshta shqiptarët përfituan nga lufta në një drejtim tjetër: Për herë të parë e kuptuan, se nuk mund të mbaheshin më te premtimet e Fuqive të Mëdha, por duhet të vepronin vetë. Çka solli Kongresin e Lushnjës në vitin 1920 që vendosi gurin e themelit të shtetit të ri shqiptar që njohim sot.

Rumunët gjysmë viti pas fundit të luftës nisën sërish luftë: Me sulmin ndaj Hungarisë ata morën Transilvaninë dhe Besarabinë, ku edhe sot jeton një minoritet ukrainas.

Në këtë mënyrë njëkohësisht rumunët penguan edhe komunizmin në Hungari: ato pushtuan Budapestin dhe e detyruan komunistin Bela Kuhn të arratiset në Rusi. Kur rumunët u tërhoqën, pushtetin e mori ushtria hungareze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje