Nga Aleksandër Çipa
Marrëdhënia e letërsisë shqipe me atë fqinje pra, letërsinë greke, ka disa specifika esktraletrare dhe thellësisht antropoletrare. Eshtë një marrëdhënie me lartësi të dallueshme cilësish dhe atipish letrare. Mirëpo në kohë vijuese dhe në momente të caktuara, mes tyre herë pas here, janë shfaqur kategori talentesh letrare dhe (madje në shfaqje të bujshme dhe imponuese), disa shqipërues të letërsisë greke në shqip.
Gëzueshëm duhet ta pranojmë se në këtë kontribut “pala jonë”, pra lexuesi shqiptar, ndihet më triumfues në raport me atë grek. Kjo, natyrisht ka ngjarë për fat të mirë edhe për një arsye fisnikërie njerëzish të rrallë; disa prej përkthyesve të cilësishëm të letërsisë greke në shqip, janë dhe kanë qenë, pjesë elitare e entitetit të pakicës greke në Shqipëri.
Por jo vetëm! Në këtë kontribut madhor të përkthimtarisë shqiptare kanë qenë dhe mbeten sfidantë disa prej emrave më të paharrueshëm të shqipërimit si Gjon Shllaku, Gjergj Zheji, Ismail Kadare, Pashko Gjeci, Spiro Comora, Aleko Minga, Llambro Ruci, Niko Kacalidha, Petro Cerkezi, Stavri Dajo, Pano Cuka, Spiro Xhai, Andrea Zarballa, Niko Anagnosti, Romeo Collaku, Kleo Lati, Maklena Misha., etj., etj. Janë emra që kryesojnë e shumëshquhen në gjenerata të ndryshme krijuesish të Shqipërisë së shekullit të fundit. Më herët, ka pasur edhe të tjerë. Punëmbetur dhe emërlënë si ata.
Në ditët e tre apo katër dekadave të fundit, kjo traditë fisnike, ky shkëlqim i punës me fjalën shqipe për përkthim të letërsisë greke, fatmirësisht vijon dhe shpërfaqet në cilësi të lartësishme gjuhe dhe letërsie.
Nuk është e tepërt të thuhet se sikundër në poezinë shqipe të viteve ’80-të spikatën dhe argjenduan letrarisht grupimet letrare lezhian dhe ai tepelenas, në përkthimet nga letërsia greke në shqip, mund të flitet për një grupim “të pastrukturuar” përkthimi nga minoriteti grek, anëtarët e të cilit gjatë 25 viteve të fundit kryesisht ose emigruan në atdheun e tyre mëmë, ose e ndanë jetën si rezidentë lëvizës mes dy shtete-dheve.
Nuk ka asnjë dyshim se puna dhe botimet e sjella përmes përkthimeve të Andrea Zarballait (“Zonja e vreshtave” e J.Ricos), Romeo Collakut (“Greqinë mos e vajto” të Janis Ricos, apo “Tundimi I fundit” I Nikos Kazanzaqis dhe “Zorba” nga po I njëjti autor I Stavri Dajos, romani “Z” I Vasili Vasilikos nga Kleo Lati), përbëjnë një kapitull esencial të shkëmbimit të cilësishëm mes dy letërsive të vendeve fqinj. Në kohë të ardhme prurjet e këtyre përkthyesve dhe autorëve-përkthyes do të cmohen si një kontribut me jetëgjatësi të garantuar dhe imponim letraro-gjuhësor të shumëpranuar.
Mirëpo kësaj marrëdhënieje, këtij kontributi sjellës në shqip, fatkeqësisht i mungon kahu i përkundërt, ai i përcjelljes së letërsisë dhe sidomos poezisë shqipe në greqisht.
Këtë sfidë në këtë periudhë fundviti 2018 po e merr përsipër së pari me provë në formën virtuale dhe së afërmi edhe me botim, një ndër përkthyesit surprizues të poezisë greke dhe asaj shqiptare, regjisori, aktori, publicisti dhe shkrimtari i humorit, përkthyesi dropullit, resident në Janinë prej më shumë se 25 vjetësh, Arqilea Garo.
Përmes shtëpisë botuese “Nereida”, Garo ka sjellë për lexuesin shqiptar botimin më voluminoz të sjellë ndonjëherë në shqip të poezisë greke, një antologji atipike me rreth 52 poetë të mëdhenj grekë dhe rreth 14 poetë jo grekë, kollosë të letërsisë dhe poezisë botërore moderne dhe postmoderne botërore.
Një punë e kryer me pasion dhe natyrisht përmes një talenti gjuhënjohjeje që do ta kishte zili kushdo. Janë ciklet gati më përfaqësuese të poezivë të autorëve më të shquar të poezisë greke në gati dyqind vitet e fundit. Të 52 autorët përfaqësojnë asetet letrare me jehonë në letërsinë botërore dhe që në letërsinë greke qëndrojnë të domosdoshëm si vetë ishujt e Greqisë të cilët, ata më të rëndësishmit, njihen më së pari për kryenecësinë identifikuese, sikundër është Kreta e Kazanzaqisit, e cila garon me vetë Greqinë.(!)
Dhe shqipëruesi Garo e realizon këtë si një shqipebukur i krahasuar herë–herë meteknikën Noliane të përkthyeshërisë dhe pse jo edhe me atë të Lasgushit. Antologjia “Pelegrin në ujëvarat e poezisë helene”, nuk është një antologji e ndërtuar mbi parime metodologjike, por një antologji sipas shijeve dhe kritereve vetiake autoriale. E sjell këtë vepër, ( i tillë duhet konsideruar si prurje përkthimore ky vëllim) pas shqipërimit befasues dhe me cilësi të poemës-himn të poetit kombëtar grek Dhionisios Solomos “Himn për lirinë”. Botimi në një libër i poemës-himn natyrshëm mund të krahasohej me përkthimet e Pushkinit apo Emineskut nga Lasgushi ynë. Krahasimi në këtë rast është drejtpeshim dhe jo ekzagjerim ala ekstra-letrar.(!)
Në përkthimet e Garos, poezitë e shkruara në ndërkohën mes viteve 1840-1879 prej poetit Aristotelis Valaoritis të lenë shijen e përkthimit në shqip prej Skënder Luarasit të “Cajd Haroldit” të Bajronit. (Mjafton strofa e parë e poezisë “Arratia” të shijosh vargjet shemërake të “Tamburxhi, tamburxhi…, të Bajronit. (“Kalin! Shpejt, kalin! Omer Vrion,/Suli po turret, po na shkallmon./ Kalin! Bjer kalin! Ndiej fishkëllima,/ plumbat pëlcasin, si vetëtima.”. Lehtësia poetizuese në përkthimet e A.Garos, është dëshmi e një talenti vetiak poetik. Ai është mjeshtër i kadencave dhe i gjuhës me nëntekste të fuqishme. Eshtë stilist i thekur dhe njohës i pashoq I leksikut të shqipes në format dialektore dhe sidomos i teknikave në vjershërimin e poezisë orale shqiptare. Në këtë aftësi të tij, shijon pohimin e Tomas Eliotit, kur shprehet në një ese të tij se :” Përdorimi I gjuhës së thjeshtë të popullit në letërsi filloi me poezinë”.
Në leximin e etshëm që i bën poezisë së sjellë në shqip nga Garo, por që është selektuar nga autorë të profileve, identiteteve dhe cilësive kryekëput të ndryshme të letërsisë helene, adhurueshëm mund të reflektosh se një minoritar grek i Shqipërisë, po kryen një shërbim aristokratik në lëmenjtë e shkëmbimit letrar mes dy kombeve. Në poezi dhe për poezinë, vështirësitë përkthimore gati të barabarta me pamundësinë, janë të njohura. Aq më tepër mes shqipes dhe greqishtes. Tomas Eliot shton diku sërish se në poezi, “më lehtë mendon se sa ndien në një gjuhë të huaj. Për këtë arsye, asnjë art tjetër nuk është me aq ngjyrim etnik, sa c’është poezia”. Prurjet e Garos në shqipen tonë prej kolosëve të poezisë helenike janë shërbim përmes një “ Gjuhe të një cilësie të lartë”. Dhe sic konstaton Eliot: gjuha, rrallë mund të zhduket, vec në u shfaroftë populli që e flet”.
Marrëdhënia e përkthyesve tanë mes dy gjuhëve, përkatësisht mes shqipes dhe greqishtes ta bën edhe më të perceptueshëm misionin antik të Pisistratit, i cili dha urdhrin të shkruhej epopeja homerike. Kjo është një ndër shërbesat kulturore mes dy kombeve fqinjërues që meriton të cmohet si hyjnore dhe me jetëgjatësi si ajo vepra e mbledhur homerike, prej urdhrit pisistratian. Në dhjetra prej përkthimeve të Garos, nga autorët e kësaj përmbledhjeje, shijon dhe përjeton, ndien dhe mbart njëjtësisht, një të vërtetë të cilën aq bukurisht e shprehte dikur Jorgos Seferisi për vargun e Kavafis: ”vargu i tij nuk është varg me pathos, por varg që mendon”.
Leximi i poezive si “Zotit i duhet ndihma jonë”, ”Nëna më vdiq”, “Fundi i një historie që asnjëherë nuk filloi”, nga poeti Tasos Livadhitis apo poezitë e Kostas Uranis, Nikos Kavadhias, Rena Petru etj., të krijon mundësinë e një njohjeje të re thellësirash fjale dhe mendimi. Guximi përkthimor I Garos në rastin e Jorgos Suris, I mishëruar në një akt të pashëmbëllt eksperimentues, duke iu referuar kohezionit politiko-social të Shqipërisë së sotme, shënon një rast sui generis të përkthimit të poezisë së huaj në përshtatshmëri me realitetin dhe kontekstin e shoqërisë shqiptare në ditët tona. Gjuha elegante, humori I hollë dhe gjithë finesë si dhe stili vetiak I Garos në prurjen e poezisë satirike të Suris, të krijon vetvetiu shembëllime të vjershërimit nolian. (“Kush pa shtet sa një kafshitë/në gjithë botën s’ka të dytë./që njëqind e ca shpenzon,/dhe vec gjysmat grumbullon…/ Mjera ti, Shqipe me fletë/me k’ta djem që rrite vetë/Shqipëri, o Zonjë me vlerë/ tash, pse lind vetëm gomerë?!” (Kush e pa).
Në kohën e sotme ka miliona arsye që lidhen me gëzimin shpirtëror të lirisë së lëvizjes dhe atë të shkëmbimit ndër njerëz e popuj. Por një ndër kryearsyet është e lidhur pashmangshmërisht me lirinë e komunikimit dhe të leximit, aq më tepër kur i referohemi fqinjësisë si shkëmbim kulturoro-letrar.
Privimi në kohë të mëhershme për komunikim dhe lexim nga letërsitë dhe gjuhët e popujve të tjerë, përbën një formë tjetër genocidi, pashmëngshmërisht me pasoja të rënda mbi kombin dhe breznitë njerëzore të Shqipërisë së vetërënë në kohën e izolimit. Ky privim i rëndë shkaktoi pasoja dhe humbje të mëdha mbi marrëdhënien shumëplanëshe të Shqipërisë kulturore me botën kulturore, por më së shumti, të njerëzve të saj që kanë raport kompleks me ushqimin dhe ekzistencën kulturore.
Në një ditë si kjo, për shkak të një talenti si Arqile Garo, dhe me arsye të vetëmjaftueshme si libri antologjik ”Pelegrin në ujëvarat e poezisë helene”, e merr të plotë peshimin e saj. Të jepet mundësia e natyrshme të peshosh c’kemi humbur në kohën e izolimit. Një libër si ky, vlen si pupla në kohën e egjyptianëve të lashtë, e cila konsiderohej si peshë për pjatën e peshores së shpirtrave, pra si simbol saktësie.
Kjo antologji e vetëzgjedhur shton disa prova për njohjen letrare, për sjelljen e kumteve prej poezisë dinjitoze helene si dhe prej regjistrave të lartë të zërave autorialë që përfshihen në të.
Personalisht jam në një marrëdhënie të posacme leximi me këtë antologji, për shkak të mundësisë krahasuese mes versionit origjinal dhe atij të sjellë në gjuhën time amtare. Unë jam lindur në Breg të Detit, aty ku raporti dhe marrëdhënia e tri elementeve kozmogonike, pra; tokës, qiellit dhe detit është pashmangshmërisht si në përshkrimet e librave të shenjtë dhe të librave të tjerë gjenialë, pra homerikë.
Aty ku kam kaluar jetën, në Himarë dhe në Gjirokastër, brigjet dhe kufiri, komunikimi dhe njohja ime ndërnjerëzore ka pas të bëjë me dy gjuhë. Me shqipen time të atësisë dhe mëmësië dhe greqishten, si gjuhë e fqinjësisë së pandërrueshme. Shërbesa letrare që ka kryer Arqile Garo, në këtë rast, është gjurmëlënëse dhe e vlershme për shkak të materies gjuhësore në të cilën e ka sjellë.
Përkthyesi rishtaz ka njoftuar se këtë shërbesë së afërmi do t’ia afrojë edhe lexuesit grek, duke iu referuar autorëve më përfaqësues të poezisë shqipe. Një pjesë të mirë të kësaj sipërmarrjeje, ka kohë që po e kryen përmes formave virtuale të leximit. Autorë të kryenecësisë së lartë identifikuese në poezinë shqipe si Noli, Migjeni, Poradeci, Ali Asllani, Kadare, Agolli, Arapi etj., ka kohë që I ka cuar në greqisht tek helenët e sotëm.
Misioni aristokratik I letërsi-kthimit në dy gjuhë, e ka përcaktuar dhe vendosur tashmë Arqile Garon si një qytetar të cilësisë dhe mjeshtërisë gjuhë dhe mendjebukur, natyrisht me sigurinë e natyrshme që qenia e tij është e gjendshme në dy gjuhësinë. Për këtë arritje dhe në këtë ngulim vetiak ka kohë që gjendet.
Sipas të gjitha gjasave dhe premisave të kryera, edhe në kohë të ardhme, ky përkthyes i talentuar do t’i shërbejë mirësisht si grekësisë, ashtu edhe shqiptarësisë, në lëmenjtë e dijes, komunikimit dhe krijimit letrar.
Desha te pyes; homogjenet e bularatit kane lexuar ndonje poezi nga autoret gerrk qofte ne njeren apo tjetren gjuhe?? Ambasada gerrke pse nuk con aty libra Po me nis janullen??