Kampionati shqiptar ka treguar se di të prodhojë lojtarë, të cilët kanë shfrytëzuar më së miri momentin e tyre për të bërë hapa përpara në karrierë.
Gjithmonë elita e futbollit në vend ka ditur të importojë talente, edhe pse ndoshta pa arritur përfitimet e duhura financiare.
Në të shkuarën, Odise Roshi, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi dhe më pas Peter Olaynka, Liridon Latifi, Sidrit Guri dhe Kristal Abazaj kanë ngritur lart emrin e Kategorisë Superiore.
Rasti i Myrto Uzunit është i fundit dhe për më tepër ka një specifikë të veçantë. Lojtari, që tashmë është një pikë referimi në Kombëtare, vjen pas një pune të gjatë te moshat e Tomorit, më pas tek Apolonia dhe së fundmi te Laçi, ku shpërtheu me lojën dhe golat e tij, për të mbushur gjithashtu arkën klubit kurbinas.
Pikërisht bardhezinjtë janë skuadra që kanë në përbërje më shumë futbollistë të rinj, të cilët premtojnë që në të ardhmen të jenë lëvizjet e bujshme drejt një kampionati akoma më të fortë.
Ajo që vihet re këtë edicion është fakti që të gjitha skuadrat kanë në përbërje të rinj të talentuar dhe premtues, duke zgjuar shpresën se futbolli në vend ka të ardhme të sigurt.
Pinari: Është diçka pozitive aktivizimi i djemve të rinj në Shqipëri, si për lojtarët edhe për klubet. Duhet të ndodhë në vazhdimësi.
Jupi: Ka dy vjet që klubet po hedhin sytë nga të rinjtë. Më përpara kanë qenë të paktë, Latifi dhe Shkalla, ndërkohë që ka aktivizim masiv. Ishte koha që duhet të vinte.
Luan Pinari dhe Redi Jupi nuk janë vetëm njohës të mirë të futbollit tonë, pasi prej vitesh merren edhe me trajnimin e fëmijëve, duke transmetuar pasionin dhe njohuritë e tyre te brezi i ardhshëm. Kënaqësia e aktivizimit të futbollistëve të rinj është evidente kudo në ambientet e futbollit. Në një periudhë krize financiare, është pikërisht elementi i ri që po spikat, edhe pse ndoshta gjërat duhet të ishin bërë disi më mirë.
Pinari: Mendoj që janë të ndërlidhura, është edhe domosdoshmëri ndryshimi i brezave, por ndoshta dhe kriza financiare. Është e ndërthurur që këto elementë të rinj të luajnë në elitë. Mendoj që këta duhet ta shfrytëzojnë këtë moment.
Jupi: Arsyet janë disa, problemet financiare kanë ndikuar. Ekzekutimi i kontratave detyron klubet që të tregohen të kujdesshëm. Kontratat sot ekzekutohen dhe nuk mund të bëhen kontrata të pavlefshme.
Nga domosdoshmëria për të ulur kostot financiare, te një strategji e mirëmenduar. Pinari dhe jupi kanë njëjtën këshillë për drejtuesit e skuadrave elitare, që punën me të rinjtë të mos ia lënë rastësisë.
Pinari: Klubet duhet t’i hedhin sytë tek të gjitha ekipet e moshave në Shqipëri. Duhet të ketë seleksionues të mirë, që të mos gabojnë dhe të jenë të sigurt për të ardhmen.
Jupi: Ky ishte hapi i parë dhe dalëngadalë do të fillojë formalizimi i të rinjve. Më vonë do të shohim se çfarë cilësie do të kenë këta futbollistë. Sot kemi të rinj, por nuk kanë cilësi, kanë sjellë freski fizike dhe entuziazëm. Tani fillon puna për të sjellë të rinj të talentuar në futboll. Lojtarët duhet të kenë orët e punës për t’u paraqitur denjësisht.
Një lojtar i ri mund të evidentohet vetëm nëpërmjet aktivizimit, por ndërkohë të luash me një të ri të talentuar kërkon guxim nga një trajner, që në plan të të parë ka pikërisht arritjen e rezultateve.
Pinari: Duhet të ketë besim nga stafet drejtuese, pasi, nëse ata i japin besim stafit teknik, atëherë ata nuk do të ngurrojnë të hedhin të rinj në fushë.
Jupi: Trajnerët kanë filluar të kenë guxim, por duhet të kenë mbështetje nga klubet. Rezultatet janë objektivi kryesor, megjithatë, bllokimi i trukimeve ka bërë që të kthehen sytë nga të rinjtë. Duhet krijuar një tendencë, futboll atraktiv, që në Europë të tregosh vlerat dhe të mund të shesësh lojtarë. Për momentin, duket se aktivizimi i të rinjve vjen i imponuar më shumë nga kriza sesa nga dëshira për të luajtur. (SS)