Vetëm një javë më parë, FSHF dhe presidenti Armand Duka mburreshin për iniciativën që kishin ndërmarrë për të sjellë në vendin tonë ekspertë të legjislacionit sportiv për një seminar rreth drejtësisë sportive e sidomos marrëdhënies me KAS të Lozanës. Në fakt pa kaluar mirë java, ky i fundit ka diskretituar plotësisht procedurat juridike me të cilat vepron FSHF, duke treguar skandalin se si institucioni i futbollit në vendin tonë theu çdo rregull të mundshëm në rastin kur i hoqi titullin kampion 2015-2016 Skënderbeut si rrjedhojë e hetimit të UEFA-s kundër korçarëve.
KAS i Lozanës e ktheu atë vendim ashtu si edhe titullin kampion të Skënderbeut, duke gjykuar se FSHF ka gabuar në interpretimin juridik të çështjes, edhe pse sistemi BFDS mund të merrej si provë kundër korçarëve. Në dokumentet e siguruara nga VIP Sport, është argumentimi i atij vendimi të dhënë nga KAS më 13 prill 2018 në të cilin shpjegohet se si Komisioni i Etikës, edhe pse përbëhet nga juristë, nuk ka respektuar rregullat më minimale të jurisprudencës sa i përket vendimit të marrë.
Sipas këtij dokumenti FSHF kishte bërë të ditur se kishte ndërtuar një bazë të re ligjore për dënimin e klubeve dhe individëve të dënuar për trukime ndeshjesh, të përfshirë në rregulloren e Disiplinës Sportive. Por si për çudi, dënimi i dhënë për heqjen e titullit kampion, dënimin me gjobë dhe heqjen e 12 pikëve, nuk ishte në përputhje me nenet që parashikonte rregullorja e re. Kjo pasi dënime të tilla jepeshin për raste kur kishte prova që personat, apo klubet kishin kryer manipulim ndeshjesh.
“Në analizën e faktorëve, Komisioni nuk arriti të provojë përfshirjen direkte apo indirekte të lojtarëve apo zyrtarëve të klubit në influencimin e një ndeshje kundër etikës sportive”, shkruhej në vendimin e FSHF-së që ëshët dorëzuar në KAS, duke hedhur kështu poshtë vetë vendimin e marrë sipas nenit 68/2.
Për të qenë më të ”sigurt”, në Komisionin e Etikës vendosën edhe nenin 134 të KDS në vendimin e marrë, i cili parashikon që ky komision të merrte vendime si të ishte legjislator, me pak fjalë sipas dëshirës. Sipas Panelit të KAS, Komisioni i Etikës nuk kishte pse të vepronte si legjislator në çështje disiplinore, mjaftonte të lexonte rregulloren.
Absurditeti vjen te pika kur FSHF, në janar 2018, argumentoi me një shkresë në KAS se “norma e re” mbi të cilën ishte ndërtuar dënimi i Skënderbeut, ishte propozuar nga Kryetari i Komisionit të Etikës dhe do t’u komunikohej klubeve në një kohë të dytë. Me pak fjalë, FSHF kishte dënuar Skënderbeun me një rregullore e cila nuk u kishte kaluar akoma klubeve e për të cilën nuk kishin dijeni persona jashtë zyrave të saj.
“Praktika e re e aplikuar nga Komisioni i Etikës në FSHF i jepte të drejtë të dënonte një klub vetëm për faktin se ka dyshime që është përfshirë në manipulime ndeshjesh, pa asnjë provë konkrete që klubi veproi në mënyrë të gabuar dhe pa prova që lojtarë e zyrtare ishin përfshirë. Paneli arriti në përfundimin që kjo praktikë nuk është e lejueshme”, shpjegohet në vendimin e KAS.
“Meqë nuk është e qartë se çfarë përbën praktikën e re të Komisionit të Etikës në FSHF dhe faktin se kjo praktikë e re nuk ia komunikua klubit, Paneli arrit në përfundimin se klubi nuk mund të ndëshkohet në bazë të kësaj praktike”, ishte argumentimi me të cilin KAS hodhi poshtë shumë shpejt vendimin qesharak me të cilin FSHF i hoqi Skënderbeut titullin kampion. (Vip Sport.al)