Dita e parë e vitit sjell edhe ndryshimin e presidencës së BE-së. Rumania merr drejtimin e Bashkimit Europian, për herë të parë. Asaj i duhet të ndërtojë një axhendë drejtuese në një moment jo të lehtë, me një BE që përballet me zgjedhjet parlamentare, Brexit-in dhe krizën e emigrantëve.
Në lidhje me këtë sfidë, edhe vetë Brukseli ka dyshime. Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, thotë se dyshon që Rumania do të mund të kapërcejë problemet e veta dhe ta drejtojë Unionin siç duhet.
“Qeveria e Bukureshtit nuk e ka kuptuar ende plotësisht çfarë do të thotë të drejtosh vendet e BE-së. Veprimet e kujdesshme gjatë presidencës kanë të bëjnë me gatishmërinë për t’i dëgjuar të tjerët dhe për t’i lënë në hije problemet e tua. Në këtë pikë kam dyshimet e mia”, thotë Juncker.
Edhe OJQ-të në Rumani ndajnë të njëjtin mendim.
Aktivistja Laura Stefan nga grupi ‘Expert forum’ dhe ish-zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë mendon njësoj.
“Liderët rumunë janë të fokusuar te problemet e tyre me ligjin, e kanë mendjen si t’i shpëtojnë burgut. Kemi parë një qeveri që ka vetëm një prioritet: t’i shpëtojë zyrtarët e saj nga prangat e të garantojë pasuritë e tyre, në vend që të drejtojë vendin siç duhet. Mendoj se ky është shqetësimi kryesor i BE-së në lidhje me Rumaninë”, thotë ajo.
Rumania, e cila muajt e fundit është pëfshirë në protesta masive antiqeveritare, do ta mbajë presidencën e BE-së deri në fund të korrikut. Pas saj, radha i takon Finlandës.(TemA TV)