Shterojnë bebet, rënia e lindjeve në 9 mujor më keq së skenari pesimist

16 Nëntor 2018, 09:05Sociale TEMA

Nga viti në vit numri i lindjeve po bie me shpejtësi, duke sinjalizuar një situatë tashmë alarmante për popullsinë e vendit.

Sipas INSTAT këtë vit lindën 5266 bebe më pak dhe kjo rënie është shumë më e madhe edhe se skenari pesimist për projeksionet e popullsisë 2011-2031 lëshuar nga INSTAT.

Përgjithësisht numri vjetor i lindjeve në Shqipëri luhatet në 32-24 mijë bebe në vit. Vitin e kaluar lindën pak më shumë se 30 mijë bebe, teksa gjatë 9 muajve të 2018 kanë lindur vetëm 18,120 bebe.

Sipas skenarit pesimist të projeksioneve të popullsisë te INSTAT numri i bebeve të lindura me 2018 duhet te jetë pak më shume se 27 mijë foshnja.

Nëse do t’i referoheshim numrit absolut të lindjeve, vihet re qartë një rënie e konsiderueshme në numrin e tyre, nga 82 mijë në 1990 në 30 mijë lindje në vitin 2017

Demografët shpjegojnë se lindshmëria te personat në moshë riprodhuese sot është e ndryshme nga ajo e prindërve të tyre, si në lidhje me numrin mesatar të fëmijëve për grua (indeksi sintetik i fekondimit) ashtu sa i përket edhe karakteristikave strukturore (moshës).

Gjatë viteve 2000, indeksi sintetik i fekondimit në Shqipëri ra nën nivelin e zëvendësimit, i cili përcaktohet si 2.1 fëmijë për grua. Për herë të parë në historinë e lindshmërisë së Shqipërisë, Indeksi Sintetik i Fekondimit ishte më pak se 2 fëmijë për grua pas vitit 2003.

Sot gratë që lindin fëmijën e parë janë mesatarisht më të mëdha në moshë sesa nënat e tyre dikur. Deri në fillim të viteve 2000, modeli tipik i familjes në Shqipëri, ishte një çift i martuar me dy fëmijë.

Kohët e fundit, gjithashtu familja është bërë më pak e qëndrueshme si pasojë e normës në rritje të divorceve, shpjegojnë demografët.

Përveç Indeksit Sintetik të Fekondimit, një tregues i rënies së lindshmërisë është edhe koeficienti bruto dhe neto i riprodhimit, të cilët matin numrin e vajzave që lind një grua. Ky indeks në vendin tonë është nën një vajzë për grua, pra një femër nuk arrin të riprodhojë veten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje