Mërgim Mavraj, njeriu i polemikave që s’pranon kurrë faje

4 Janar 2019, 16:56Sport TEMA

Të jesh shpesh në qendër të polemikave, do të thotë se karakterin e ke të tillë: je i prirur të krijosh situata që ngjallin diskutime. Çdokujt mund t’i ndodhë në jetë mes polemikave, por kjo mund të jetë rastësi. Ata që polemikat i ndjekin nga pas, siç është rasti i kapitenit të Kombëtares, Mërgim Mavraj, e kanë nëtyrën të tillë, ndoshta u pëlqen të kenë vëmendjen e publikut, edhe pse në sensin negativ. Mbrojtësi kuqezi, që kur ka veshur fanellën e Kombëtares, krijon gjithmonë polemika, Brenda dhe jashtë fushe, dhe thuajse asnjëherë nuk pranon fajet e veta.

Polemika e fundit e krijuar nga mbrojtësi 32-vjeçar është ajo e largimit nga Arisi i Selanikut. Akuza pa fund nga futbollisti i lindur në Gjermani për drejtuesit e klubit grek: mungesë respekti për të si lojtar dhe si njeri dhe thashetheme. Po Mavraj vetë, a bindi?

A ishte ai në nivelin që prisnin grekët, të cilët e trumpetuan me ta madhe blerjen e kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë? Me sa duket, jo. Sepse, logjikisht, nuk kishin pse të shprehnin pakënaqësi ndaj një lojtari, nëse do të ishte në nivelin e duhur dhe do t’i bënte punë ekipit. Mavraj nuk ka pranuar asnjë mangësi të tij për periudhën tek Arisi, ku shpesh e ka parë veten në stol dhe trajneri nuk ka pasur ndonjë inat personal me të.

Kalimi i Mavrajt në Greqi u shoqërua me një lloj skepticizmi, jo vetëm për formën sportive, por edhe për faktin se ai është një besimtar mysliman praktikant dhe në një vend të besimit ortodoks mund të kishte probleme. Dhe koha vërtetoi gjithçka, pasi Mërgim Mavraj vetëm pas pak muajsh në Greqi prodhoi polemikat e radhës, për t’i shtuar ato në “arkivën” e pasur të karrierës së tij.

Polemikat e kanë shoqëruar edhe në Kombëtare, madje që në fillim, por Mavraj e ka pasur shumë të vështirë të pranojë fajet e tij. Në ndonjë rast, siç ishte ndeshja me Skocinë, ka debatuar krejtësisht pa sens me gazetarët për kartonin e kuq të marrë për goditje të kundërshtarit me kokë, duke mohuar veprimin.

Më pas, i kryqëzuar nga të gjithë, është detyruar të kërkojë falje publike, por “sa parë bën?” Polemika edhe me trajnerin Panuçi, i cili pas humbjes në Izrael theksoi se skuadra është memece në fushë, duke iu referuar gabimit të golit të parë, ku përgjegjës kryesor ishte Mavraj, me shiritin e kapitenit në krah, që aq shumë e kishte kërkuar. Edhe këtë radhë mbrojtësi iu shmang fajit.

Polemika edhe te Hamburgu, ekipi i madh gjerman, që e degdisi në ekipin e dytë, duke e konsideruar fajtor për rezultatet e dobëta. Edhe në këtë rast ai fajësoi drejtuesit e klubit gjerman se e kishin personale me të, sepse donin ta largonin nga skuadra.

Mërgim Mavraj, për shkak të besimit të tij, ka refuzuar të mbajë fanellën e Kombëtares me sponsor emrin e një marke të njohur birre, por kjo është një e drejtë e tij dhe askush nuk mund t’i imponohet. Polemika edhe në jetën private, ku ish e dashura e tij gjermane e ka akuzuar se nuk është një besimtar real mysliman dhe se e ka tradhëtuar shumë herë.

Polemika kishte edhe për ardhjen e tij në Kombëtaren e Shqipërisë. Në vitin 2012 ka pasur edhe një refuzim të tij për të qenë kuqezi, pasi joshej nga Gjermania (kishte luajtur me kombëtaren U-21 gjermane), por vendimi përfundimtar, ndoshta i detyruar, ishte për të luajtur për Shqipërinë.

Në atë kohë tifozët e akuzuan për tradhëtar, por më pas erdhi paqja, pasi futbollisti shkoi me megafon te tifozët për t’i karikuar ata. Ka dhënë një kontribut të madh në fushë në suksesin historik të Shqipërisë për kualifikimin për në Francë 2016, kjo nuk diskutohet, ashtu siç nuk diskutohet edhe fakti që Mërgim Mavraj është një njeri mjaft polemizues dhe aspak i përulur për të pranuar gabimet.

Në fillimet e karrierës shumë gjëra mund t’i faleshin, sepse çdo njeri bën gabime dhe mëson, por Mavraj e ka shumë të vështirë, gati të pamundur t’i pranojë fajet e veta, ndaj dhe shpesh e tepron, duke qenë në qendër të polemikave edhe si veteran. Ky është kapiteni ynë…(Gazeta Si)

1 komente në “Mërgim Mavraj, njeriu i polemikave që s’pranon kurrë faje”

  1. Likja says:

    Mavraj duhet te kuptoje qe jo ne te gjitha rastet fajin ja kan te tjeret.Ai dhe ne ekipin kombetar eshte fajtori kryesor i rezultateve negative.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje