VIDEO: Perla e Alvesh i jep fitoren Flamurtarit kundër Laçit

9 Dhjetor 2018, 19:05Sport TEMA

Flamurtari rikthehet te fitorja, duke mundur Laçin në shtëpi me rezultatin 1-0. Vendos një gol i Danilo Alvesh në fundin e pjesës së parë, që ka vlerën e 3 pikëve.

Nuk arrin dot Laçi të afrohet me katër skuadrat e kreut, duke regjistruar ndeshjen e dytë radhazi pa fitore.

Kuqezinjtë treguan një fytyrë krejt tjetër nga një javë më parë, duke krijuar volum loje që në minutat e para. Pretendime nga vendasit pa u mbushur 10 minuta lojë. Mersinaj ndal në mënyrë të parregullt Bushiç, por gjyqtari i ardhur nga Malta, Glen Tonna, gjykon se loja duhet të vijojë.

Nuk e ulin ritmin vlonjatët, por pa mundur që të krijonin ndonjë situatë të rrezikshme në portën e Selmanit. Edhe kurbinasit provuan në disa raste që të dilnin përpara, por nuk kishin saktësinë e duhur, për të vënë në provë Koliçin.

Kur u duk se skuadrat po pajtoheshin me barazimin në 45 minuta e para, mendoi Danilo Alvesh për të ngritur disi temperaturën në stadiumin e Vlorës.

Braziliani tentoi nga një distancë e konsiderueshme, topi u devijua, mjaftueshëm për ta çuar në rrjetë, por dhe për ta bërë topin të paarritshëm për Selmanin, i cili u mundua që të devijonte.

Edhe në pjesën e dytë u duk se kishte një marsh më shumë Flamurtari, që në pak minuta rrezikoi dy herë portën e miqve, fillimisht me Kalen, dhe më pas me Alveshin, i cili goditi traversën.

U zgjuan bardhezinjtë, të cilët nisinë që të ishin më kërkues dhe të fitonin metra. Shtubina fillimisht shpërdori një mundësi të mirë për shënim, por Koliçi e grushtoi goditjen e shkodranit.

Pak sekonda para fundit ishte Altiparmakovski, i futur pak minuta më parë, i cili u ndal nga ”gardiani” vlonjat, por me Koliçin që këtë herë që u ndihmua dhe nga shtylla.

Në fund, Flamurtari merr një fitore që e çon në kuotën e 25 pikëve, një më pak se Laçi.

Goli i shënuar nga Danilo Alvesh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje