Renditja e dy fazave/ Skënderbeu për mbijetesë dhe Partizani larg kreut, ja si ka ndryshuar situata

24 Dhjetor 2018, 15:03Sport TEMA

Pas mbylljes së fazës së dytë skuadrat do të kenë disa ditë pushim dhe do të shijojnë festat e fundvitit larg futbollit dhe fushave të blerta.

Kur deri më tani janë luajtur dy faza në Superiore, ose e thënë ndryshe gjysma e kampionatit, kanë nisur të dalin në pah skuadrat të cilat do të synojnë titullin kampion, ato që shohin Europën në horizont, apo edhe ato të cilat kënaqen me një mbijetesë të mundshme.

Natyrisht, asgjë nuk është përcaktuar ende, duke qenë se është një nga kampionatet më të çuditshme të viteve të fundit dhe këtë po e tregojnë rezultatet surprizë nga java në javë.

Nëse në fundin e fazës së parë flitej për një rivalitet të ashpër të Skënderbeut dhe Partizanit për titullin kampion, gjatë fazës së dytë kanë ndryshuar plotësisht gjërat. Partizani, e sidomos Skënderbeu kanë qenë larg pritshmërive në këtë fazë të dytë, me Teutën e Kukësin që kanë arritur të fitojnë disi terren në renditje.

Fundi i fazës së parë njihte Partizanin si ‘kampion’ ndërkohë që vendi i dytë ruhej me fanatizëm nga Skënderbeu, për të kaluar më pas te Kukësi, Laçi e Teuta. Gjithçka ka ndryshuar në fazën e dytë. Në nëntë takimet e kësaj faze, Teuta ka qenë dominuese me asnjë humbe dhe më e mira me pikë, e ndjekur nga Kukësi e më pas Partizani. Nëse llogaritë bëhen sa i përket pikëve të grumbulluara, Teuta ka rikuperuar plot 5 pikë, ndërsa Kukësi 2 pikë. Rënie nga pikët ka pasur Partizani, që në fundin e fazës së dytë, numëron 7 pikë më pak se në fundin e fazës së parë.

Për të kaluar më pas te Skënderbeu, faza e dytë ka qenë një fazë për t’u harruar. 4 humbjet radhazi dhe 5 humbje në 9 takimet e fundit, kanë lënë në rënie të lirë Skënderbeun, që në renditjen e fazës së dytë, numëron vetëm 10 pikë, 4 më shumë se Kastrioti i vendit të fundit dhe 2 më pak se rënia nga Kategoria. Megjithatë, herët për të folur pas do të luhen dhe dy faza të tjera dhe siç kishte ndryshime në këto dy faza, mund të ketë edhe më tej. /VipSport.al/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje