Përfaqësuesja shqiptare e futbollit shkon me shumë mungesa drejt sfidës me Skocinë, por çuditërisht sheh në favorin e saj para duelit dy statistika të rëndësishme për arenën ndërkombëtare, golat e shënuar nga lojtarët në përbërje dhe sidomos eksperiencën me fanellën e përfaqësueses.
Edhe Skocia përballet me një krizë të pazakontë dëmtimesh dhe kjo ka sjellë largimin nga radhët e ekipit të shumë futbollistëve me eksperiencë në radhët e saj që kanë luajtur me rregullsi në vitet e fundit.
Ndaj në grupin e lojtarëve që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, emri me më shumë ndeshje me ekipin kombëtar të skocezëve është portieri MekGregor, i cili ka luajtur 40 ndeshjes, ndërsa lojtari i dytë më i aktivizuar, Fletçer me 31, nuk grumbullohej prej më shumë se një viti me kombëtaren.
Në total, Skocia ka udhëtuar me vetëm 5 lojtarë të cilët kanë luajtur 10 apo më shumë ndeshje me përfaqësuesen, një shifër shumë e ulët për një ekip të këtij kalibri si pasojë e dëmtimeve e tërheqjeve të sipërpërmendura.
Kurse Shqipëria ka në grupin e saj 10 lojtarë të cilët kanë luajtur të paktën 16 ndeshje me përfaqësuesen, pa llogaritur këtu Hysajn e Bashën të pezulluar.
Edhe statistika e golave çuditërisht flet për kuqezinjtë. Me përjashtim të Fleçer i cili ka shënuar 9 gola me ekipin kombëtar të Skocisë, janë vetëm 3 lojtarë të tjerë që kanë gjetur rrjetën në përfaqësuese, Robertson, Armstrong e Filips, për një total prej 13 golash të të gjithë skuadrës, shkruan “Vip Sport”.
Kurse Shqipëria ka në dispozicion sot lojtarë të cilët së bashku kanë shënuar 15 gola (nuk llogariten 3 golat e Bashës të pezulluar).
Mavraj, Gjimshiti, Memushaj, Xhaka, Kaçe, Grezda, Ndoj, Balaj dhe Manaj kanë shënuar të gjithë të paktën një herë me ekipin kombëtar dhe sot shpresohet që të rritin bilancin e tyre personal dhe të kuqezinjve.