Një bashkëpunëtor i Donald Trump në bisedime me ekipin Mueller

24 Nëntor 2018, 09:32Bota TEMA

Një publicist konservator, i njohur si përkrahës i teorive konspirative, tha të premten se është në negociata për pranimin e fajësisë me ekipin hetues të prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Jerome Corsi është bashkëpunëtor i presidentit të SHBA, Donalt Trump dhe i njeriut të besuar të presidentit, Roger Stone.

Zoti Corsi nuk pranoi të komentojë më tej mbi bisedimet e tij me ekipin e prokurorit Mueller, i cili po heton mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Por në një program në YouTube javën e kaluar ai tha se parashikon që ndaj tij të ngrihen akuza se ka gënjyer hetuesit federalë.

Ekipi i prokurorit Mueller e pyeti zotin Corsi rreth lidhjeve të zotit Roger Stone me organizatën WikiLeaks.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se Rusia i dha WikiLeaks-it një material të pirateruar që e pengoi fushatën presidenciale të kandidates Hillary Clinton.

Bisedimet me zotin Corsi mund ta ndihmojnë zyrën e prokurorit të posaçëm Mueller të përcaktojë nëse Stone dhe bashkëpunëtorë të tjerë të zotit Trump kanë qenë në dijeni të planeve të organiztës WikiLeaks për publikimin e materialit.

Corsi ka qenë ish-shef i zyrës së Uashingtonit për portalin InfoWars që mbështet teoritë konspirative.

Thuhet se ai po bashkëpunon me hetuesit prej rreth dy muajsh, duke u dhënë atyre kompjuterë dhe një celular.

Ai gjithashtu i lejoi FBI-së qasje në llogaritë e tij të emailit dhe Twitterit.

Stone mohon se ka vepruar si urë lidhëse me WikiLeaks, organizatë e themeluar nga Julian Assange, e cila publikoi mijëra e-maile që thuhet se ishin vjedhur nga kompjuteri i kryetarit të fushatës së zonjës Clinton pak javë para zgjedhjeve. Edhe zoti Stone ka thënë se pret që ndaj tij të ngrihen akuza.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje