Protesta përballë stërkëmbshave të politikës

17 Dhjetor 2018, 17:00Blog TEMA

Nga Çapajev Gjokutaj

Protesta e studentëve ka shumë nevojë për pjesëmarrjen e qytetarëve, por kurrsesi nuk i hyn në punë mbështetja e partive politike. Kjo do të kthehej shumë shpejt në stërkëmbësh.

Nuk është e rastit që studentët përsërisin vazhdimisht ‘jo politikë!’. Në fakt shumica e tetë kërkesave të tyre janë politike: kërkojnë përmirësimin e politikave në arsimin e lartë.

‘Jo politikë!’ do të thotë: nuk duam ndërhyrjen e partive politike! Dhe kjo është qasje mjaft e zgjuar dhe praktike.

Ndërhyrja e partive politike do t’i hiqte protestës një masë të konsiderueshme studentësh. Dhe ja pse.

Mijërat e studentëve që kanë mbushur sheshet në qytetet kryesore të vendit kanë përbërje heterogjene për nga pëlqimet partiake.

Ka mes tyre mbështetës të opozitës, ashtu siç ka simpatizantë të maxhorancës.

Po të nisesh nga shifrat e ulta të të rinjve që marrin pjesë në votime, del në përfundimin logjik se një pjesë goxha e madhe e protestuesve, nuk e honepsin dot parinë e sotme politike, pari që është ndarë në të majtë e në të djathtë për të alternuar qenien përjetësisht në pushtet.

Me këtë konfiguracion pëlqimesh dhe mospëlqimesh partiake, masa e studentëve do të përçahej në se protesta e tyre do të anonte nga qeveria apo nga opozita.

Në këtë kuptim ndërhyrja e palëve politike nuk është ndihmë, por stërkembësh për studentët dhe hallet e tyre.

Por ka edhe një arsye tjetër pse protesta duhet t’u vejë kufirin tek thana partive politike.

Revolta e studentëve ka ngjallur simpati të gjerë e të paparë në masën e qytetarëve. Ndër arsyet e kësaj simpatie është karakteri jashtpartiak i protestës.

Pas një periudhe të gjatë, kaluar në kunngulleshkën ‘për qeverinë apo për opozitën’, ’për Ps-në apo për PD-në’, qytetarët panë një Protestë masive si kjo e studentëve, protestë që u tha jo të dyja palëve dhe ngjalli shpresën se edhe ndër ne mund të ketë lëvizje të mirëfillta qytetare. Lëvizje që synojnë interesat e njerzve dhe jo rotacionin e palëve politike.

Nëse protesta e studentëve do të rrjeshtohet me njerën anë të politikës kundër tjetrës, do të shndërrohet nga lëvizje qytetare në partiake. Kjo do ta pakësonte dukshëm mbështetjen dhe simpatinë e gjerë qytatare.

Çdo lëvizje që nuk shoqërohet dhe ushqehet nga qytetarët i ngjan një peme me rrënjë jo në tokë, por në hava. Si e tillë, herët a vonë, por më shumë herët se vonë, vyshket e thahet.

4 komente në “Protesta përballë stërkëmbshave të politikës”

  1. ILIRET says:

    Capajev, ne se nuk te mbushet mendja, shko dhe bej nje sondazh. 80% e studenteve vijne nga familje te majta, prandaj PD nuk po can dot ne te. Kjo sepse te djathtet nuk kane tru per shkolle, e para dhe e dyta, shumica e te djathteve nuk kane buke te hane dhe jane brekegrisur.
    Dhe disa drogaxhinj, behen repista.

  2. BUJARI JU DEGJON says:

    Ore Capajev,kur nuk ke gje per te thene,me mire hesht…
    Mos u bej nga Capajev ne … Capacul…

  3. Taras Bulba says:

    Po pse mor ti Iliret ,deputeti Flamur Noka nuk i djathte ai ka gjith ate shkolle te lutem mos e ofendo

  4. Dori says:

    O Capo, dergoji fjale mikut tend Edi Rames, qe, nder 6-7 ministra qe duhet t’i nderroje, te shkarkoje ministren e Arsimit dhe te emeroje Prof. Pellumb Xhufin ne vend te saj. Por me nje kusht, t’a degjoje dhe respektoje, jo sic beri me Fatmir Xhafen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje