Muriq, djaloshi i akullt që u bë kanakari i Guardiolës

24 Janar 2019, 19:20Sport TEMA

Arijanet Muriq (Muric në bazë të një prej pasaportave të tij) ishte i panjohur deri para pak kohësh, por në sezonin aktual ka treguar se është një portier me të ardhme të shkëlqyer, aq sa është bashkuar me Kosovën dhe është kthyer një nga lojtarët e preferuar për Pep Guardiolën, i cili e ka graduar në portier të dytë.

Goal.com ka publikuar një shkrim të gjatë mbi jetën dhe karrierën e portierit 20-vjeçar, i cili pak nga pak po shijon futbollin e madh dhe pret me qetësi shansin për të debutuar në Premier League.

“Ishte gushti i vitit 2018, kur papritmas një britmë ushtoi mes kompleksit stërvitor Etihad. Shpejt u bë e qartë për lojtarët e Manchester City se diçka e keqe kishte ndodhur. Trajneri Pep Guardiola dhe lojtarët e tjerë nxituan drejt shokut të tyre, i cili po përpëlitej në tokë nga dhimbjet.

Djaloshi i pafat ishte Claudio Bravo, diagnoza e parë ishte e qartë: këputje e tendinës të Akilit. Papritmas, kampionët anglezë kishin një problem në pozicionin e portierit pas titullarit Ederson, sepse në verë ishin larguar Joe Hart dhe Angus Gunn. Logjikisht, nisën spekulimet e merkatos mbi portierin e ri që do të bashkohet me Citizens.

Emra të shumtë qarkulluan, por më së shumti mediat këmbëngulnin te Keylor Navas, i cili dukej se po e humbte vendin e tij në Real Madrid pas transferimit në Madrid të Thibaut Courtois.

Nga brenda, megjithatë, kishte kohë që ishte e qartë se çfarë do të ndodhte. As Navas dhe as ndonjë portier tjetër duhej ta zëvendësonte Bravon, por një njeri nga radhët e tyre: Arijanet Muriq, i cili vetëm tre javë më parë ishte huazuar te NAC Breda në Eredivisie.

City e urdhëroi Muriq të kthehej menjëherë. Që atëherë, 19-vjeçari u bë numri dy i kampionëve në fuqi të Anglisë, edhe pse nuk kishte luajtur asnjë ndeshje si profesionist për ta. Zgjedhje që i dha frytet më vonë.

Muriq ka lindur në Schlieren të Zvicrës, por ka tre pasaporta për shkak të prejardhjes së prindërve të tij: pasaportë zvicerane, malazeze dhe kosovare. Ai e filloi karrierën e tij të futbollit me Juventusin e Zyrihut, pasuar nga një qëndrim i shkurtër në FC Zurich, përpara se të bashkohej me Grasshoppers.

Interesante është se deri sa mbushi 11 vjeç, asgjë nuk linte të mendoje për një karrierë si portier profesionist për Muriq. Ai luante në rol tjetër, derisa një mik i babait të tij e bindi atë që të provohej si portier.

Muriq u bind, por ende përfiton nga vitet kur nuk ishte portier. Guardiola lavdëroi një herë cilësitë e Muriq në përdorimin e topit dhe e teproi paksa, duke thënë se portieri 1.98 i gjatë mund të luante edhe si qendërmbrojtës.

Muriq vesh fanellën e City-t prej vitit 2015, kur pesë-herë kampionët e Anglisë triumfuan edhe një herë ndaj rivalëve të egër në merkato. Përveç Chelsea dhe Tottenham, edhe Galatasaray, FC Basel dhe rivalët e Cityt, United, ishin në garë për Muriq.

Kështu, Muriq kreu provë në dy klubet e Mançesterit dhe në fund zgjodhi City-n.

Këtë vit, Muriq më në fund e bëri debutimin e tij profesional, vetëm katër javë pasi huazimi i tij ishte anuluar. “Ndoshta do të luajë, nuk kam vendosur ende”, deklaronte Guardiola në prag të ndeshjes së raundit të tretë në Carabao Cup (Kupa e Ligës) në Oksford.

Në fund, ai luajti titullar dhe mori pjesë në fitoren 3-0. Ai u lejua gjithashtu të luante në raundin e katërt, para paraqitjes spektakolare në çerekfinale. Bëhej fjalë për sfidën kundër Leicester City dhe Muriq u bë vendimtar me disa pritje të shkëlqyera te penalltitë. Aty ai u bë një hero.

Pas katër penalltive të para, rezultati ishte i barabartë, pastaj James Maddison e vuri topin te pika e bardhë. Ai synonte në këndin e majtë poshtë, Muriq u zhyt rrufeshëm dhe priti. Gabriel Jesus nuk gaboi më pas dhe City kaloi në kryesim.

Për Dhelprat e pati radhën Caglar Söyüncü, i cili zgjodhi krahun tjetër, por sërish Muriq priti dhe Oleksandr Zinchenko shënoi golin e kualifikimit. Muriq u bë njeriu i mbrëmjes.

“Ai ka akull në venat e tij”, e lavdëroi shoku i ekipit Kevin De Bruyne më pas. “Ai bëri atë që duhej të bënte, është një moment i këndshëm për të.”

Vetë fituesi i ndeshjes ruajti modestinë: “Unë po prisja për gjuajtjet dhe vetëm shikoja topin,” shpjegoi ai, i pyetur për strategjinë e tij gjatë penalltive.

“Aro është shumë i madh, por ai reagon kaq shpejt, mori vendimet e duhura”, tha Guardiola i kënaqur, “Ai e meriton këtë duartrokitje, ajo është një përvojë e mrekullueshme për të, ai është një djalë kaq i ndrojtur”.

Në fakt, Muriq nuk ka qenë gjithnjë kaq i ftohtë dhe i ndrojtur. Për një kohë të gjatë, Muriq konsiderohej si një lojtar gjaknxehtë. Kjo lidhet me karrierën e tij ndërkombëtare, sepse në vitin 2017, kur u grumbullua në ekipin kombëtar U21 të Malit të Zi në shtator, Muriq doli me karton të kuq sepse ndali me duar një top jashtë zone. Një muaj më vonë, ai ishte në formacionin titullar për herë të dytë. Çfarë ndodhi? Muriq oli sërish me karton të kuq, për shkak se goditi me kokë sulmuesin kundërshtar.

“Aro ka bërë disa gabime në të kaluarën,” tha trajneri i Man City U19, Simon Davies, për ESPN vitin e kaluar. “Gjithsesi, ai po fillon të kontrollojë gjithnjë e më shumë emocionet e tij. Pasioni duhet, por duhet ta mbash veten nën kontroll dhe ai po punon shumë për këtë”.

Megjithëse Muriq zgjodhi Malin e Zi, pavarësisht se kishte 3 pasaporta, ai kurrë nuk u grumbullua në ekipin A, ndoshta për shkak të incidenteve kur luante me Shpresat.

Kosova e nuhati shansin e vet dhe njoftoi në gusht 2018 se Muriq ishte bindur pas shumë bisedimeve për të përfaqësuar ekipin e ri ballkanas. Tre muaj më vonë, Muriq më në fund debutoi në Ligën e Kombeve, në një fitore 4-0 kundër Azerbajxhanit.

Të mërkurën, kur Manchester City siguroi kualifikimin për në finalet e Kupës së Ligës, Muriq luajti ndeshjen e pestë zyrtare me fanellën e City-t. “Ju duhet t’i gjykoni lojtarët në bazë të performancës në fushë, ai ishte i shkëlqyeshëm në këtë kompeticion”, garantoi Guardiola në lidhje me cilësitë e Muriq.

“Ai ka potencial të pabesueshëm, është i gjatë dhe me konstrukt të shkëlqyer, por njëkohësisht është i shpejtë dhe i fuqishëm”, tha spanjolli: “Ai ka guxim dhe mund të vërtetojë edhe një herë se sa i fortë është”.

Guardiola e di mirë: Mund të besojë pa frikë te Muriq – edhe pse nuk ishte e nevojshme pas fitores 9-0 në ndeshjen e parë kundër Burton Albion. Megjithatë, paraqitjet e tij të mira në Kupën e Ligës mund të kenë pasoja edhe më afatgjata.

20-vjeçari tani mund të ketë shanse të mira për t’u konfirmuar si numri 2 te City, edhe pas kthimit të Claudio Bravo-s. Nëse kjo ndodh, atëherë të paktën ndeshje të tjera në kupat e Anglisë janë të sigurta për Muriq. Në pritje të debutimit në Premier League…

1 komente në “Muriq, djaloshi i akullt që u bë kanakari i Guardiolës”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje