Rënia e katërt e Murinjos

19 Dhjetor 2018, 12:21Sport TEMA

Nga Skifter Këlliçi 

Dje në të gjitha gazetat e botës u dha lajmi sencasional, ndonëse i pritur për më vonë, se Murinjo , trajner i “Mançester Junaitedit” me vendim të presidencës së këtij klubi është pushuar. Siç ndodh ngahera me motivacionin e zakonshëm diplomatik: “…Falenderojmë për punën që ka kryer në klubin tonë dhe i urojmë sukses në të ardhmen”. 

Është hera e katërt , që kjo i ndodh Murinjons. Që nga sezoni 2003-04, kur krejt pa pritur u shfaq në horizontin e futbollit evropian pas triumfit të skuadrës portugeze “Porto”, që drejtonte në edicionin e Çempios Ligës të atij sezoni. 

Po cili është Murinjo, i mbiquajtur “special one”, (i veçanti)?.. 

Aventura e tij nis me “Porto “, kampione e Portugalisë për sezonin 2002-03, e cila fitoi të drejtën të luante në Ligën e Kampionëve. U rendit e dyta pas “Realit” në ndeshjet në grup, por pastaj mënjanoi në fazën finale “Mançester Juaitedin”, (2-1, 1-1), ”Lionin”, (2-0, 2-2), “Deportivo la Korunjën” (0-0, 1-0) dhe në finale u ndodh para skuadrës franceze, …”Monako”, që pa pritur kishte mposhtur “Çelsin”, (3-1, 2-2 )… 

Dhe nuk iu desh veçse të bënte në këtë finale një shëtitje turistike , (3-0), që ta zotëronte Çempions Ligën, si “Benfika” dikur…në një nga edicionet më të dobëta të Ligës së Kampioneve. Por kjo nuk e pengoi multimiliarderin tus Abramoçiv, që ta ftonte për të drejtuar “Çelsin”, me ambicje për suksese dhe vetëm suksese. 

Mirëpo, që të arrish sukesese, duhet të kesh…. lojtarë, të cilët Murinjo ia kërkoi super-bosit të tij rus me ngut të madh. Dhe ai me një tundur të kokës i hapi rrugë: Portieri Ceh, (Çeki), dhe bashkatdhetari tij, Jaroshek, portugezët, Fernadez dhe Olivera dhe, mbi të gjithë, holandezi Roben, bashkë me bregfildishasin Drogba, “i rrëmbyer” nga Marseja, u vunë në radhë para betejave të Murinjo-Napoleonit që nisi me ta serinë e fitoreve, të cilat e shpunë “çelsin” për herë të parë pas gjysmë shekulli në poltronën e kampiones së Anglisë. Bujë e madhe në Londër, sido që në Kupën e Kampionëve “Çelsi” i Murinjos u mënjanua më gjysmëfinale nga “Liverpuli” i Benitesit. 

Në sezonin 2005-06 Murinjo kërkon përsëri përforcime dhe përsëri Abramoviçi me një të tundur të kokës plotëson lakmitë e tij përvëlake; tani ai që do të mbiquhet “special one”, ka në dispozicion edhe ganezin Esien, francezin Diara, zviceranin Filips, gjermanin Huth … dhe sërishmi “Çelsi” është kampion, në një kohë që Murinjon nuk e ha fare meraku se rrethi lojatëve pe….Anglie- Terri Koul, Lampard Xhonson, Brixh… po ngushtohet gjithnjë e me shumë, ose tani ata mbeten më shpesh në stol, për t’u zëvendësuar nga ..ndërkombëtarët e mësipërm “jabanxhinj”. 

Nami i Murinos rritet. Biri i një ish-portieri modest në Setubal, qytet ku Murinjo ka lindur, pastaj vetë futbollist, (portier), i stërvitur nga i ati, por pa të ardhme, ai nis e studion skemat taktike, merret me statistikë sportive, arrin të bëhet ndihmës dhe përkthyes i anglezit të famshëm Robson, që drejton “Barcelonën”, studion për futboll në Skoci, bëhet profesor i kulturës fizike, për të tërhequr më pas vëmendjen e botës së futbollit, siç e pamë me “Porton”, më 2004. 

Por prapë në Çempions Ligën e sezonit 2005-06 është “Barcelona” që ia këput ëndrrat për t’u bërë kampion i Evropës. Pozitat e Murinjos lëkundën, kur nuk e fillon mbarë Premier Ligën e sezonit 2006-07. Këtë radhë Abramoviçi, që e ka ngritur në qiell, ai që me një të tundur të kokës, siç e pamë ia ka plotësuar çdo lakmi, përsëri tund kokën, por, për ta dëbuar, sido që në paqe dhe, mbi të gjitha… padrejtësisht. Po kështu e kanë miliardero-presidentët!…. 

Mbetet në asistencë për disa muaj, kur, pa pritur për të kujtohet një tjetër “Abramoviç”- italiani Morati, një ndër perandorët e vajgurit në Evropë që me fshehtësinë më të madhe, që të mos e marrë vesh askush dhe veçanërisht Mançini, trajneri i “Interit”, në pranverë të 2008-ës i kërkon që pasi të dëbojë këtë të fundit, të jetë trajner i skuadrës së tij , me një pagë prej 10 milionë eurosh në vit!… Dhe Murinjo, s’do mend, pranon, i futet italishtes që, si gjuhë neolatine, disi e përafërt me portugalishten dhe me spanjishten, të cilën e ka si gjuhë të dytë, e “than” aq mirë atë , sa habit jo vetëm Moratin, por edhe vetë italianët, kur jep “serbes” intervista në radio e tv. 

Kështu Murinjo bëhet “kallauz” i një skuadre italiane, pa ..italianë, sepse edhe ndonjë kokërr si Materaci, që ka qenë edhe kampion bote më 2006 dhe ka shënuar golin e barazimit me kokë, në takimin final me Francën, e cila solli 11-metrshët e fituar pastaj nga axurrët, mbetet në stol. Por kjo nuk prish punë “special one-s” ,që është mësuar me këtë “tabijat” të tij dhe të presidentëve, qysh me “Porton” e pastaj me “çelsin”. 

Duke vazhduar punën e Mancinit, Murinjo fiton edhe kampionatin e këtij sezoni dhe në sezonin e ri 2009-10, për “forcë zakoni” kërkon të tjerë lojtarë, por jo italianë. Kështu Murinjo- Napoleonit i shtohen menjëherë “ushtaro- oficerë” me reputacion mbarë botëror;: në mbrojtje, veç brazilanit Majkon, vjen braziliani tjetër Lusio, mesfushori holandez Snajder, mesfushori tjetër brazilian Tiago Mota, sulmuesit Milito ,(Argjentinë), Pandev, (Maqedoni) dhe në vend të Ibrahimovicit që largohet i pakënaqur, fiton Eton e “Barcelonës”. Plot 5 lojtarë brenda pak kohësh! Të gjithë të huaj! Dhe “Interi” fiton, ndonëse këtë herë sharra i has në gozhdë. 

Kur edhe pas fazës së parë të sezonit 2009-10, udhëhiqte kampiontin italian me 8 pikë për “special ones-in ” filloi “rënia e lirë”: ”Sampdoria” –“Inter” 0-0,”Katania”- “Inter” 3-1, ”Xhenova”-“Inter”0-0, “Palermo”-“Inter” 1-1 dhe më 28 mars 2010, “Roma-“Inter”, në stadiumin “Olimpik” 2-1. Por pastaj humbja e “Romës’ në takimin me “Sampdorian” nxori rastësisht “Interin” kampion të Italisë… 

Për mendimin tim edhe Kupën e Kampionëve të sezonit 2009-10 që u mbyll me finalen kundër ”Bajernit”, “Interi”, në një mënyrë ose një tjetër e ka dhuratë nga gjyqtarët. Në takimin e kthimit kundër “Barcelonës” , në Milano, kur rezultati ishte 2-1 për interistët, Milito shënoi golin e tretë, kur vetëm një gjyqtar miop nuk mund të dallonte se ai u ndodh para portës kundërshtare të paktën një metër jashtë loje.!..Por gjyqtari, që ishte edhe… portugez, bëri shenjë që topi të vihej në qendër: 3-1 ,(ndeshja e parë në Barcelonë 0-1, pra 3-2) dhe “Interi” i Murinjos u ndodh ne finale me “Bajernin”, më i dobët se kurrë të cilin “Interi e mposhti 2-0, duke fituar kështu falë lojtarëve, të tërë të huaj, të ashtuquajturën triplet, (titullin kampion, Kupën e Italisë dhe Çempionsin). Pas këtij trimfi Murinjo mori udhën për në Spanjë, te mbretërorët e Madridit 

Ta ndjekim tani në vendlindjen e Don Kishotit gjatë sezonit 2010-11. Me të mbërritur në shtatmadhorinë e “Realit”, me t’u takuar me presidentin Perez, që kishte larguar Pelegrinin për drejtim të dobët të skuadrës, ( por harronte që Kakaja dhe Ronaldo dy më të mirët, në pjesën më të madhe të ndeshjeve qenë hijet e tyre), Murinjo i kërkoi atij pa ngurruar një grimë… përforcime. Dhe Perezi, si Abramociviçi dhe më pas Morati, nuk ia prishi “speshell uanit” këtë huq. Por këtë radhë ai nuk tundi kokën se, siç duket e quajti të tepërt, por vetëm sa… puliti sytë dhe kësisoj në klanin madrilen veç e kur ia behën gjermano-turku Ozil, gjermano -marokeni Kedira, argjentinasi Di Maria, 

Sidoqoftë, në luftë me “Barcelonën” Murinjo fiton vetëm kampionatin spanjol të sezonit 2012-13, por nuk arrin t’i japë për të dhjetën herë këtij klubi kupën e Cempions Ligën… Dhe presidenti Peres e largon nga “Reali’”. Veç të tjerash edhe për sjelljet e tij të pashijshme dhe për grindje me disa nga lojtarët.. huq i vjetër i tij… 

Peresi nuk harron edhe sjelljet rrugaçërore të Murinjos para kamerave, sidomos atë që ndodhi në gusht të vitit 2012 kur pas ndeshjes së humbur me “Barcelonën” për Superkupën spanjolle, i nguli gishtin në sy Vilanovës, zv. trajner i skuadrës kundërshtare, dhe u dënua kështu për të 20-tën herë me gjobë e cila, duke shtuar dhe gjobat e tjera për sjellje skandaloze,të arrin shumën prej 800 mijë eurosh… 

I ndodhur pa skuadër, është Abramovici që e fton këtë “djalë plan prishës” të kthehet sërishmi në shtëpinë e vet, pra me “Çelsin”. Por, me sa duket, që të mos përsërisë huqet e mëparshme. Mirëpo “ujku qimen e ndërron, por zakonin jo”. Dhe kështu Mou vazhdon me tabijatet e veta mëkatore.. ndonëse në sezonin e 2014-15 fiton me “Çelsin” kampionatin, që është një kompensim pas mënjanimit në çerekfinale të Çempions Ligës nga “Pari Sen Zhermeni” i Ibrahimovicit. 

Se ç’ndodhi gjatë sezonit 2014-15, kjo ta tashmë është një histori tragji-komike e Murinjos që e dimë, ndonëse ai thekson se shumë nga ato që ndodhën ishin pasojë edhe disa futbollistëve që e “tradhtuan”, ose më shkoqur, që nuk e duan. U dëbuan më 16 dhjetor të vitit 2014 kur “Çelsi ndodhej në vëndin e 12.. 

Tashmë ”special one” mbeti shumë pasuri … pa punë. Mirëpo, sipas kontratës së zgjidhur, Abramoviçi e shpërbleu me as më shumë dhe as më pak se rreth 40 milonë euro!.. 

Dhe ja, pas një viti pushimesh luksose, në sezonin 2015-16 Mou gjeti “strehë” te ”Mançester Junaitedi” i Fergusonit legjendar, që e kishte ngritur lart lavdinë e këtij klubi dhe që Mou e kishte lakmuar pre kohësh. Dhe këtu vazhdoi havazun e vjetër. Si gjithnjë mendjemadh, arrogant jo vetëm në futbollistët, sidomos me Pogbanë, por edhe me shikuesit në stadium. 

Mou mundi të fitonte vetëm Kupën e UEFA në sezonin 2016-17; në sezonin e Çempionsit 2017-18 u mënjanua që në çerekfinale nga “Valencia” dhe të dielën e kaluar humbja nëkampionat me “Liverpulin” 1-3, ku dy golat e fundit i shënoi kosovaro-zvicerani virtuoz Shaqiri, shënoi edhe rënien e tij të katërt duke e lënë “Mançester Junaitedin” në vendin e 6-të, me 26 pikë, me 13 pikë nga vendi i 4-t,  që siguron pjesëmarrjen në Çempions Ligë, dhe 21 pikë larg vendit të parë, me 7 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje dhe golaverazh 29-29 , dukuri që nuk ka ndodhur gjatë 28 vjetëve të fundit të historisë së këtij klubi legjendar. 

Jo më kot, pas kësaj rënieje, një gazetë e madhe angleze e cilësoi Murinjon jo më “special one”, (“i veçanti”), por “special once”, pra që…na ishte një herë “i veçantë…”. 

4 komente në “Rënia e katërt e Murinjos”

  1. poli says:

    Shkrim i ceket, Terry dhe Lampard kan qen shtyllat e celsit. Ne ndeshjen kundra barcelones, interi luajti me 10 lojtar. Nji karton i kuq i komplet i pamerituar fale stimulimit te busquets.

    1. Sabriu says:

      Chez..Terry…Lampard..drogba…fitoj me ta dhe di mateo chl ndoshta dhe une po te isha trajnier i tyre

      1. Hiqmet says:

        I kane rene shume kuotat…i pelqejne lojtare druvare..tipike blerjet e MU.lukaku.matich..u be si plakat sherrexheshka dhe llafazene…nuk jep me.

  2. Gramoz says:

    I dashur Skifter, ndeshja e pare gjysemfinale per Ligen e Kampioneve me Barcelonen me 2010 u luajt ne Milano dhe ndeshja e kthimit ne Barcelone. Jam dakort qe Maurinjo ishte me fat, por duhet t’i japim kredi se ishte i zoti te shfrytezoje mundesite dhe shanset qe i dolen ne jete dhe u be shume i pasur. Tani Manchester United duhet t’i paguaje te pakten 40 milione te tjere, sepse eshte ne fillim te kontrates se dyte, qe skadon ne fund te vitit 2021.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje