FOTOT/ Tragjedia me shembjen e digës në Brazil: Shtatë të vdekur dhe qindra të zhdukur

26 Janar 2019, 18:14Bota TEMA
FOTOT/ Tragjedia me shembjen e digës në Brazil: Shtatë të

Shtatë trupa janë gjetur dhe më shumë se 400 njerëz janë zhdukur pasi një digë që operohet nga gjiganti minerar Vale u shemb në shtetin brazilian të Minas Gerais, duke lëshuar një valë mbetjesh të xeherorit të hekurit dhe duke ngritur frikën për një kontaminim të gjerë të zonës.

Shefi i zjarrfikësve, koloneli Edgar Estevão tha se ishin shtatë të vdekur, nëntë të plagosur dhe 100 njerëz të shpëtuar nga deti i baltës lëshuar nga diga, sipas faqes së lajmeve G1.

Vale nxorri të shtunën në mëngjes një listë të të punësuarve dhe kontraktorëve që mungojnë. Dokumenti liston 412 emra të njerëzve të cilët kompania nuk ka qenë në gjendje t’i kontaktojë dhe mund të jetë viktimë e mundshme e rrëshqitjes. Brigada e zjarrfikësve vlerëson se kanë humbur 300-350 njerëz.

Presidenti Jair Bolsonaro vizitoi Minas Geraisin dhe fluturoi mbi zonën e fatkeqësisë të shtunën, pasi dërgoi atje tre ministra të premten.

Guvernatori i shtetit, Romeu Zema, u tha gazetarëve të premten se nuk priste shumë të mbijetuar. “Ne e dimë tani se shanset për të pasur të mbijetuar janë minimale dhe se me shumë mundësi do të bëjmë shpëtimin e trupave”, tha ai.

Shefi ekzekutiv i Vale-s, Fabio Schvartsman, u tha gazetarëve të premten se një digë që përmbante mbetje të xeherorit të hekurit kishte dështuar dhe një tjetër ishte përmbytur. Ministria e mjedisit e Brazilit më parë kishte thënë se në këtë fatkeqësi ishin përfshirë tre diga. Schvartsman tha se rreth 300 punonjës punonin në fabrikë dhe 100 u shpëtuan.

Kompania tha në një deklaratë se kishte vënë në dispozicion 40 ambulanca dhe një helikopter për operacionet e shpëtimit. Ata deklaruan se diga prej 86 metrash, e ndërtuar në vitin 1976, mbajti 11.7 milion litra mbeturina minerare dhe kishte deklaratën e gjendjes së stabilitetit nga një kompani ndërkombëtare e quajtur TÜV SÜD. Ajo nuk operonte më, inspektohej rregullisht dhe po çmontohej, tha kompania.

Por Vale po përpiqej të rriste kapacitetin në kompleksin e minierës ku ndodhej diga dhe në një minierë tjetër pranë saj, sipas Intercept Brasil, e cila nxorri në shtyp një raport nga Forumi Kombëtar i Shoqërisë Civile për Pellgjet Hidrografike, një rrjet grupesh të shoqërisë civile që u kishin kërkuar autoriteteve të mos japin licencën për shkak të mospërputhjeve në procedurën e licencimit.

Ministria e mjedisit e Brazilit tha se kishte ngritur një kabinet krizash dhe se ministri i mjedisit, Ricardo Salles dhe Eduardo Bim, kreu i Ibama-s, agjencisë mjedisore të ministrisë, po shkonin në vendin e ngjarjes.

“Shqetësimi ynë kryesor në këtë moment është t’i shërbejmë çdo viktime të kësaj tragjedie të rëndë”, ka shkruar Bolsonaro. ” Po merren të gjitha masat e nevojshme.”

Bolsonaro u tha gazetarëve në Brazilia se ai do të fluturojë në Minas Gerais të shtunën në mëngjes dhe do të fluturojë mbi rajon “kështu që mund të rivlerësojmë përsëri dëmin dhe të marrim të gjitha masat e duhura për të minimizuar vuajtjet e të afërmve dhe viktimave të mundshme, si dhe problemet mjedisore”.

Bolsonaro ka sulmuar agjencitë e mjedisit, duke përfshirë Ibama-n, për mbajtjen peng të zhvillimit me ato që ai i përshkruan si kërkesa të tepërta të licencimit dhe mbështeti lehtësimin e ndërtimit të minierave në rezervatet indigjene të mbrojtura.

Ambjentalistët thanë se Brazili kishte dështuar që të mësonte prej fatkeqësisë së Marianës, në të cilën 375 familje humbën shtëpitë e tyre dhe akoma nuk janë ri-strehohuar. Të tre kompanitë që operonin digën Mariana – Samarco, Vale dhe BHP Billiton – dhanë më shumë se 1 miliardë dollarë për një operacion të madh pastrimi dhe ndihmash, si dhe paguan miliona dollarë në gjoba për fatkeqësinë. Por asnjë individ nuk është dënuar.

“Kjo katastrofë e re me një digë të mbeturinave të minierave – këtë herë në Brumadinho – është pasojë e trishtuar e një mësimi që nuk mësohet nga shteti brazilian dhe kompanitë minerare”, tha drejtori i fushatave të Greenpeace Brasil, Nilo D’Avila. “Rastet si këto nuk janë aksidente, por krime mjedisore që duhet të hetohen, dënohen dhe riparohen”.(Shqipëroi Kebriona Veliaj, TemA)

1 komente në “FOTOT/ Tragjedia me shembjen e digës në Brazil: Shtatë të vdekur dhe qindra të zhdukur”

  1. Njeriu i pari says:

    Janë krime kundër njerëzve, jo kundër mjedisit.

    Përherë njeriu i pari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje