Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka mbrojtur marrëveshjet e biznesit që i ka pasur me rusët para se të bëhej president i shtetit më të fuqishëm në botë, duke i quajtur hetimet për këtë çështje “gjueti shtrigash”.
Trupm u shfaq i tronditur të enjten, pasi ish-avokati i tij Michael Cohen e pranoi se e ka gënjyer Kongresin për një marrëveshje pronësie që Trumpi e planifikonte në Moskë.
Në një varg postimesh në “Twitter”, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se marrëveshjet ishin tërësisht ligjore, edhe pse nuk ka investuar asnjë lekë në to dhe se e ka braktisur plotësisht projektin, shkruan BBC.
Presidenti po vazhdonte me mbrojtjen që kishte filluar të enjten pasi ish-avokati Michael Cohen kishte pranuar një akuzë për të gënjyer në Kongres.
Cohen tha se kishte paraqitur një deklaratë të rremë me shkrim në lidhje me një plan të Organizatës Trump për të ndërtuar një kullë në kryeqytetin rus.
“Oh, e kuptoj. Unë jam një sipërmarrës shumë i mirë, që e jetoj i lumtur jetën time, sa herë që shoh vendin tim të shkojë në drejtimin e gabuar (ta themi butësisht).
E përkundër të gjitha parashikimeve, unë vendosa të garoj për president dhe të vazhdoj të drejtor biznesin tim…tejet ligjor dhe shumë i qetë fola mbi të gjatë fushatës zgjedhore.
Shqyrtova me kujdes të ndërtoja një godinë diku në Rusi, nuk investova asnjë lek, nuk dhashë asnjë garanci dhe nuk e realizova projektin. Kjo është gjueti shtrigash”, shkroi Trump këtë të premte.
Cohen u tha prokurorëve se ai e informoi Trump mbi projektin më shumë se tre herë. Ai gjithashtu informoi anëtarët e familjes së Trump, kishte kontakt të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e Kremlinit dhe po mendonte udhëtimin në Moskë për ta diskutuar atë, shkruan Guardian.
Por Trump e dënoi ish-avokatin e tij duke e quajtur Cohenin një “person të dobët dhe aspak të zgjuar”.
Presidenti shpesh përdor shprehjen “gjueti shtrigash” për të pakësuar hetimin e Mueller, i cili filloi në maj të vitit të kaluar dhe duket se ka mbledhur shumë informacione në ditët e fundit.
Deri në pranimin e tij të fundit Cohen, i cili dikur tha se do të marrë një plumb për president, ishte më shumë një figurë periferike në hetimin e marrëveshjes ruse që po mbikëqyret nga këshilltari special Robert Mueller.
Mueller ka ngritur aktakuza penale kundër një sërë ndihmësish dhe bashkëpunëtorëve të Trump-it, duke përfshirë ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar, Michael Flynn, individë dhe shtetas rusë.
Cohen tashmë është deklaruar fajtor për tetë akuza penale, duke përfshirë evazionin fiskal, mashtrimet bankare dhe shkeljet e financimit të fushatës.
Presidenti Trump aktualisht ndodhet në Argjentinë, ku po merr pjesë në samitin e G20-ës. Ai e ka anuluar takimin e paraparë me presidentin rus, Vladimir Putin, për shkak të zhvillimeve në Detin e Zi, me ç’rast Rusia i kishte rrëmbyer tri anije ukrainase dhe i kishte arrestuar të gjithë personat që ndodheshin në to.