“Brexit”, May ka një lutje para samitit në Bruksel

25 Nëntor 2018, 09:50Bota TEMA

Theresa May i ka kërkuar publikut deri edhe në lutje, përmes një letre të shkruar, mbështetje për marrëveshjen e saj të “Brexit”-it, në një ditë tejet të rëndësishme kur Bashkimi Europian po përgatitet ta firmosë edhe zyrtarisht draftmarrëveshjen.

Kryeministrja britanike ka thënë se marrëveshja e saj premton një “të ardhme të ndritur” për Britaninë, ndërkohë që dita e shkëputjes nga BE-ja vitin e ardhshëm do të jetë “një moment ripërtëritjeje dhe ripajtimi për të gjithë vendin tonë”.

Udhëheqësit e BE-së, ndërkohë, janë mbledhur në Bruksel për një samit, në të cilin do të vendoset nëse do të miratohet apo jo draftmarrëveshja e arritur. Shefi i Këshillit Europian, Donald Tusk ka rekomanduar nga ana e tij që të gjitha vendet ta miratojnë.

Edhe Spanja, e cila kishte kërcënuar me bojkot të samitit, do të marrë pjesë pasi një mosmarrëveshje e minutës së fundit mbi Gjibraltarin u zgjidh gjatë së shtunës.

Gjithsesi, edhe nëse BE-ja miraton marrëveshjen, ajo duhet të kalohet përmes Parlamentit britanik, aty ku shumë deputetë, përfshi edhe nga Partia Konservatore e kryeministres May, kanë theksuar se do të votojnë kundër saj.

Në “letrën drejtuar kombit” të Mayt, të publikuar në prag të samitit në Bruksel, ku ajo shpreson që 27 vendet e mbetura anëtare do ta mbështesin paktin e saj, kryeministrja pretendon se marrëveshja është “në interesin tonë kombëtar” dhe se është në favor të të gjitha pjesëve të Mbretërisë së Bashkuar.

“Shkëputja nga BE-ja më 29 mars 2019 do të shënojë një kapitull të ri në jetën tonë kombëtare. Ajo do të shënojë momentin kur ne do t’i lëmë mënjanë etiketimet ‘Leave’ dhe ‘Remain’ (referuar atyre që duan largimin dhe atyre që duan qëndrimin në BE) për të mirën tonë dhe të ribashkohemi sërish si një popull i vetëm. Për ta bërë këtë gjë, ne duhet të përballemi me Brexit-in tani, duke u hedhur në mbështjetje të kësaj marrëveshjeje”, shkruan May.

Tashmë, krerët e BE-së kanë fjalën e tyre për të miratuar dy dokumente kyçe mbi “Brexit”-in, që janë deklarata politike, që përcakton sesi do të jetë marrëdhënia Britani-BE pas “Brexit”-it, e duke nënvizuar sesi do të funksionojnë aspektet tregtare dhe të sigurisë; si dhe marrëveshja e shkëputjes nga BE-ja, një dokument prej 585 faqesh ligjërisht detyrues, që përcakton kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja. Në këtë të fundit është edhe “fatura e divorcit” prej 39 miliardë paund, sikurse edhe të drejtat e qytetarëve dhe “asistenca” në Irlandën e Veriut, një zgjidhje për të mbajtur hapur kufirin me Republikën e Irlandës, nëse bisedimet për tregtinë ngecin.

Një votim formal nuk është parashikuar për këtë të dielë, por nga BE-ja pritet që të procedohet vetëm pasi të arrihet konsensusi, teksa marrëveshja me shumë gjasë do të miratohet. E pasi të ndodhë kjo, Mayt do t’i duhet ta miratojë atë edhe në Parlamentin britanik, ku votimi pritet gjatë muajit dhjetor. Atje, në fakt, laburistët, demokratët liberalë, SNP dhe DUP kanë thënë se do ta refuzojnë marrëveshjen, sikurse edhe shumë deputetë konservatorë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje