Një luftanije amerikane që shërben për shkatërrim të raketave ka hyrë në ujërat e Detit Jugor Kinez dhe është vendosur afër ishujve të kontestuar, ndërsa Kina e ka vlerësuar si provokim këtë veprim të forcave amerikane, pasi zyrtarët e SHBA u bashkuan bisedimeve në Pekin për një armëpushim të një lufte tregtare mes dy vendeve.
“USS McCampbell realizoi një operacion të liri “navigimi”, duke lundruar brenda 12 miljeve detare të zinxhirit të ishujve Paracel, “për të sfiduar pretendimet detare“, tha zëdhënësja e Flotës Paqësore Rachel McMarr në një deklaratë.
“Operacioni nuk ka të bëjë me asnjë vend apo për të bërë një deklaratë politike“, tha McMarr.
Deklarata erdhi pasi bisedimet tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara ishin në proces në Pekin, raundi i parë i diskutimeve ballë për ballë pasi që të dy palët ranë dakord për një armëpushim 90-ditor në një luftë tregtare që ka tronditur tregjet ndërkombëtare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lu Kang tha se sjellja e anijes amerikane kishte shkelur ligjin kinez dhe ndërkombëtar dhe Kina e dënoi këtë veprim.
“Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara që menjëherë të ndërpresin këtë lloj provokimi,” tha ajo, duke shtuar se Kina kishte dërguar anije ushtarake dhe avionë për të identifikuar dhe paralajmëruar anijen.
I pyetur për kohën e operacionit gjatë bisedimeve tregtare, Lu tha se nga zgjidhja e çështjeve nuk do të përfitonin vetëm dy vendet por dhe bota.
“Të dy palët kanë përgjegjësinë për të krijuar atmosferën e nevojshme pozitive për këtë,” tha ajo.
Kina e konsideron pjesën më të madhe të Detit të Jugut si territor ujor të vetin dhe shpesh i kritikon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për operacionet detare që kryhen në këtë zonë, shkruan “Reuters”.
Por edhe Vietnami, Filipinet, Brunei, Malajzia, Indonezia dhe Tajvani kanë pretendime për ishujt në rajon. (TemA TV)