Shpërthimi i një centrali elektrik në Nju Jork, përveç se ka tronditur disa zona të saj, ka ngjallur edhe kureshtje tek banorët.
Ngjarja u shënua rreth orës 21:00 të kësaj të enjte, ku qielli mbi Queens mori ngjyrën blu.
Autoritetet bëjnë me dije se nga shpërthimi i centralit “Con Edison” nuk raportohen viktima.
Ndërkohë, mjaft Manhatanas të kuriozuar nga pamja e horizontit, postuan filmime në rrjetet sociale duke ngritur hipoteza mbi alienët.
Ndërkohë, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut sqaroi zyrtarisht në Twitter se shkak ishte bërë shpërthimi i centralit dhe se nuk kishte “asnjë dëshmi të aktivitetit jashtëtokësor”.
Vetë subjekti “Con Edison” dha një shpjegim për këtë:
“Kishte një zjarr elektrik të shkurtër në nënstacionin tonë në Astoria, i cili përfshiu disa transformatorë elektrikë dhe shkaktoi një rënie të transmetimit në zonë. Aktualisht po hetojmë arsyen e incidentit”, nënvizoi në Twitter centrali Con Edison.
Nga ana tjetër, departamenti i zjarrfikësve në Nju Jork konfirmoi se kishin marrë raportime të shumta të shpërthimeve në zonën e Long Island City dhe Astoria.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio konfirmoi se drita e jashtëzakonshme ishte “shkaktuar nga mbingarkesa elektrike në nënstacion”, duke shtuar se aktualisht nuk kishte zjarr dhe as lëndime në njerëz. (K.V, TemA)