Nga Namir Lapardhaja
“Si mund të më kuptosh mua ti, kur s’ke lexuar Kafkën, Kunderën, Fukonë, Ruzhdinë, Barthin?!” – i hakërrehej shitësit të dyqanit të fruta-perimeve në periferi të qytetit B. shkrimtar i madh L.
Më tej shkrimtari ynë “gjeni”, me disa fraza gadra-badra e krejt pa kuptim për shitësin e ngratë, përsëriste në mënyrë rituale fjalët: “idiotë”, “injorantë”, “i padenjë për punën që kryen”… etj., merrte fruta-perimet që shitësi sapo kishte peshuar, paguante lekët dhe ikte triumfalisht. Si për çudinë e të gjithëve, askush nuk e kundërshtonte ose t’i thoshte diçka që të ndalte këtë marrëzi, edhe pse kjo situatë përsëritej edhe kur shkonte tek furrxhiu i lagjes, edhe tek dyqani i peshkut, madje edhe tek një këpucar, tek i cili duhet të kalonte përditë i detyruar përpara se të shkonte në shtëpinë e tij.
E njëjta sjellje vazhdonte me të gjithë që takonte prej kohës kur kishte lexuar diku se gjenitë e mëdhenj, si Van Gogu, Bethoveni, Cvajgu… etj., kishin kaluar në tisin e marrëzisë përpara se të bëheshin të mëdhenj dhe bota t’i pranonte për të tillë.
Kishte një dilemë të madhe shkrimtari ynë: të bëhej njëherë shkrimtar i madh dhe pastaj, dorë pas dore, të pësonte atë çarjen e madhe në kokë, për t’u shfaqur “crazy” para adhuruesve të tij, që tani mungonin, apo të çmendej a marrosej dhe pastaj dalëngadalë të ngjiste shkallët e pjerrta të lavdisë prej shkrimtari.
Madje, një natë, teksa rrëkëllente me miqtë e tij filxhanin e kafesë turke, kishte parë thellë në fundin e zehertë, sikur diç donte të lexonte, dhe në jerm e sipër pat deklaruar: “Servantesi ka qenë më i çmendur se Don Kishoti…”
Aty mori rrugët edhe “gjeniu” ynë i pakuptuar prej askujt për t’u bërë i njohur ndërkombëtarisht.
Shpallja e tij i çmendur filloi me ngjyrat e forta dhe me një kombinim të theksuar midis së verdhës indiane me të kuqen ekzotike të karaibeve, me ngrënien e farave rrugës, e herë të tjera në një dorë misrin e në dorën tjetër akulloren, apo në kombinimin e xhinseve të kuqe, shapkave blu dhe këmishës lejla. Kur të gjithë ecnin, ai vraponte, kur të gjithë flinin, ai zgjohej, kur të gjithë festonin, ai trishtonte.
Shkrimtari ynë i madh e thelloi aq shumë ikjen e tij prej të çmenduri saqë ndër normalët nuk u kthye dot më, pavarësisht kohës mjaft të gjatë që kaloi në këtë rrugëtim dhe në këtë përpjekje.
Fill pas ikjes, u pa se llogaritë nuk i kishin dalë edhe aq keq: çuditërisht i gjithë qyteti që nuk e pranonte më parë si shkrimtar, i hapi krahët dhe e mirëpriti si të çmendur: “Është ai i ikuri! – thoshin”.
Kulmi i marrëzisë arriti kur në sheshin e qytetit, teksa bisedonte me disa lexues të nivelit mediokër, siç kishte qejf t’i quante ai, do të deklaronte në mënyrë solemne se Kundera në veprën e tij të fundit i kishte kopjuar në mënyrë të shëmtuar disa pasazhe nga vepra e parafundit e shkrimtarit tonë. Kur i thanë se ti nuk ke shkruar në frëngjisht dhe se Kundera nuk ka pasur mundësi të të lexojë në shqip, ai iu përgjigj: “Injorantë, ju jeni thjesht disa lexues mediokër të padenjë për artin tim, ngase ju nuk e dini se mes shkrimtarëve të mëdhenj ekziston një marrëdhënie e tillë nëpërmjet topuseve universale dhe jo domosdoshmërisht duhet të më ketë lexuar që të më ketë kopjuar, por mund të më kopjojë edhe pa më lexuar fare…!”
Vitet kalojnë edhe për shkrimtarin tonë të madh dhe mrekullia duket se ka ndodhur vërtet: të çmendurit kanë filluar ta marrin për shkrimtar, kurse lexuesit dhe shkrimtarët për të çmendur.
I ke frazat shume te shtisura djalosh. Dhe sa per dijeni, thuhet furrtar, jo furrxhi
???.Vura kepuce se nuk gjeta atlete