Thomas Brey, i Deutsche Welle, ka bërë një shkrim për ngecjen e Ballkanit drejt Bashkimit Europian.
Ai ka bërë një analizë të gjashtë vendeve të Ballkanit që synojnë BE-në, mes të cilave edhe Shqipëria.
Ja çfarë shkruan Brey për Shqipërinë:
“Shqipëria që i ka dalë nami si “Kolumbia e Europës”, ende nuk shënon suksese të ndjeshme dhe të qëndrueshme në luftën kundër kultivimit të drogës.
Edhe reformat politike, si ristrukturimi i drejtësisë kanë ecur ngadalë”.
“Viti 2018 për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën mund të quhet çdo gjë tjetër, por jo vit suksesi.
Vërtet që Shqipëria dhe Maqedonia arritën si vende kandidate që Brukseli në qershor të vitit të ardhshëm të hapë negociatat e anëtarësimit. Por se si do të jenë forcat politike në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve europiane, e nëse do të ketë një shumicë për të hapur negociatat kjo nuk dihet”, shkruan ai.
Pse ndikon kaq pak politika e BE-së në Ballkan?
“Cili është shkaku i dështimit të deritanishëm të BE në Ballkan”, pyet ekspertja Gudrun Steinacker. Ajo ka qenë ambasadore në Shkup dhe Podgoricë dhe konsiderohet një nga njohëset më të mira të rajonit. Për herë të parë ka folur dikush nga qarqet e brendshme për deficitet e politikës së Ballkanit. Steinacker kritikon veçanërisht strategjinë e re të BE për Ballkanin Perëndimor të paraqitur në shkurt të këtij viti. Aty “gjenden analiza, por jo receta të reja”, thotë ajo. Nga ana tjetër reflektohet shumë pak “në mënyrë vetëkritike se çfarë ka ndodhur dhe çfarë duhet bërë”. Gudrun Steinacker shikon një gabim sistemik të BE-së në Ballkan. Përgjegjësi bëhet zbatues, sipas saj. “Të njëjtat qeveri, në masë të madhe me të njëjtët politikanë, që janë përgjegjës për gjendjen kritike do duhet tani të rregullojnë punët”.
Edhe ekspertë të tjerë në Ballkan arrijnë në të njëjtat përfundime: Ekonomisti amerikan me origjinë nga Beogradi, Branko Milanovic, drejtori i degës boshnjake të Transparency International, Srdjan Blagovcain e të tjerë theksojnë se në sistemet politike të 6 vendeve të Ballkanit bëhet fjalë për gjoja-demokraci, ku përmes manipulimeve masive, në krye del gjithmonë vetëm një parti.
Nga ana tjetër parti jodemokratike të prera për kryetarin e tyre e sigurojnë pushtetin përmes një sistemi klientelist. Në qendër të politikës nuk janë programe liberale dhe ideologji, në qendër është vjedhja dhe synimi që të mirat e siguruara të shpërndahen tek klanet e mbështetësve.
Ekspertët perëndimorë dhe vendas janë të mendimit, se kjo gjendje e vështirë mund të përmirësohet vetëm me tërheqjen e shoqërisë civile, mediave dhe organizatave jofitimprurëse. Sepse politikanët e gjithpushtetshëm do të bëjnë gjithçka për të ruajtur monopolin e pushtetit. Si pasojë, BE-së ata i provojnë se kanë vullnetin për gjoja reforma. Por rregulloret e ligjet më të mira nuk kanë asnjë efekt, nëse nuk praktikohen. Në të vërtetë bëhet gjithçka në Ballkan për të penguar modernizimin dhe progresin ashtu siç kuptohet në BE. Sepse një gjë e kanë të qartë të pushtetshmit në Ballkan: Nëse normat e BE vërtet vihen në jetë, ata e kanë të humbur pozitën.(TemA)
Kolumbia e Evropes
–
Afganistani i Evropes
–
Albanistani i Evropes