Klubi i Skënderbeut ka përgënjeshtruar mbrëmjen e të mërkurës lajmin që shkundi ambientin futbolldashës në mbarë Shqipërinë, sipas të cilit, drejtuesit e ekipit korçar nuk kanë apeluar aspak në CAS vendimin e UEFA-s, që përjashton bardhekuqtë nga kompeticionet europiane për një periudhë 10-vjeçare.
Më herët, gjatë ditës së mërkurë, “BalkanWeb”, kishte publikuar një korespondencë të mbajtur me sekretariatin e CAS, që i konfirmonte se nuk rezultonte asnjë apelim i bërë nga ana e klubit të Skënderbeut, e aq më pask të ishte planifikuar një seancë gjykimi për rastin në fjalë.
Të vënë përballë këtij lajmi dhe pretendimeve, klubi bardhkuq ka reakuar me një komunkiatë përgënjeshtruese. Arma e fortë e korçarëve në këtë kundërshti është një dokument masivisht i mbuluar për publikun, që publikohet si një korespondencë mes CAS dhe palëve të çështjes Skënderbeu kundër UEFA-s.
Dokumenti në fjalë mban datën 22 tetor 2018, por i protokolluar më datë 29.10.2018 dhe në tërësinë e atyre tre rradhëve të pambuluara nga drejtuesit e klubit korçar, kuptohet se Konsullori i CAS, Daniele Boccucci, i drejtohet palëve në proces, duke u këshilluar atyre që në përllogaritjen e afateve në brendësi të shkresës t’i referohen datës së marrjes së letrës në fjalë.
Konsullori e mbyll letrën e tij, duke shprehur gatishmërinë ndaj palëve, për çdo informacion të mëtejshëm të kërkuar prej tyre.
Në vijim gjeni komunikatën reaguese të klubit të Skënderbeut:
“- PËRGËNJESHTRIM –
Duke marrë shkas nga lajmi i shpërndarë në mediat online, KF Skënderbeu siguron opinionin publik dhe sportdashësit bardhekuq se klubi ka apeluar vendimin e UEFA-s në CAS dhe jemi duke pritur datën e seancës dëgjimore.
Dokumenti i publikuar më poshtë i përket datës 29 tetor dhe është letërkëmbimi i fundit mes palëve në proçes, dokument i cili hedh poshtë pretendimin e mediave vizive dhe online se në CAS nuk ka një apelim nga KF Skënderbeu.
Shprehim publikisht indinjatën dhe zhgënjimin tonë karshi qarqeve të caktuara të cilat vijojnë të ‘luftojnë’ klubin tonë me qëllim destabilizimi duke keqinformuar qëllimisht opinionin publik.
KF Skënderbeu siguron mediat dhe Sportdashësit bardhekuq se do ti shkojmë deri në fund kësaj cështje për të zgjidhur dhe zbardhur të vertetën e këtij lajmi dashakeq karshi klubit.
Faleminderit për mirëkuptimin!
Zyra për shtyp,
KF Skënderbeu”