Partia Demokratike ka shpërndarë strukturat dhe drejtuesit e forumeve në bazë për të organizuar protestën e paralajmëruar me vendim Këshilli Kombëtar të 16 shkurtit.
Përtej deklaratave të lidershipit të PD Lulzim Basha, i cili me sa duket këtë fundjavë nuk ka duruar dhe ka shkuar në Holandë për të takuar familjen e tij, drejtuesit e tjerë, referuar dhe fotove të hedhura në rrjetet sociale, kanë vijuar me takimet e tyre.
Thirrjeve që lidershipi demokrat ka lëshuar për një pjesëmarrje sa më të gjërë në protestën e 16 shkurtit, duke tentuar të krijojnë dhe bindjen se pikërisht kjo ditë do tëjetë fillimi i fundit të Ramës në krye të qeverisë, nuk i janë përgjigjur me të njejtën gjatësi vale aleatët opozitarë.
Monika Kryemadhi dhe në përgjithësi tërë Lëvizja Socialiste për Integrim po lëviz nëpër një“korsi” tjetër politike nga ajo ku po ecën Lulzim Basha dhe Partia Demokratike.
Ndonëse deklaratat e eksponentëve të lartë të LSI, përfshirë dhe kreun e kësaj partie, Kryemadhi kanë qënë të ashpra kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar largimin e menjëherëshëm të tij, rruga që po ndiqet nuk përkon me atë çka po bën Basha dhe PD.
Burimet brenda LSI por dhe PD nënvizojnë se mungesa e konvergjencës mes PD dhe LSI nuk ka ardhur për shkak të moskoordinimit të lëvizjeve politike, por për shkak se askush nuk ka besim te Lulzim Basha në këtë iniciativë të madhe politike dhe vullnetin e tij për ta çuar në fund.
Në prag të protestës së 16 shkurtit, të cilësuar si jetike dhe që do të zgjerojë fort “mushkërinë” politike të opozitës, si dhe në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor të 30 qershorit, LSI dhe aleatët e tjerë të PD kanë nisur kalkulimet e veta politike.
Këto përllogaritje në të shumtën e herës nuk kanë në bazë aleancën me PD e drejtuar nga Lulzim Basha, por një pjesë bëhen për mëvetësi politike, një pjesë për një pol të qendrës politike me partitë e vogla të të gjithë krahëve.
Por nuk përjashtohet mundësia që këto kalkulime të bëhen dhe për aleanca të plota apo të pjesëshme me PS, partinë që është në qeverisje dhe që ka nisur me kohë fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të pushtetit vendor.
Kështu që kanë nisur komunikimet e nëndheshme dhe përmes interlokutorëve të përbashkët për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët, që do garantonte përfshirjen në pushtetin vendor, qoftë dhe në rang këshilltarësh bashkiakë.
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka kërkuar në mënyrë të përsëritur nga Lulzim Basha që të ulen dhe të diskutojnë në lidhje me ndarjen e “punëve” dhe bashkitë që do të kenë secila parti, për të startuar më pas me kandidatët e përbashkët.
Ka të paktën katër muaj që në tryezën e Lulzim Bashës janë piketat e një marreveshjeje të besueshme dhe të nënshkruar për një aleancë për zgjedhjet e pushtetit vendor të dërguar nga LSI, dhe ende Monika Kryemadhi nuk ka marrë një përgjigjie zyrtare qoftë dhe për t’u ulur në tryezë.
Një heshtje e tillë nga ana e Bashës ka sjellë dhe krijimin e një klime mosbesuese mes dy partive kryesore të opozitës, dhe për pasojë dhe tentativat për “flirte” të dyanshme me partinë në pushtet PS apo dhe me partitë e vogla, pavarësisht krahut politik që përfaqësojnë.
Por mungesë besimi kanë shfaqur dhe aleatët e djathtë të Bashës, duke filluar me krerët e partive të vogla që kanë marrë deputetë nga përfshirja në listat e kandidatëve të PD në qarqet kryesore të vendit në zgjedhjet e 25 qershorit të vitit 2017.
I pari që ka shfaqur qëndrimin kundër strategjisë së ndjekur nga Basha, ka qënë kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, i cili mbeti jashtë Parlamentit në zgjedhjet e dy viteve më parë, për shkak të përllogaritjeve të “gabuara” të Bashës për Durrësin.
Duka ka shprehur hapur mosbesimin ndaj Bashës, duke nënvizuar faktin se kreu aktual i PD nuk e ka për gjë që në momentet e fundit të nënshkruajë marrëveshje me kundërshtarin politik Edi Rama, për bashkëqeverisje.
Për këtë arësye kreu i PAA Agron Duka, teksa ka thënë se nuk ia lejon dot vetes të digjet për hërë të dytë me Bashën, ka deklaruar se do të dalë vetëm në zgjedhjet vendore të 30 qershorit të këtij viti, ose të krijojnë ndonjë aleancë, qoftë dhe të pjesshme me LSI.
Por në të njejtën gjatësi vale kanë qënë dhe kreu i LZHK Dashamir Shehi dhe ai i PDK Nard Ndoka, të cilët janë të shqetësuar nga lëvizjet e Bashës dhe tepër skeptikë për faktin nëse kreu i PD është i vendosur deri në fund për të qënë i ashpër me kryeministrin Edi Rama.
Dashamir Shehi në të gjitha daljet publike ka deklaruar se protesta për largimin e kryeministrit Edi Rama është e domosdoshme pasi ai ua ka sjellë në majë të hundës të gjithë shqiptarëve, por shqetësim përbën fakti sipas tij, se Basha në momentin e fundit bën pakt me të.
Duke i bërë thirrje Bashës që t’i largohet paktit me Ramën pasi do ta dëmtojë më shumë se në vitin 2017 opozitën, kërkon një bashkim forcat me të gjithë aleatët dhe qytetarët për të larguar këtë kryeministër nga qeverisja.
Në të njejtën gjatësi vale është dhe Nard Ndoka, por dhe aleatët e tjerë, që kërkojnë nga Basha të heqë mendjen njëherë e mirë nga pakti me Edi Ramën dhe të organizohen për të fituar zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Dhe “emëruesi” i përbashkët që i vë të gjithë partitë e vogla të opozitës në të njejtën “korsi” kundër Bashës është mungesa e vullnetit e PD për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, pika më e dobët që sipas tyre zeron të gjitha votat e partive që kanë pak peshë në Shqipëri.
Mosbesimin ndaj Lulzim Bashës dhe dëshirën e tij për pakt me Ramën që të bashkëqeverisin PD dhe PS e kanë shfaqur dhe kritikët brenda PD, që nga ish nënkryetarja e kësaj partie Jozefina Topalli e deri tek ish nënkryetari tjetër i PD, Astrit Patozi.
Madje Topalli është shprehur se tashmë pakti është arritur dhe Rama do të jetë kryeministër ndërkohë që Basha do të jetë kryetar i Kuvendit pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Në grupin e mosbesuesve ndaj Bashës dhe vendosmërinë së tij për t’i shkuar deri në fund përplasjes me Ramën tashmë është përfshirë dhe anëtarja e kryesisë Grida Duma, ndërkohë që i bën thirrje liderit të PD të mos bëjë asnjë kompromis apo bashkëqeverisje me Ramën.
Në në fund, njeriu që i tërheq vëmendjen herë pas here Lulzim Bashës duke i kujtuar se me Edi Ramanë nuk do të ketë asnjë kompromis për bashkëqeverisje, madje nuk mund të hyjë opozita as në zgjedhje me të kryeministër, është Sali Berisha.
Pra, në prag të protestës së 16 shkurtit kundër kryministrit Edi Rama dhe të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, janë aleatët opozitarë, me në krye LSI, por dhe kritikët brenda PD dhe një pjesë e lidershipit të kësaj partie, ata që nuk besojnë më tek Basha./M.Nikaj