Futbolli është sporti më i bukur dhe popullor në botë, por vetëm nëse mbetet… thjesht sport emocionesh, grinte, dëshire për të fituar dhe sidomos sakrifice. Nëse qoftë edhe një moment paraja “fshin” ndjenjat, pasionin dhe gjithçka tjetër, atëherë bëhet llogari. Në vitet e fundit kemi parë që shifrat që xhirojnë janë marramendëse dhe vetë futbollistët nuk arrijnë ta kuptojnë se si është e mundur që vlera e tyre prej shifra që ndoshta një dekadë më parë do të ishin utopi.
Reklama, marketing, stadiume, por edhe… bastet. Pikërisht këto të fundit janë futur shumë thellë brenda futbollit duke prekur ato që janë ndeshjet të cilat nuk kanë jehonë mediatike dhe janë larg syrit të 99% të publikut sportdashës.
Kohë më parë, në Azi u kap një rrjet gjigant që kishte të bënte me manipulimin dhe trukimin e shumë ndeshjeve të kategorive të ulëta. Sepse, aty kanë mundësi të fusin duart dhe të përdorin pikërisht ato “tentakula” për të devijuar rezultatet në interesin e përfitimit. Baste të pakontrolluara, por sidomos ndeshje miqësore që marrin një rëndësi vetëm sa i përket xhirove të parave të pista.
Nga Italia në Belgjikë, Gjermani, Rusi, Spanjë, Angli, Austri e kështu me radhë. Kudo ka ndeshje që preken, madje edhe në Shqipëri. Jo më kot, dosja voluminoze që qëndron ende në raftin e federatës shqiptare të futbollit ende nuk është shqyrtuar.
Por, le të vijojmë me historinë që vjen nga një ishull jo shumë i madh, por i cili është kthyer në një vatër korrupsioni, aferesh dhe sidomos “fixed matches”, pra “ndeshje të fiksuara”.
Gazetari hetues italian, Pippo Russo, pak kohë më parë, u përpoq të fundoste Chievon me hetimet në lidhje me plusvlerat fiktive dhe shitjet e lojtarëve të moshave për shifra të pamundura, si 2 apo 3 milionë euro, pa luajtur asnjë ditë në Serie A apo edhe në Serie B e Serie C. Por, kjo është një histori tjetër.
I famshëm edhe për librin e “Perandorisë” së Mendes, agjentit të fuqishëm të merkatos, që ka gisht edhe në disa klube futbolli, por edhe për lidhjet segrete të disa presidentëve, kthehet me një artikull që prek futbollin e pisët, ose ndeshjet “me përfitim”.
Gjithçka falco, veç topit. Një histori groteske, që tregohet nga Costin Stucan dhe Michael Bird në gazetën “Sporturilor” edhe “The Black Sea”, në kuadrin e operacionit Football Leaks.
Kohë më parë, disa klube shqiptare u përfolën për miqësore jashtë vendit, ku rezutlati dyshohej i fiksuar dhe UEFA u përpoq të fshinte këto miqësore. Por, siç duket, kur “peshku” është shumë më i madh, organi i lartë i futbollit bën sehir. Flitet për ndeshje miqësore ndërkombëtare të luajtura në Qipro dhe të arbitruara nga subjekte që në rastin më të madh nuk kanë arbitruar kurrë në jetën e tyre, por që ndjekin në perfeksion instruksionet që rezultatet të jenë ato që bastvënësit kanë parafiksuar.
Organizuesi kryesor, Eric Mao, agjent i njohur i FIFA-s. Mirë se erdhët në fushën e Fake Football, ku të gjithë ata që zbresin dhe vrapojnë në fushë recitojnë një skenar, duke u përpjekur për një rezultat që është përcaktuar nga peshqit e mëdhenj.
Artikulli i Stucan dhe Bird nis nga zbulimet e një futbollisti rumun, që shkon drejt fundit të karrierës. Alin Stoica, 31 vjeç, ish-mbrojtës qendror. Në dimrin e vitit 2015 gjendet në moment vështirësie dhe rroga që ai fiton nuk i del për të përballur situatën delikate, pasi i ati lufton me jetën dhe për një operacion duhen 40 mijë euro.
Në gjendje të rëndë psikologjike, ish-futbollisti i drejtohet agjentit grek Gavriil Papanastasatos.
I njëti që, siç referojnë dy gazetarët Stucan dhe Bird, një vit më parë e çoi lojtarin te Viktovice, klub çek ku është edhe aksioner dhe investon. Më pas e dërgon në Lituani dhe Suedi.
Menaxheri grek e lidh Stoican me një ukrainas me emrin Igor. Ky i fundit i kërkon futbollistit nëse mund të gjejë disa arbitra gati për të gjykuar ndeshje miqësore në Qipro. Dhe i premton një shpërblim 500 euro për çdo gjyqtar që do të vihet nën urdhëra. Stoican i drejtohet dy arbitrave që drejtojnë në kategorinë e tretë dhe të katërt, ndërsa paguhen 20 euro për çdo ndeshje.
Stoica bashkë me dy arbitrat amatorë të tjerë udhëtojnë drejt Qipros, ku në Nikosia i pret Kiril Grigorovs. Eshtë lituanez dhe futbollist, por ndodhet në ishull për motive të tjera.
Eshtë aty për shkak të lidhjes së tij me Papanastasatos dhe të jetë edhe ai arbitër. Në fund, do të jenë 32 ndeshje miqësore që drejtohen nga arbitra të komanduar, që ngrenë dhe ulin flamurin atëherë kur duhet. Madje, nuk njohin as kombësitë e lojtarëve që janë në fushë, por nuk i intereson. Paguhen për atë që po bëjnë, pra drejtojnë një futboll fiktiv.
Sigurisht, pa aktorët në fushë të painformuar, rrjeti do të binte. Kështu, sipas rrëfimit të Stoica, edhe lojtarët janë të vetëdijshëm për atë që do të ndodhë. Nuk mërziten kur ngrihet flamuri, kur nxirret i kuq dhe kur akordohet penallti. Gjithçka normale, fundja janë aty për paratë…
Mes vitit 2016 dhe 2018 bastet në këto miqësore në tokën qipriote nuk rreshtin. Klubet ruse të përfshira janë thuajse 15. Në renditje ndjekin ekipe qipriote, polake, serbe dhe çeke, më pas Zvicër, Bjellorusi, Sllovaki, Moldavi, Rumani, Ukraina, Bullgari dhe Letoni. Wisla Plock dhe Kuban Krasnodar janë me gjashtë ndeshje të zhvilluara për kokë.
Sa i përket listës së arbitrave “kamikazë” të rekrutuar janë shumë ish-futbollistë. Një lodër që ka funksionuar dy vjet dhe ka pasur disa personazhe që janë ende të lirë në qarkullim.(Telesport)